Si shpenzohen paratë nga Buxheti i shtetit, mbi bazën e cilave dokumente Qeveria merr vendime, çfarë ndodh me propozimet e dorëzuara nga qytetarët dhe çfarë rezultate japin masat kundër korrupsionit? Këto janë disa nga informacionet me interes publik që vazhdojnë të mos jenë mjaftueshëm të qasshme në uebfaqet e institucioneve. Edhe pse Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet më e hapura në rajon, ndërsa Kuvendi është i dyti në mesin e Parlamenteve, analizat më të fundit të Fondacionit “Metamorfozis“ tregojnë se qytetarët ende nuk kanë pasqyrë të plotë për shpenzimin e parave publike, përgatitjen e ligjeve dhe proceset e vendimmarrjes, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Institucionet publikojnë buxhete, komtesa, rende dite dhe informacion për aktivitetet e tyre, por dukshëm më rrallë publikojnë dokumente që mundësojnë të verifikohet se si realizohen aktivitetet e planifikuara, sa para janë shpenzuar realisht dhe pse është marrë një vendim i caktuar. Dallimi mes publikimit formal të informacioneve dhe llogaridhënies përmbajtësore është ndër problemet kyçe për të cilin tregojnë analizat për nivelin e hapjes së pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.
Sipas Indeksit të Hapjes 2026, i cili e vlerëson gjendjen në vitin 2025, Qeveria përmbush 75,84 përqind të indikatorëve, që paraqet ulje në krahasim me matjen e mëparshme kur rezultati ka qenë 77,32 përqind. Ministritë kanë një përmbushje mesatare prej 61,13 përqind, ndërsa organet ekzekutive 56,87 përqind. Nga ana tjetër Kuvendi i Maqedonisë me 76,49 përqind të përmbushjes së indikatorëve zë vendin e dytë në rajon, pas atij të Malit të Zi. Mirëpo, pozicionet e mira rajonale nuk do të thonë se publiku i merr me kohë të gjitha informacionet e nevojshme për ta kontrolluar punën e institucioneve.
Një nga dobësitë më të shprehura ka të bëjë me transparencën financiare. Edhe pse Buxheti i shtetit është publikisht i qasshëm, mungojnë dokumente përmes të cilave qytetarët do të mund të ndiqnin më thjeshtë dhe në mënyrë të vazhdueshme se si shpenzohen mjetet publike.
Sipas analizës së “Metamorfozis“ nuk është publikuar Buxheti Qytetar, dokument i cili duhet t’ua paraqesë qytetarëve në mënyrë të kuptueshme të hyrat dhe të dalat e planifikuara të shtetit. Nuk është publikuar as raporti gjashtëmujor për ekzekutimin e buxhetit të shtetit, ndërsa mungojnë edhe vendimet individuale për shfrytëzimin e mjeteve nga rezerva buxhetore.
Edhe më shqetësuese është gjendja me raportimin e rregullt financiar të institucioneve. Nga 20 ministri të analizuara vetëm tre prej tyre, gjegjësisht 15 përqind, publikojnë raporte periodike financiare. Tek 18 organet ekzekutive raporte të tilla publikojnë vetëm dy institucione, gjegjësisht 11,1 përqind.
Kjo do të thotë se edhe kur qytetarët mund të shohin sa para ka planifikuar të shpenzojë një institucion i caktuar, jo gjithmonë mund të verifikojnë se sa përqind e mjeteve janë shpenzuar realisht gjatë vitit, për cilat aktivitete dhe nëse shpenzimi i është në pajtim me planin fillestar. Problemi nuk është vetëm te qasshmëria e dokumenteve financiare, por edhe te mundësia që publiku të reagojë në kohë nëse vëren parregullsi ose shpenzim jo racional.
Nga ana tjetër analiza shënon përmirësim te prokurimet publike. Planet për prokurime publike i publikojnë 90 përqind e ministrive, thirrjet 95 përqind, ndërsa vendimet dhe kontratat nga 90 përqind. Raporte vjetore për prokurimet publike publikojnë 85 përqind e ministrive, kundrejt 65 përqind në matjen paraprake.
Qeveria publikon vendime, por jo edhe të gjitha dokumentet mbi bazën e të cilave janë marrë ato
Problem tjetër është transparenca e kufizuar e procesit të vendimmarrjes. Seancat e Qeverisë nuk janë të hapura për publikun dhe nuk transmetohen drejtpërdrejt, ndërsa procesverbalet që publikohen nuk përmbajnë mjaftueshëm informacion se si janë marrë vendimet. Qeveria vazhdon të vendosë në mënyrë selektive se cilat pika të rendit të ditës dhe cilat dokumente shoqëruese do të jenë të qasshme për publikun. Kështu, qytetarët mund të zbulojnë se është miratuar një masë apo vendim i caktuar, por jo gjithmonë se cilat analiza, argumente apo vlerësime i kanë paraprirë marrjes së tyre.
