Miratimi i Raportit për Maqedoninë e Veriut nga Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET) në Parlamentin Evropian ka ngjallur reagime të reja në Sofje dhe Shkup. E para ankohet se amendamentet e tyre janë lënë pas dore, e dyta nuk është e kënaqur, pasi sipas Shkupit, Bullgaria përpiqet të krijojë një komb të ri modern maqedonas dhe se ky është vetëm fillimi i një procesi që nuk ka fund. “Nuk e përjetoj këtë si një sukses, por si diçka që për ne përfaqësonte një pengesë që e kemi kapërcyer”, është shprehur kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski pas miratimit të raportit, shkruan Portalb.mk.
Shkupi i zhgënjyer: “Përpiqen të krijojnë komb të ri maqedonas”
Duke komentuar votimin në Komitetin e Punëve të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian, Mickoski tha se përpjekja për të krijuar një komb të ri modern maqedonas dhe një gjuhë të re moderne (bashkëkohore) maqedonase konfirmon se problemi nuk është ndryshimi i Kushtetutës, por identiteti dhe gjuha.
Edhe pse përpjekja e eurodeputetëve bullgarë për të futur një amendament që do të shtonte fjalën “modern” në fjalët “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” në Raportin e Progresit të Maqedonisë ishte e pasuksesshme, Mickoski sërish e konsideron zhgënjim.
“Nuk e përjetoj këtë si një fitore, por si një zhgënjim. Pse? Sepse në shekullin e 21-të, në Evropë, pamë një përpjekje për të krijuar një komb dhe identitet artificial. Sepse ai amendament që u propozua është de facto një përpjekje për të krijuar një komb të ri modern maqedonas, ose një gjuhë të re moderne maqedonase, që në vetvete është një precedent. Si qenie njerëzore dhe si maqedonas, jam i zhgënjyer. Nuk e përjetoj këtë si një sukses, por si diçka që për ne përfaqësonte një pengesë që e kemi kapërcyer”, tha Mickoski në një intervistë për TVM.
Megjithatë, sipas kryeministrit, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi është njoftuar se një amendament i ngjashëm i Raportit do të paraqitet në një seancë plenare më 8 ose 9 korrik.
“Për ne, ky është vetëm konfirmim se sprova që kemi kaluar në këto 25 vjet që nga fillimi i udhëtimit tonë, dhe 20 vjet si kandidat – vazhdon. Dhe se të gjithë ata në të kaluarën që menduan se do të nënshkruanin ndonjë koncesion kombëtar dhe se do t’i jepnin fund të gjitha shqetësimeve – i mashtruan qytetarët. Ndoshta edhe ata u mashtruan, ndoshta besuan se diçka do të realizohej. Por kjo nuk e zvogëlon dhimbjen e qytetarëve, sepse ata nënshkruan pa i pyetur qytetarët. Dhe tani qytetarët po paguajnë çmimin, duke qenë dëshmitarë sot të një përpjekjeje për të krijuar një komb të ri modern maqedonas dhe një gjuhë të re moderne maqedonase. Kjo konfirmon se problemi nuk ishte ndryshimi i Kushtetutës, por identiteti, thelbi i këtij populli, gjuha”, tha kryeministri.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ndërkohë nga Haga bën thirrje për zhbllokimin e procesit të zgjerimit. Davkova deklaroi se ajo si profesoreshë, nuk e di se çfarë do të thotë modern, duke shtuar se nuk ekzistojnë kombe dhe gjuhë para moderne, moderne dhe post moderne.
“Të gjitha kombet kanë lindur në gjysmën e dytë të shekullit 18-të dhe në shekullin e 19, ashtu edhe i yni”, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova për amendamentet bullgare.
“Unë mbrëmë para darke kisha bisedë të mirë, protokollare dhe miqësore me kryeministrin bullgar. (Biseduam) Për nevojën për mirëkuptim të ndërsjellë, pa ndërmjetësim, për nevojën që të respektohemi, për nevojën që ta ndjekim frymën e dy popujve, për nevojën që të ndihmohemi. Për nevojën që ai që është brenda, t’i ndihmojë atij që shkon drejt BE-së. Unë i mati fjalët, besoj në nevojën për miqësi, besoj që kjo do të ndodhë dhe mendoj që është diçka e pashmangshme”, tha Siljanovska për TV21.
Gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, në Samitin e 25 qershorit në Hagë, duke kujtuar simbolikën e 26 qershorit – dita e nënshkrimit të Kartës së OKB-së në vitin 1945, e solidaritetit amerikan me Evropën gjatë Luftës së Ftohtë dhe episodin e rënies së Jugosllavisë në vitin 1990, presidentja vuri në dukje domosdoshmërinë e unitetit rreth zhbllokimit të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë.
“Duke vënë në dukje se pothuajse të gjithë anëtarët e BE-së janë gjithashtu anëtarë të NATO-s, ajo kërkoi që ata të mund të zhbllokojnë procesin e zgjerimit dhe të përfundojnë bashkimin e Evropës, sepse integrimi evropian dhe euroatlantik i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një imperativ gjeopolitik dhe sigurie”, njoftuan nga Presidenca.
