Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup vazhdoi dhënia e dëshmive në rastin “Lotaria Shtetërore”, ku ndër të akuzuarit janë edhe ish zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Aleksandar Andonov, drejtor i Sektorit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Lotarinë Shtetërore dhe anëtar i komisionit për prokurimin e terminaleve VLT, gjatë dëshmisë tha sot para trupit gjykues se pajisjet e blera ende nuk janë vënë në përdorim dhe ndodhen në magazinat e Lotarisë, shkruan Portalb.mk.
Andonov foli për procedurën e prokurimit, duke thënë se komisioni kishte gjashtë anëtarë dhe se ofertat ishin shqyrtuar nga aspekti juridik dhe teknik. Në tender, sipas tij, kishin marrë pjesë tre ofertues.
Pas përfundimit të procedurës, sipas tij, ishte bërë edhe kontroll nga Byroja e Prokurimeve Publike. Për vënien në përdorim të pajisjeve, Lotaria kishte kërkuar veprime nga institucionet kompetente, përfshirë DAP-in dhe Ministrinë e Financave.
Megjithatë, Andonov deklaroi se nuk e di pse terminalet nuk janë vënë në përdorim.
Gjatë seancës, ish zëvendëskryeministri Artan Grubi e pyeti dëshmitarin nëse e dinte se plani financiar ishte shqyrtuar në një seancë të Qeverisë katër muaj para miratimit të vendimit, ku seancën e kishte drejtuar ish ministri Fatmir Bytyqi. Andonov theksoi se nuk e di kur ishte mbajtur seanca dhe kush e kishte drejtuar atë.
Seancat e parapara për 8, 15 dhe 16 tetor janë anuluar, ndërsa vazhdimi i gjykimit për këtë rast është caktuar për më 20 tetor.
Ndërkohë, në seancën e kaluar kishte dëshmuar Vllado Petkovski, drejtor i Sektorit për Lojëra të Fatit në Lotarinë Shtetërore. Ai foli për projektet e nisura gjatë kohës sa Përparim Bajrami ishte drejtor i Lotarisë, mes tyre edhe “Novo VLT”, për të cilin tha se ishin blerë terminale VLT, por ato nuk ishin vënë në përdorim. Petkovski kishte thënë se synimi ishte që Lotaria Shtetërore t’i organizonte vetë lojërat elektronike të fatit. Gjatë dëshmisë, ai dha disa përgjigje që nuk përputheshin me deklaratat e dhëna gjatë hetimit, për çka Prokuroria kërkoi që ta marrë në pyetje në mënyrë të kryqëzuar. Gjykata e pranoi kërkesën.
Kujtojmë se, përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.
Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.
Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.