“Paratë ishin personalisht të miat, i mblodha pasi e ndërtuam shtëpinë në vitin 1975 dhe i ruaja për pleqërinë”. Këtë e deklaroi në dëshminë e saj Donka Ristova, nëna e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Gjoko Ristov, në seancën e sotme të procesit gjyqësor që zhvillohet kundër tij për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Bëhet fjalë për 350 mijë euro që u gjetën në murin e kuzhinës gjatë kontrollit të shtëpisë familjare të prindërve të tij në Negotinë, transmeton Portalb.mk.
Ristova u mor në pyetje drejtpërdrejt nga mbrojtësi i gjyqtarit të akuzuar, avokati Zvonko Davidoviq. E pyetur për bastisjet, ajo tha se ato ishin kryer në dy raste, më 29 dhjetor dhe më 18 e 19 janar 2026. Ajo tha se nuk kishte qenë e pranishme në shtëpi gjatë bastisjeve. Herën e parë ndodhej në spital për një operacion, ndërsa në janar ishte në banjë. Gjatë kontrollit më 29 dhjetor, tha ajo, organet hetimore nuk kishin gjetur asgjë. Për bastisjet në janar ajo tha:
“Unë nuk mund të vija, djali i vogël Angeli erdhi nga Shkupi dhe e çoi në shtëpinë në Negotinë. Bastisja zgjati dy ditë. Ditën e parë punuan, kërkuan, por nuk kishte asgjë dhe caktuan që të ktheheshin sërish të nesërmen. Atëherë përsëri bënë bastisje dhe e gjetën vendin tim ku i ruaja paratë. Ishte lart, në zgavrën e sipërme pas tavolinës së punës, frigoriferit. Pllaka ishte ngjitur vetëm në katër vende, vetëm që të mos binte dhe unë gjeta një vend të përshtatshëm, jo që nga viti i kaluar, por që nga viti 1975. Sa herë që më mbetej ndonjë para, meqë pllaka ishte e ndarë, hapej si një dritare e vogël dhe unë i vendosja paratë të mbështjella me folie në vrimat e tullave”.
Ajo tha se aty kishte 350 mijë euro, prej të cilave, sipas saj, 250 mijë euro ishin në prerje prej 50 eurosh, ndërsa 100 mijë eurot e tjera në prerje prej 500 dhe 200 eurosh.
“Ato ishin garancia ime për pleqërinë, për ditë të vështira”, tha ajo.
Ajo tha se paratë i kishin fituar së bashku me bashkëshortin gjatë 57 viteve të martesës së tyre, nga shitja e produkteve bujqësore. Ajo tha gjithashtu se askush nuk dinte për këto para, përveç bashkëshortit të saj. Sipas saj, ajo i mbështillte me folie dhe i fuste mes tullave në mur, pas pllakës. Tha se nuk numëronte se sa para kishte në secilën folie.
“Nga çdo vend ku shisja mallra, ne jemi familje bujqësore, shalqi, pjepër, speca. Kam shkuar në Gornji Milanovac, nuk e di se ku nuk kam shkuar. I mbështillja me letër të bardhë, në një qese najloni dhe i fusja aty”, tha Ristova.
E pyetur se nga i siguronin eurot, ajo tha se paratë fillimisht i kishin pasur në marka gjermane, të cilat më pas i kishin këmbyer në euro.
“Që të mos ishin në prerje më të vogla se 50 euro, bashkë me burrin i këmbenim në prerje më të mëdha, që të mos zinin shumë vend”, tha nëna e Ristovit.
Ajo tha se herën e fundit kishte vendosur para aty në vitet 2023-2024, pasi kishte filluar të kishte probleme shëndetësore. Ajo përsëriti se paratë ishin personalisht të sajat dhe të bashkëshortit të saj, Zdravko, dhe se djemtë e tyre nuk dinin për to. E pyetur pse nuk i kishin mbajtur në bankë, ajo tha se nuk u besonin bankave. Me paratë planifikonin të siguronin akomodim në një shtëpi të të moshuarve, ku, siç tha, kërkonin nga 100 mijë euro për një shtrat. Në pyetjen se gjatë parave ishin gjetur edhe disa shënime, ajo tha se në to shënonte se sa para kishte, në mënyrë që ta dinte. E pyetur nëse mbante një fletore për paratë, Donka Ristova tha se gjithçka që prodhohej dhe shitej ishte e shënuar në fletore. E pyetur nëse Gjoko Ristov u kishte dhënë para që ajo i kishte vendosur në mur, nëna e tij tha – kurrë.
Pas saj dëshmoi edhe bashkëshorti i saj, Zdravko Ristov. Ai përshkroi bastisjet dhe gjithashtu pretendoi se paratë ishin të tijat dhe të bashkëshortes. Edhe ai tha se djemtë nuk dinin për paratë dhe se nuk i mbanin në bankë sepse nuk u besonin as bankave, as shtetit. Megjithatë, ai konfirmoi se në llogaritë bankare kishin shuma të caktuara, si dhe se u kishin ndihmuar financiarisht djemve.
Gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria, Ristova u pyet për paratë që kishin marrë nga shitja e një parcele toke për ndërtimin e një impianti fotovoltaik. Ajo tha se nga ato para nuk kishte vendosur asgjë në mur.
Si Zdravko, ashtu edhe Donka Ristov, u pyetën nga Prokuroria dhe Gjykata se si e shpjegonin faktin që gjatë ekspertizës forenzike nuk ishin gjetur gjurmë të ADN-së së tyre, ndërsa në foliet ishte gjetur ADN e Gjoko Ristovit. Të dy u përgjigjën se nuk besonin se në foliet ishin gjetur gjurmë të djalit të tyre.
Procesi gjyqësor kundër këtij gjyqtari, në shtëpinë familjare të të cilit në Negotinë Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion gjeti të fshehura në mur 350.000 euro të padeklaruara, filloi më 28 maj në Gjykatën Penale të Shkupit dhe ende është në fazën e procedurës së provave.
Shuma e madhe e eurove në kartëmonedha të mëdha në shtëpinë familjare të Ristovëve u zbulua pasi më herët ishte kapur avokati Fehmi Stafa duke marrë 50.000 euro, për të cilat gjatë hetimit kishte deklaruar se ishin për Ristovin.
- LEXO: Gjyqtari i akuzuar Gjoko Ristov do ta marrë edhe pagën e shtatorit, Këshilli Gjyqësor e shkarkoi në fund të muajit
- LEXO: Gjykatësi Gjoko Ristov mohoi fajësinë për 350.000 euro të gjetura në murin e shtëpisë në Negotinë
- LEXO: Ekspertiza biologjike vërtetoi se gjykatësi Gjoko Ristov i ka fshehur personalisht paratë në murin e shtëpisë së prindërve
- LEXO: Nga gjykimi i çështjeve më të mëdha deri te 350.000 euro në mur, kronologjia e karrierës së Gjoko Ristovit