Përplasje mes pushtetit dhe opozitës
“A nuk ishin betonuar?” Mickoski pyeti për identitetin dhe gjuhën, duke përdorur shprehjen e përdorur nga përfaqësuesit e Qeverisë së mëparshme për të përshkruar se sa fort mbroheshin shenjat e identitetit.
“Në djepin e Evropës, pamë plasaritjen e betonit. Kjo ishte strategjia jonë – të tregonim se ne jemi ata me vlera, nder dhe dinjitet, edhe nëse jemi të paktë në numër. Fatkeqësisht, shumë më të mëdhenj se ne dolën pa nder dhe dinjitet në zemër të Evropës në Bruksel – ata që u përpoqën të ripërcaktonin identitetin tonë maqedonas dhe gjuhën tonë maqedonase”, theksoi kryeministri.
Ai iu drejtua edhe atyre që tani presin një dalje nga negociatat, nga PPE-ja, nga institucionet…
“Kjo është gjëja më e lehtë për t’u bërë, por a është kjo përgjegjëse? Jo, nuk është përgjegjëse. Sepse nëse lufton nga brenda, mund të arrish vetëm një rezultat. Ne nuk do të ndërmarrim ato hapa si në vitin 2008 pas vetos në Bukuresht, riemërtimit… Jo, ne do të jemi antiteza e kësaj. Ne po luftojmë dhe do të luftojmë. Nuk e di nëse do të kemi sukses, por sot arritëm të tregojmë se ndryshimi i Kushtetutës nuk është i fundit. Është fillimi i një procesi që nuk ka fund. Ne do të luftojmë nga brenda dhe jam i sigurt se do të lëmë një themel të mirë për brezat e ardhshëm. Të paktën ndërsa unë drejtoj Qeverinë, Maqedonia nuk do të ndihet e poshtëruar”, tha kryeministri.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerësoi se ishte mirë që raporti u miratua, por për fat të keq, nga ana tjetër, tha se “është një disfatë totale dhe disfatë e diplomacisë sonë”. Në një deklaratë për Televizionin 24, ai theksoi se gjuha maqedonase është konfirmuar, falë vendimeve prej liderëve të Qeverisë së LSDM-së.
“Parlamenti në korrik 2022 miratoi konkluzione që e detyrojnë qeverinë e atëhershme, por edhe çdo qeveri të mëvonshme, që asnjë qeveri të mos negociojë për përcaktuesit gjuhësorë, kulturorë dhe të identitetit, as që gjuha maqedonase të negociohet pasi ajo është pranuar tashmë në kornizën negociuese brenda propozimit francez, dhe është konfirmuar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe, në fakt, marrëveshja me FRONTEX është nënshkruar. Pra, një gjuhë e pastër maqedonase pa asnjë vërejtje, pa asnjë shënim në fund të faqes”, tha Filipce, duke shtuar se kjo është një luftë që si kryeministri ashtu edhe VMRO-DPMNE duan ta paraqesin si luftën e tyre për gjuhën maqedonase, por ajo luftë ka mbaruar.
Duke vepruar kështu, Filipçe theksoi se në këtë mënyrë VMRO-DPMNE po kërcënon seriozisht pozicionet negociuese të Maqedonisë.
Sipas kreut të LSDM-së, fakti që Qeveria lejon debat për gjuhën maqedonase, dhe përveç kësaj që ato amendamente që nuk u miratuan nga Komisioni, por sipas njoftimeve do të dorëzohen në seancën plenare në fillim të korrikut, vijnë nga partitë simotra të VMRO-DPMNE-së, është një disfatë serioze për diplomacinë dhe Qeverinë maqedonase.
Bullgaria e prerë, nuk heq dorë nga kërkesat
Bullgaria ndërkohë nuk e ka në plan të ndalet. Presidenti bullgar Rumen Radev u dërgoi letër krerëve të institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare të BE-së pas miratimit të Raportit nga Komiteti i Punëve të Jashtme i PE-së mbi progresin e Maqedonisë në procesin e integrimit evropian.
Në tekstin, i cili u botua i plotë nga shërbimi për shtyp i presidentit, Radev deklaron se që nga fillimi rasti me atë raport shkaktoi një valë indinjate dhe kritikash në Bullgari. Ai e vlerësoi si shqetësuese faktin që PE u deklarua për kategori të tilla si “identiteti” dhe “gjuha”, dhe i vlerësoi rrethanat rreth përgatitjes së raportit si shqetësuese.
“Përshëndes vendimin e PE-së për të hedhur poshtë pretendimet për një ‘identitet shekullor maqedonas’ dhe për të mos lejuar përpjekje të reja për të shtyrë narrativën nacionaliste etnocentrike të autoriteteve në Shkup. Një qasje e tillë përballet si me komunitetet e tjera etnike në RMV ashtu edhe me dy milionë qytetarët bullgarë /të cilët janë gjithashtu qytetarë të BE-së/me origjinë etnike nga territori i Maqedonisë së Veriut të sotme”, shkruan presidenti bullgar.