Mungesa e dokumentacionit të plotë e kufizon mundësinë e gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të gjerë për ta ndjekur procesin e vendimmarrjes dhe për të vlerësuar nëse vendimet janë marrë në interes publik. Problem shtesë është se Qeveria nuk i publikon në mënyrë sistematike përgjigjet ndaj kërkesave për qasje të lirë në informacion me karakter publik.
Sipas analizës me publikimin e përgjigjeve të tilla do të zvogëlohej nevoja që qytetarët, gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile të kërkojnë më shumë herë informacione të njëjta ose të ngjashme.
Edhepse institucionet janë të pranishme në internet dhe në rrjetet sociale kjo nuk do të thotë se qytetarët mund të komunikojnë me to lehtësisht. Analiza tregon se vetëm pesë nga 20 ministri, gjegjësisht 25 përqind, kanë kanal direkt online përmes të cilit qytetarët mund të dorëzojnë parashtresë, ankesë apo vërejtje. Këto janë Ministria e Financave, Ministri e Transportit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Sportit.
Vetëm katër ministri, gjegjësisht 20 përqind, publikojnë udhëzime të qarta për procedurën e dorëzimit të parashtresave dhe ankesave.
Te organet ekzekutive gjashtë nga 18 institucione kanë kanal direkt online për komunikim me qytetarët, ndërsa tetë publikojnë udhëzime për dorëzimin e parashtresave dhe ankesave. Nga ana tjetër vetëm gjashtë nga 18 organet ekzekutive kanë publikuar përgjigje për pyetjet të parashtruara më shpesh.
Këto të dhëna tregojnë se një numër i madh i uebfaqeve institucionale ende funksionojnë kryesisht si kanale për informim njëkahësh. Qytetarët mund të lexojnë çfarë ka kumtuar institucioni, por jo gjithmonë kanë mehanizëm të thjeshtë për të bërë pyetje, për të raportuar probleme apo për të marrë udhëzime konkrete.
Pikërisht qasshmëria është fusha e vlerësuar më dobët te pushteti ekzekutiv, me një përmbushje mesatare prej 50,83 përqind. Ministritë përmbushin vetëm 42,33 përqind të indikatorëve në këtë fushë, ndërsa organet ekzekutive 37,96 përqind.
Qytetarët japin propozime, por nuk kanë shumë informacion se çfarë ndodh me to
Sipas analizave një nga mangësitë më serioze ka të bëjë me konsultimet publike gjatë përgatitjes së ligjeve dhe politikave. Edhe pse ekzistojnë mekanizma përmes të cilëve qytetarët, ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile mund të dorëzojnë komente për zgjidhjet e propozuara ligjore, institucionet nuk sigurojnë informacion mjaftueshëm të qartë dhe lehtësisht të qasshëm për atë se çfarë ndodh me propozimet e marra.
Asnjë nga ministritë e vëzhguara nuk publikon plan vjetor për dëgjime dhe konsultime publike në uebfaqen e saj. Vetëm tre ministri e përmbushin kriterin për publikimin e thirrjeve për debate dhe konsultime publike.
Edhe më e dobët është gjendja me informacionet kthyese. Sipas Indeksit vetëm Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e përmbush indikatorin për publikimin e raporteve nga konsultimet publike të realizuara në uebfaqen e saj, përfshirë edhe arsyetimet me shkrim për komentet dhe propozimet e marra.
Kjo nuk do të thotë se institucionet e tjera nuk përgjigjen aspak përmes Regjistrit të Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER), por se informacionet për rezultatin nga konsultimet nuk janë publikuar aq sa duhet në mënyrë sistematike dhe të dukshme në uebfaqet e tyre. Problemi është i rëndësishëm sepse mundësia që qytetari të dorëzojë koment vetvetiu nuk garanton pjesëmarrje në krijimin e politikave. Është e nevojshme që institucioni të japë sqarim nëse propozimi është pranuar apo refuzuar dhe pse.
Sipas të dhënave të cekura në analizë, të lidhura me zbatimin e vlerësimit të ndikimit të rregullores në vitin 2025 në ENER janë publikuar vetëm 36,5 përqind e dokumenteve relevante. Kjo do të thotë se më shumë se 63 përqind e propozim-ligjeve të përfshira me këtë indikator nuk kanë qenë të qasshme për komente publike në afatin e paraparë minimal prej 30 ditësh.
Dobësi të ngjashme vihen re edhe tek pushtetin legjislativ. Edhe pse Kuvendi ka një shkallë relativisht të lartë të hapjes dhe rregullisht publikon rende dite, propozim-ligje, shënime stenografike dhe rezultate nga votimi, analiza tregon se publiku jo gjithmonë ka mjaftueshëm kohë dhe informacion për të marrë pjesë përmbajtësisht në procesin legjislativ.
Në vitin 2025 Kuvendi ka miratuar 220 ligje, nga të cilat 121, gjegjësisht 55 përqind, janë miratuar me procedurë të shkurtuar. Nga ligjet e miratuara me procedurë të shkurtuar 95 janë propozuar nga deputetët, ndërsa 26 nga Qeveria.
Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e këtyre ligjeve kanë qenë të lidhura me harmonizime teknike dhe organizative pas riorganizimit të administratës shtetërore, fakti që më shumë se gjysma e ligjeve janë miratuar me procedurë të shkurtuar e kufizon hapësirën për debat më të gjerë.
Gjatë vitit 2025 Kuvendi ka organizuar tetë diskutime publike, ndërsa përmes Karavanit Parlamentar janë përfshirë 2.376 qytetarë në 10 qytete. Por, konsultimet publike vazhdojnë të varen në masë të madhe nga iniciativat e komisioneve të caktuara parlamentare.
Analiza tregon se nuk ekziston një sistem i vetëm i integruar përmes të cilit publiku do të mund ta ndiqte të gjithë procesin e miratimit të ligjit, që nga propozimi fillestar dhe komentet e dorëzuara, deri te ndryshimet në tekst dhe vendimi përfundimtar i Kuvendit.
Kjo do të thotë se qytetarët mund ta lexojnë ligjin e miratuar, por jo gjithmonë mund të përcaktojnë se si ka ndryshuar ai gjatë procedurës dhe nëse propozimet e tyre kanë pasur ndikim në përmbajtjen përfundimtare.
Politika kundër korrupsionit ka, por raporte se deri ku është arritur nuk ka pothuajse aspak
Problem të veçantë paraqet transparenca e masave për parandalimin e korrupsionit. Shumica e ministrive kanë vendosur mekanizma bazë për integritet, përfshirë politika për parandalimin e korrupsionit dhe informacione për mbrojtjen e sinjalizuesve. Por, të dhënat se si zbatohen këto politika janë dukshëm më të rralla.
Vetëm dy nga 20 ministri, gjegjësisht 10 përqind, e kanë publikuar raportin e fundit vjetor për zbatimin e politikës për integritet apo ndonjë politike tjetër të brendshme kundër korrupsionit. Bëhet fjalë për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Kjo do të thotë se tek 90 përqind e ministrive publiku nuk ka mundësi që përmes raporteve të tilla të verifikojë se cilat masa kundër korrupsionit janë realizuar, cilat kanë mbetur të pazbatuara dhe çfarë rezultatesh janë arritur.
Te organet ekzekutive raporte për zbatimin e politikave për integritet publikojnë vetëm tre nga 18 institucione. Kjo tregon se ekzistenca e politikës kundër korrupsionit nuk është e njëjtë me llogaridhënien publike për zbatimin e saj. Pa raporte të rregullta është e vështirë të vlerësohet nëse mekanizmat e miratuar japin rezultate konkrete.
Rezultatet e Indeksit tregojnë edhe për dallime të mëdha mes institucioneve. Ministria e Mbrojtjes e ka përmbushjen më të lartë të përgjithshme të indikatorëve në mesin e ministrive me 90,74 përqind, ndërsa te organet ekzekutive më mirë e ranguar është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me 81,65 përqind. Rezultatin më të ulët mes organeve ekzekutive e ka Inspektorati Shtetëror i Transportit, me 29,41 përqind.
Hulumtimi tregon se hapja ende nuk është vendosur aq sa duhet si praktikë e përhershme institucionale, por në masë të konsiderueshme varet nga udhëheqësitë, ndryshimet organizative dhe angazhimi i zyrtarëve të caktuar.
Problem mbetet edhe formati në të cilin publikohen informacionet. Tek Kuvendi një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve ende janë të qasshme ekskluzivisht në formatin PDF, gjë që e kufizon mundësinë për analizën e tyre dhe ripërdorimin e mëtejshëm. Tek pushteti ekzekutiv ministritë përmbushin vetëm 33,34 përqind të indikatorëve për të dhëna të hapura.
Analizat e “Metamorfozis“ tregojnë se institucionet duhet të kalojnë nga përmbushja formale e detyrimeve për transparencë drejt publikimit sistematik, në kohë dhe të kuptueshëm të informacioneve që mundësojnë kontroll publik.
Për qytetarët pyetja qenësore nuk është vetëm nëse institucioni ka uebfaqe funksionale apo sa komunikata ka publikuar. Më e rëndësishme është nëse mund të mësojnë se si janë shpenzuar paratë nga buxheti, mbi bazën e çfarë është marrë një vendim, çfarë ka ndodhur me propozimin e tyre dhe nëse institucioni i ka përmbushur masat e premtuara.
- LEXO: Qeveria e RMV-së e ka shënuar rënie në hapje, Kuvendi nuk heq dorë nga procedurat e shkurtuara
Projektin “Shfrytëzimi i teknologjisë për promovimin e përgjegjësisë dhe transparencës institucionale “ e zbaton Qendra për Tranzicion Demokratik (Mali i Zi) në partneritet me Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, Shoqata Qytetare “Zashto ne?“ (Bosnjë e Hercegovinë) dhe Partnerët për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), me mbështetje financiare të Fondit Kombëtar për Demokraci (NED).