Në Komunën e Bërvenicës sot mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e ri të komunës, ku qytetarët do të zgjedhin midis dy kandidatëve më të votuar nga rrethi i parë që u mbajt para dy javëve. Të drejtë vote kanë 16.256 qytetarë në 24 vendvotime, shkruan Portalb.mk.
Më poshtë i gjeni të gjitha zhvillimet e ditës:
07:00 – Filloi votimi, të drejtë vote kanë 16.256 qytetarë në 24 vendvotime.
Heshtje zgjedhore
Heshtja zgjedhore është në fuqi ende, ajo filloi një ditë para zgjedhjeve.
Heshtja mbaron në ora 19, kur mbyllen kutitë në ditën e votimeve. Kjo nënkupton se propaganda, agjitimi partiak, fushata dhe shkelje tjera të Kodit Zgjedhor janë rreptësishtë të ndaluara.
Gjatë heshtjes zgjedhore informohet për zgjedhjet dhe rrjedhën e votimeve, por ndërpriten të gjitha format e paraqitjes zgjedhore mediatike.
Sipas Kodit Zgjedhor, si shkelje e heshtjes zgjedhore vlerësohet emetimi i informatave të çdo lloji, fotografive, materialeve audio dhe audio-vizuale lidhur me, ose të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhjet, çdo formë të raportimit mediatik të cilat janë në funksion të hapur ose të fshehtë të ndonjë fushate zgjedhore dhe mund të ndikojnë mbi vendimet e votuesve.
Votuan personat e burgosur dhe të pafuqishëm
Dje, 31 tetor, Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve njoftoi se kanë votuar personat e burgosur, ata të sëmurë dhe të pafuqishëm, të drejtën e votës dje e shfrytëzuan 112 qytetarë nga 116 qytetarë sa kishin të drejtë vote.
Rezultatet e rrethit të parë të zgjedhjeve
Në rrethin e parë i cili u mbajt më 18 tetor garuan 6 kandidatë, 4 nga partitë politike dhe 2 të pavarur. Votimi kaloi pa incidente, kutitë e votimit u mbyllën në kohë. Dy kandidatët më të votuar shkuan në rrethin e dytë.
Pse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme?
Zgjedhjet për kryetar të ri të komunës mbahen pasi në qershor ndërroi jetë kryetari i komunës, Jovica Ilievski.
Bërvenica si pikë e nxehtë e zgjedhjeve të kaluara
Në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit të kaluar, Komuna e Bërvenicës ishte një nga komunat më të diskutuara, ndërsa gara mori më tepër karakter etnik, ku përplasje përveç opozitës dhe pozitës, pati edhe midis partnerëve në qeveri.