Ai deklaroi në letër se “fushata anti-bullgare në RMV po zhvillohet me një ritëm të pandërprerë” dhe se qytetarët e saj që identifikohen hapur si bullgarë po ndiqen penalisht.
“Vendi ynë i ka informuar prej kohësh institucionet evropiane për presionin dhe diskriminimin ndaj të cilit i nënshtrohen bullgarët në RMV”, deklaron Radev, duke iu referuar vendimit të shkallës së parë për Ljubço Georgievskin, kryetar i ish-Qendrës Kulturore Ivan Mihajlov në Manastir.
Bullgaria propozoi një amendament edhe në atë rast, por presidenti bullgar deklaroi me keqardhje se “ai amendament mbeti gjithashtu jashtë fushës së vizionit të parlamentarëve evropianë”.
Në fund të letrës, Radev përsërit qëndrimet e njohura të Bullgarisë.
“Bullgaria mbetet e përkushtuar ndaj të gjitha elementeve të konsensusit evropian të vitit 2022, zbatimi i të cilit është e vetmja mundësi për integrimin evropian të fqinjit tonë jugperëndimor. Përpjekjet e deritanishme për të motivuar autoritetet në Shkup përmes lëshimeve nga ai konsensus nuk po çojnë në rezultatin e dëshiruar. Përkundrazi, autoritetet në Shkup po demonstrojnë gjithnjë e më hapur se nuk do t’i përmbahen këtij kompromisi të fituar me mund, të pranuar edhe nga RMV, që do të thotë se ato në të vërtetë nuk kanë ndërmend të realizojnë integrimin evropian të vendit. Ju lutem pranoni sigurimet e mia se Bullgaria nuk do të pranojë zëvendësim për kompromisin evropian të fituar me mund. Të drejtat e bullgarëve në MV nuk mund të jenë objekt i marrëveshjeve politike. Forcimi i besimit në institucionet evropiane, veçanërisht në kohë krize, është detyra jonë e përbashkët dhe unë mbështetem në bashkëpunimin tuaj në këtë drejtim”, tha presidenti bullgar në letër.
Eurodeputetët bullgarë tashmë kanë drejtuar gishtin nga eurodeputetët hungarezë për rezultatin e djeshëm në AFET. Andrei Kovaçev (PPE) u tha mediave bullgare se “veprimet e njerëzve të Viktor Orbanit ishin një përpjekje për të demonstruar mbështetje për Hristijan Mickoskin”. Radan Kanev, gjithashtu nga PPE (Partia Popullore Evropiane), deklaroi se “Orban tani ka treguar se ai është i vetmi kundërshtar i shpallur publikisht i pozicionit të Bullgarisë në Evropë”.
Në një reagim nga Ministria e Jashtme e Bullgarsë, nga ana tjetër, pas miratimit të raportit, mirëpriti vendosmërinë e AFET-it për të mos u përfshirë, siç pretendohet, në narrativë spekulative nacionaliste që lidhen me pretendimet e një identiteti shekullor maqedonas.
Në reagim theksohet se narrative të tilla bien ndesh me vlerat evropiane të përfshirjes dhe lëndojnë ndjenjat si të bullgarëve ashtu edhe të përfaqësuesve të komuniteteve të tjera në Maqedoninë e Veriut.
“Bullgaria ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka kundërshtime ndaj perceptimeve bashkëkohore moderne të identitetit të çdo individi apo bashkësie – është çështje zgjedhjeje personale. Fatkeqësisht, interpretimi manipulues i këtij qëndrimi nga autoritetet në Shkup shpesh shërben si justifikim për mospërmbushjen e detyrimeve të ndërmarra. Kjo është një nga arsyet për vonesën në procesin e integrimit evropian të RMV-së”, thuhet në reagimin e Ministrisë për Punë të Jashtme në Bullgari.
Ndërkohë shefi i diplomacisë së RMV-së, Timço Mucunski shprehu “keqardhje për futjen e narrativës ruse për destabilizimin e rajonit”.
“Më vjen keq që qeverisja aktuale e Bullgarisë dhe eurodeputetët bullgar, me veprimet e tyre në Bruksel, po futen në narrativen ruse për destabilizim të rajonit”, deklaroi Timço Mucunski nga Samiti i NATO-s në Hagë duke theksuar se veprimet e Bullgarisë në javët dhe muajt e fundit janë pjesë e procesit të destabilizimit të Ballkanit.
Drafti i raportit të progresit për vendin për vitin 2023 dhe 2024, i përgatitur nga eurodeputeti Weitz, duhej të ishte në seancën e 4 qershorit të AFET, por u shty për më 24 qershor. Dokumenti thekson nevojën për të ruajtur vrullin dhe vëren se vendi vazhdon të demonstrojë angazhim për integrimin evropian dhe përafrimin me politikat e BE-së. Në të njëjtën kohë, ai bën thirrje për përparim të shpejtë në negociatat dhe zbatimin e ndryshimeve kushtetuese.
Përndryshe, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.