LSDM-ja ngriti kallëzime penale për Alta Bankën, BDI-ja kërcënoi me padi, ndërsa Prokuroria tha se po e ndjek rastin

Opozitarja LSDM sot ka ngritur kallëzime penale kundër guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, dhe personave të tjerë zyrtarë e përgjegjës në Bankën Popullore, lidhur me zhvillimet e fundit rreth Alta Bankës. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, në konferencën e sotme për media para Prokurorisë Publike tha se partia kërkon përgjegjësi nga të gjithë ata që ia hapën derën dhe e sollën Alta Bankën në Maqedoni, pa verifikuar paraprakisht prejardhjen e kapitalit, pronarin e bankës dhe rreziqet nga hyrja e saj në vend, duke mos i mbrojtur kështu interesat e qytetarëve, transmeton Portalb.mk.

Sipas Dimitrijeviqit, kallëzimi është i gjerë, i detajuar, i argumentuar dhe i mbështetur juridikisht.

“Sa i përket përgjegjësisë penale, Trajko Sllaveski dhe personat e kallëzuar akuzohen se, përmes veprimeve, mosveprimeve dhe moskryerjes së mbikëqyrjes së detyrueshme, në periudhën nga gjysma e dytë e vitit 2025 deri në tetor-nëntor të vitit 2026, kanë kryer veprën penale të punës së papërgjegjshme në shërbim, sipas nenit 353, si dhe keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, po sipas nenit 353. Sa i përket përgjegjësisë për miratimin e marrjes së bankës dhe mbikëqyrjen sipas Ligjit për Bankat, në kallëzim janë përmendur nenet 13, 17, 18, 59 dhe 62, për mosplotësimin e kushteve për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar, veçanërisht nga një person ndaj të cilit është shqiptuar sanksion kundërvajtës, për verifikimin e investitorit dhe bazave për dhënien e pëlqimit nga Banka Popullore, përkatësisht nga Sllaveski”, tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së në konferencën e sotme për media.

Opozitarët kërkojnë gjithashtu të përcaktohet pse para hyrjes së Alta Bankës nuk janë verifikuar reputacioni i pronarit të saj, Davor Macura, prejardhja e kapitalit dhe rreziqet për sigurinë dhe stabilitetin e bankës.

LSDM-ja kërkon që Prokuroria të sigurojë dosjen e plotë për marrjen e bankës, elaboratet profesionale, procesverbalet, pëlqimet dhe korrespondencën me institucionet vendore dhe të huaja. Kërkojnë gjithashtu verifikimin e transaksioneve ndërkufitare dhe marrjen në pyetje të të gjithë personave që kanë marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes dhe mbikëqyrjes.

Partia opozitare kërkoi që guvernatorit dhe personave të tjerë të përfshirë në Bankën Popullore t’u shqiptohen masa kujdesi, përfshirë ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të detyrave, me qëllim që, siç tha Dimitrijeviqi, të parandalohet ndikimi mbi dëshmitarët dhe shkatërrimi i mundshëm i dokumentacionit.

“Prokurori Nenad Saveski ka mundësinë t’i refuzojë thirrjet e Mickoskit dhe të dëshmojë se mund të punojë në mënyrë të pavarur, në përputhje me ligjin, ose të bëhet bashkëpunëtor i këtij grupi të organizuar kriminal dhe ta mbrojë atë”, tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.

Përveç rastit me Alta Bankën, Dimitrijeviqi i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë edhe deklaratat që ai i cilësoi si të rreme, të cilat kryeministri Hristijan Mickoski i dha dje gjatë seancës mbikëqyrëse në Kuvend, kur tha se qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në vitin 2023 kishte vendosur marrëdhënie afariste me Alta Bankën.

“Prokurori publik duhet ta hetojë rastin se si një kryeministër i një shteti gënjen dhe jep informacione të pasakta para deputetëve në Kuvend. LSDM-ja në atë kohë, në vitin 2023, mbronte interesin e shtetit dhe nuk ka absolutisht asnjë lidhje me atë dokument për të cilin foli Mickoski dhe me të cilin u përpoq të zhvendoste vëmendjen”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.

BDI-ja kërkon falje brenda 24 orëve për akuzat lidhur me Alta Bankën, përndryshe paralajmëron padi

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i hodhi poshtë si gënjeshtra dhe akuza të pabazuara pretendimet e shumicës qeverisëse të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it se qeveria e kaluar kishte mundësuar hyrjen e bankës serbe Alta në sistemin bankar të vendit.

