“Alta Banka nga një bankë e sigurt, brenda dy ditësh mbeti pa leje pune – bankë për pastrimin e parave të përfituara nga krimi”, thuhet në komunikatën e partisë opozitare LSDM, e cila përshkruan zhvillimet në Serbi lidhur me revokimin e lejes së punës së bankës, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Serbisë, më 30 qershor 2026, qytetarët, bizneset dhe klientët e tjerë kishin depozituar në këtë bankë 172 miliardë dinarë, përkatësisht rreth 1.47 miliardë euro.
Tërheqja e parave kishte filluar që të martën. Brenda një dite, bllokimi arriti në një miliard dinarë.
“Pronari Davor Macura, sipas informacioneve të publikuara, ka tërhequr 37 milionë euro në para të gatshme nga kasaforta, me lejen e guvernatores. Mungojnë rreth 20 përqind e depozitave. Të premten, në orën 02:00 të natës, ka ndodhur një përplasje mes guvernatores dhe të gjithë zëvendësguvernatorëve, të cilët e kanë braktisur mbledhjen. Në bankë ka hyrë Eurojust. Në Serbi, ndërmarrje publike si EPS, Telekom Serbia, Srbijagas, Air Serbia dhe shumë të tjera, si dhe para të komunave dhe institucioneve shtetërore, janë transferuar në Alta Bankë me urdhër të Vuçiqit. Të njëjtin model Mickoski e imponoi edhe në Maqedoni. Ndërmarrjet publike, ministritë dhe kompanitë që kanë marrë pjesë në tenderë kriminalë kanë urdhër të bashkëpunojnë me Alta Bankën. Qyteti i Manastirit është në masë të madhe i lidhur me këtë bankë. Qytetarët që dje prisnin në radhë. Banka e shkurtoi orarin e punës për shkak të turmave të krijuara nga tërheqja e parave dhe mbyllja e llogarive”, thonë nga LSDM-ja.
Nga atje shtojnë se Alta Banka SHA Manastir është pothuajse tërësisht në pronësi të bankës qendrore serbe. Pasojat e mbylljes së bankës amë do të reflektohen edhe te banka në Maqedoni.
Depozitat e personave fizikë janë të siguruara deri në 30.000 euro. Depozitat e ndërmarrjeve publike, ministrive dhe kompanive të lidhura me tenderë nuk mbrohen në të njëjtën mënyrë.
“Mickoski dhe guvernatori Sllaveski mbajnë përgjegjësi personale para qytetarëve. Ata e sollën bankën e Vuçiqit në Maqedoni. Ata e miratuan hyrjen e saj, pavarësisht paralajmërimeve publike për natyrën kontroverse të grupacionit dhe lidhjet e tij politike. Dje Sllaveski deklaroi se është normale që banka të transferojë shuma të mëdha parash. Sot po shihet se kjo nuk është normale. Kërkojmë që Banka Popullore që sot të dërgojë inspektim në Alta Bankën SHA Manastir, t’ia pezullojë pronarit të drejtën e votës dhe të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për mbrojtjen e depozitave të shtetit dhe të ndërmarrjeve publike. Kërkojmë që Prokuroria që sot të hapë procedurë kundër Mickoskit, guvernatorit Sllaveski dhe të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në proceset lidhur me bankën. Ky nuk është problem teknik, por një sistem për pastrimin e parave të përfituara nga krimi dhe korrupsioni”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Lidhur me këtë komunikatë reagoi VMRO-DPMNE-ja, duke deklaruar se Banka Eurostandard ishte “shkatërruar” gjatë kohës së LSDM-së, në vitin 2020.
“Si një nga arsyet kryesore u përmend dhënia e kredive pa mbulim të përshtatshëm. Ndër kompanitë që kishin marrë kredi të mëdha pa mbulim ishin edhe 29 kompani nga Strumica, mes tyre edhe kompani të afërta me kryeministrin e atëhershëm dhe kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev.
Gjurmët e parave nga Banka Eurostandard tregojnë se pas falimentimit të saj qëndrojnë funksionarë dhe kompani të afërta me funksionarët e LSDM-së, në llogaritë e të cilëve përfundonin paratë që qytetarët i kishin kursyer në bankë”, thuhet në reagimin e partisë në pushtet.
Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë dje vendosi të revokojë licencën e Sh.A. “Alta Banka” Beograd. Me vendim gjykate, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të emërohet si administrator i falimentimit, tha BKS në një deklaratë.
Siç thuhet në deklaratë, Bordi Ekzekutiv arriti në përfundimin se para revokimit të licencës, u kryen aktivitete mbikëqyrëse për të siguruar që banka të rriste nivelin e saj të likuiditetit.
“Duke pasur parasysh se kushtet për revokimin e licencës së operimit të bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, janë përmbushur, Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë këtë vendim për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar”, shtoi BKS.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave, brenda shtatë ditëve pune, do të mundësojë pagesën e shumave të siguruara dhe aksesin në fonde për depozituesit, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Depozitave, thuhet në deklaratën e Zyrës së Guvernatorit të BKS-së.
Ndryshe, LSDM-ja gjatë kësaj jave ka raportuar se Alta Banka ka filluar të transferojë shuma të mëdha parash në Maqedoni dhe Rusi, duke kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë origjinën e tyre.
Gjatë muajit tetor, katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në listën e personave për të cilët propozohet sanksion është edhe Davor Macura nga Alta Banka.
Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).
Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.
Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.
- LEXO: Kuzeska: Pas rënies së Vuçiqit, Alta Banka po transferon para në Maqedoni, Prokuroria të hapë menjëherë hetim
- LEXO: Rubios i kërkohen sanksione ndaj katër biznesmenëve serbë të afërt me Vuçiqin, aty përfshihet edhe Alta Bank
- LEXO: Banka serbe edhe zyrtarisht hyri në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Nga banka shqiptare te “ALTA Banka” serbe, si u harrua premtimi elektoral i “VLEN”-it?