Qytetarët e Bullgarisë kanë nisur të votojnë këtë të diel në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në një garë mes dy kandidatëve me qëndrime të kundërta për luftën në Ukrainë, pas një sërë sulmesh me dronë ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi. Presidentja Iliana Jotova, e cila favorizon dialogun me Moskën dhe kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën, do të përballet me Andrey Gyurov, bankier dhe ish-kryeministër teknik, i mbështetur nga opozita pro-perëndimore, transmeton Rapporteur.
Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00, ndërsa votimi mund të vazhdojë deri në orën 21:00 në vendvotimet ku ka ende qytetarë në radhë.
Jotova fitoi 35 për qind të votave në raundin e parë javën e kaluar, ndërsa Gyurov mori 32 për qind – një diferencë shumë më e ngushtë sesa epërsia prej 20 pikësh që sondazhet e opinionit ia parashikonin Jotovës.
Raundi i parë në këtë shtet anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s u karakterizua nga pjesëmarrja rekord e ulët, me vetëm 23 për qind të votuesve që morën pjesë.
Analisti politik Teodor Slavev i tha AFP-së se votuesit po jepnin verdiktin e tyre për “reagimin jo bindës të Jotovës ndaj kërcënimeve ruse në Detin e Zi”.
Disa anije u goditën në tetor në Detin e Zi, pranë Bullgarisë, duke lënë 21 persona të zhdukur. Sulmet dyshohet se janë pasojë e përhapjes së konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës përtej kufijve të tij.
Ndërsa kryeministri i qendrës së majtë, Rumen Radev, ka deklaruar se sulmet duket se u shërbejnë interesave ruse dhe ka thirrur ambasadorin rus, qeveria e tij këmbëngul se deri më tani nuk ka prova që i lidhin drejtpërdrejt sulmet me Moskën.
“Duart e sigurta”
Jotova, aleate e kahershme e Radevit, mbështet anëtarësimin e Bullgarisë në BE dhe NATO, por është paraqitur si “presidente e paqes” dhe ka mbrojtur fuqishëm negociatat me Rusinë.
Gjatë një debati televiziv para raundit të dytë, Gyurov e kritikoi Jotovën për faktin se nuk e kishte fajësuar drejtpërdrejt Rusinë për sulmet në Detin e Zi.
“Rusia duhet ta ndalojë agresionin e saj që të mund të ndërmerren hapat e ardhshëm. Le ta emërtojmë shtetin nga i cili vijnë kërcënimet”, tha ai.
Ndërkaq, Jotova këmbënguli se “paqja mund të vijë vetëm përmes negociatave”.
“Të derdhësh më shumë para në Ukrainë, të furnizosh me armë të reja dhe më të sofistikuara, çon vetëm drejt shkatërrimit edhe më të madh dhe vdekjes së shumë njerëzve në të dyja palët”, tha ajo.
Edhe Radev ka argumentuar se “armëpushimi në Ukrainë dhe negociatat për paqe janë garancia e vetme e sigurt për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi”.
Pas raundit të parë të votimit, ai deklaroi se zgjedhjet presidenciale përfaqësonin një zgjedhje mes “paqes dhe luftës”.
“Le të votojmë për Iliana Jotovën, që Bullgaria të jetë në duar të sigurta”, tha ai.
Jotova, ish-gazetare dhe anëtare e Parlamentit Evropian, 62 vjeçe, u zgjodh nënpresidente së bashku me Radevin në vitin 2016 dhe 2021.
Ajo mori detyrën e presidentes këtë vit, pasi Radevi dha dorëheqje për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare.
Dy personalitete, dy drejtime
Nëse fiton në raundin e dytë, ajo do të bëhet gruaja e parë e zgjedhur ndonjëherë presidente në këtë shtet me 6.4 milionë banorë.
Jotova ka premtuar gjithashtu se do të trajtojë “problemin e tmerrshëm të varfërisë” në shtetin më të varfër të Bashkimit Evropian.
Historikisht e afërt me Rusinë, Bullgaria mbetet thellësisht e përçarë sa i përket marrëdhënieve me Moskën.
Gyurov, 50 vjeç, ish-zëvendësguvernator i Bankës Kombëtare të Bullgarisë, e ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Radevit dhe mbështet fuqishëm lidhjet euroatlantike të Bullgarisë.
Pas raundit të parë, Gyurov deklaroi se Bullgaria përballej me një zgjedhje “mes dy personaliteteve, dy drejtimeve dhe dy mënyrave të ushtrimit të kompetencave presidenciale”.
Sociologia Boriana Dimitrova i tha AFP-së se pjesëmarrja e ulët në raundin e parë mund të ketë ardhur si pasojë e bindjes së disa votuesve se “fitorja e Jotovës ishte tashmë e sigurt”, si dhe e pakënaqësisë me koalicionin e Radevit.
Megjithatë, Dimitrova pret pjesëmarrje më të lartë në raundin e dytë, pasi “dallimi mes kandidatëve është jashtëzakonisht i vogël dhe kur gara është e ngushtë, rritet edhe interesi”.
Fushata u karakterizua gjithashtu nga akuzat e opozitës se Radevi kishte përdorur burimet shtetërore dhe zyrën e tij për të bërë fushatë në mbështetje të Jotovës, në kundërshtim me ligjin zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hodhi poshtë këto akuza, por ekipi i fushatës së Gyurovit po e kundërshton vendimin në gjykatë.