Partia kërkoi që përfaqësuesit e pushtetit të kërkojnë falje publike brenda 24 orëve, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ngrejë padi për shpifje.

“Në gjykatë do të kenë mundësi t’i dëshmojnë pretendimet e tyre dhe të tregojnë se kush i ka marrë vendimet, kur i ka marrë dhe çfarë përgjegjësie mban. Pasuria dhe interesat e shtetit nuk janë objekt i lojërave politike. Qytetarët e meritojnë të vërtetën. BDI-ja kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie, e jo shpifje dhe manipulime”, tha në konferencën e sotme për media sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbën Ademi.

Ademi theksoi se qëllimi i pushtetit është të manipulojë opinionin dhe të fshehë përgjegjësinë e vet, duke theksuar se të gjitha lejet për marrjen e Stopanska Bankës – Manastir janë dhënë në vitin 2025 nga institucionet e drejtuara nga shumica aktuale.

“Në vitin 2023, qeveria e atëhershme e LSDM-së dhe BDI-së nuk ka marrë asnjë vendim që do t’ia hapte rrugën Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi, ajo e mbrojti shtetin. Shteti ynë kishte aksione në bankën e Beogradit, e cila sot quhet Alta Banka, aksione të trashëguara nga ish-Jugosllavia. Pronari i kësaj banke i mori këto aksione në bazë të ligjit serb, pa pëlqimin e institucioneve tona”, shtoi Ademi.

Ai theksoi se qeveria e atëhershme kishte reaguar dhe më 24 tetor 2023 e kishte ngarkuar Avokaturën e Shtetit që t’i mbronte të drejtat e shtetit para institucioneve serbe. Pra, sipas Ademit, në vitin 2023 bëhej fjalë për mbrojtjen e pasurisë shtetërore dhe jo për ndonjë marrëveshje apo bashkëpunim afarist me Alta Bankën.

“Alta Banka hyri në sistemin bankar të shtetit në vitin 2025, nën këtë qeveri”, tha ai.

Ademi prezantoi një kronologji të miratimeve të vitit të kaluar. Sipas tij, më 1 shtator 2025, Banka Popullore dha pëlqimin që Alta Banka të bëhej pronare e Stopanska Bankës – Manastir, ndërsa, siç theksoi, edhe vetë guvernatori kishte pranuar se për këtë ishte konsultuar me kryeministrin.

Dhjetë ditë më vonë, Komisioni për Letra me Vlerë, i udhëhequr nga Bujare Abazi, kuadër i VLEN-it, dha lejen për blerjen e aksioneve. Më 16 tetor 2025, tha Ademi, Alta Banka u bë pronare e 93 përqind të aksioneve të Stopanska Bankës – Manastir.

Më 23 shtator 2025, me propozim të Ministrisë së Financave, qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it miratoi vendim me të cilin kërkoi nga 16 institucione shtetërore, ndër të cilat Fondi i Sigurimit Shëndetësor, EMV-ja dhe Agjencia e Punësimit, që brenda tri ditësh ta shqyrtonin ofertën e Alta Bankës për blerjen e aksioneve të tyre në bankën e Manastirit.

“Këto janë fakte dhe vendime konkrete. Përgjegjësinë duhet ta marrin ata që i kanë miratuar, e jo t’ia kalojnë dikujt tjetër”, shtoi Ademi.

Akuzat ndaj BDI-së, e cila ishte pjesë e qeverisë së bashku me LSDM-në, i bëri dje kryeministri Hristijan Mickoski gjatë seancës mbikëqyrëse në Kuvend, kushtuar zhvillimeve në Alta Bankën SHA Manastir.

Mickoski tha se qeveria e atëhershme e LSDM-së dhe BDI-së kishte dhënë pëlqimin për shitjen e aksioneve në Stopanska Bankën SHA Manastir (sot Alta Banka SHA Manastir) dhe e kishte ngarkuar Avokaturën e Shtetit të vendoste komunikim me pronarin e Alta Bankës në Serbi, Davor Macura.

Dje edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e akuzoi kryeministrin për gënjeshtër të hapur dhe zhvendosje të vëmendjes, duke dhënë sqarime lidhur me zhvillimet. Filipçe theksoi se Davor Macura, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, i kishte blerë aksionet nga ish-banka jugosllave “Jugmest”, të cilat i përkisnin Serbisë. Për të fituar 90 përqind të pronësisë, ai kishte dashur të blinte edhe aksionet që u përkisnin ish-republikave jugosllave, sipas parimit të sukcesionit. Sipas Filipçes, qeveria e atëhershme e Maqedonisë kishte refuzuar t’ia shiste aksionet Macurës, por ai e kishte realizuar këtë përmes Bosnjë-Hercegovinës dhe, në përputhje me legjislacionin serb, kishte blerë aksionet e mbetura pa pëlqimin e tyre.

Haxhi Vasileva: Për qëndrimin e Prokurorisë për Alta Bankën duhet të kemi materiale 

Shefja e sapozgjedhur e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), Ivana Haxhi Vasileva, sot dha deklaratën solemne para Këshillit të Prokurorëve Publikë për marrjen e detyrës. Në një deklaratë për mediat pas ceremonisë, ajo tha se si Prokurori do të përpiqen të ofrojnë ndjekje penale më efikase dhe të drejtpërdrejtë, veçanërisht në rastet me interes publik.

“Prioritetet e mia janë përcaktuar dhe janë menduar edhe para marrjes së detyrës, veçanërisht pasi vij nga kjo Prokurori dhe një pjesë e gjendjeve i njoh. Natyrisht, do të më duhet kohë të njihem edhe me aspekte të tjera të punës së Prokurorisë që nuk lidhen drejtpërdrejt me punën prokuroriale në lëndë konkrete. Prioritetet janë të qarta – ndjekje penale efikase, punë me qëllim të qartë dhe shfrytëzim i resurseve që kemi në dispozicion. E dini se ato në një pjesë janë të kufizuara, por do të luftojmë për më shumë resurse dhe do t’i shfrytëzojmë ato që kemi, me qëllim që të arrijmë rezultate më të mira në punën tonë”, tha Haxhi Vasileva në një deklaratë për mediat.

E pyetur nga gazetarët për faktin se marrja e detyrës vjen në një kohë kur Komisioni Evropian nuk ka evidentuar përparim në luftën kundër korrupsionit, shefja e PTHP-së për Krim të Organizuar dhe Korrupsion tha se është e vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart pozita dhe për përgjegjësinë që kërkon konteksti aktual në lidhje me thirrjen dhe detyrën e tyre.

“Do të përpiqemi të ofrojmë ndjekje penale më efikase dhe të drejtpërdrejtë aty ku është më e rëndësishme, nëse mund të shprehem kështu, në lëndë dhe në çështje që prekin vërtet interesin publik dhe që janë në interes të të gjithëve, të qytetarëve dhe të shoqërisë”, tha prokurorja.

Haxhi Vasileva tha se po i ndjek zhvillimet e fundit rreth Alta Bankës SHA Manastir, por theksoi se në këtë moment nuk është e përshtatshme të përgjigjet nëse ekziston një qëndrim i Prokurorisë për këtë çështje, pasi duhet të shqyrtojë materiale konkrete dhe jo të mbështetet vetëm në atë që thuhet në opinion apo në atë që publikohet në artikujt gazetareskë.

“Nëse kemi gjurmë apo baza më serioze, ku edhe hulumtimet gazetareske kanë rëndësi dhe na ndihmojnë shumë, nëse arrijmë në atë pikë, natyrisht se të gjitha këto tema ndiqen me vëmendje dhe na obligojnë që edhe mbi bazën e informacionit të marrë nga opinioni të fillojmë të ndërmarrim masa. Por, për të pasur një qëndrim prokurorial, duhet të keni diçka konkrete para vetes. Për momentin, këto janë zhvillime që si organ i ndjekjes penale po i ndjekim”, tha Haxhi Vasileva.

E pyetur nga gazetarët nëse ekziston komunikim ndërmjet Prokurorisë së Maqedonisë dhe Prokurorisë së Serbisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ajo tha:

“Kjo, natyrisht, është mënyrë e punës dhe diçka që na obligon ligji. Në një situatë kur nisni ndjekjen penale apo shqyrtimin e një çështjeje, natyrisht se bashkëpunojmë me kolegët. Konkretisht, me Serbinë kemi edhe bashkëpunim të mirë ndërkombëtar”.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.

Banka - BankëBanka Popullore e RMVBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Lidhja Social Demokrate (LSDM)Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe KorrupsionitTrajko Sllaveski