Në seancën e sotme për rastin “Lotaria Shtetërore” ka dëshmuar dëshmitari i parë i propozuar nga Prokuroria, Vllado Petkovski, drejtor i Sektorit për Lojëra të Fatit në “Lotarinë Shtetërore”. Petkovski në gjykatë dha përgjigje që nuk përputheshin me deklaratat e tij gjatë hetimit, për çka Prokuroria kërkoi që ta marrë në pyetje në mënyrë të kryqëzuar. Gjykata e pranoi kërkesën, shkruan Portalb.mk.
Petkovski foli për punën e ish-drejtorit të “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, dhe projektet që u nisën gjatë mandatit të tij. Ndër projektet që ai përmendi ishin “Novo VLT”, “Megawin.mk”, organizimi i pavarur i lojërave elektronike të fatit, si dhe krijimi i tri shoqërive internetike me partnerë privatë.
Për “Novo VLT”, Petkovski tha se shoqëria ishte krijuar për organizimin e lojërave elektronike të fatit dhe se ishin blerë terminale VLT, por projekti nuk kishte filluar punën për shkak të interpretimit autentik të Ligjit për Lojërat e Fatit. Sipas tij, synimi ishte që “Lotaria Shtetërore” t’i organizonte vetë lojërat elektronike dhe fitimi të mbetej në ndërmarrjen shtetërore.
Petkovski deklaroi se kishte marrë pjesë edhe në përgatitjen dhe zbatimin e procedurës për furnizimin me terminale. Sipas tij, për projektet kërkoheshin mendime edhe nga institucionet kompetente.
Ai u pyet edhe për marrëdhëniet mes Bajramit dhe ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Petkovski tha se nuk e di nëse ata kanë qenë miq dhe nuk mund të konfirmojë se kanë pasur komunikim për çështje të “Lotarisë Shtetërore”.
Meqë përgjigjet e tij në gjykatë nuk përputheshin me ato që kishte dhënë gjatë hetimit, Prokuroria kërkoi që Petkovski të merret në pyetje në mënyrë të kryqëzuar. Gjykata e pranoi kërkesën.
Gjatë pyetjeve të kryqëzuara, Petkovski mohoi se kishte qenë i pranishëm në takim mes Bajramit dhe Grubit në një pikë karburanti në Karposh në vitin 2024. Ai gjithashtu tha se nuk ka dijeni që Bajrami t’i ketë thënë se nuk merrte vendime pa dijeninë e Grubit.
Petkovski gjatë hetimit ishte marrë fillimisht në pyetje si i dyshuar, ndërsa më pas u përfshi në listën e dëshmitarëve të Prokurorisë.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 8 tetor.
Ndërkohë, në seancën e kaluar, mbrojtja kundërshtoi pretendimin e Prokurorisë për dëmin prej rreth 9.7 milionë eurosh, duke thënë se kjo shumë paraqet vlerën e aparateve të blera dhe jo para të përvetësuara. Avokati i Përparim Bajramit, Elenko Milanov, tha se aparatet ende ndodhen në “Lotaria Shtetërore” dhe se sot kanë vlerë më të madhe. Ai kundërshtoi edhe pretendimin për “Casinos Austria”, duke thënë se ekskluziviteti i partnerit austriak kishte të bënte me organizimin e lojërave elektronike të fatit dhe jo me blerjen e aparateve.
Në seancë e kaluar u ngrit edhe çështja e deklaratave të pesë anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës. Sipas mbrojtjes, ata fillimisht ishin marrë në pyetje si dëshmitarë, pa praninë e avokatëve, ndërsa më vonë u përfshinë si të akuzuar. Mbrojtja pretendon se në këtë mënyrë u është cenuar e drejta për mbrojtje me avokat.
Prokuroria, ndërkaq, pretendon se të akuzuarit kanë tejkaluar autorizimet zyrtare duke mundësuar blerjen e terminaleve të videolotarisë dhe organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Sipas Prokurorisë, me këto veprime Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm prej rreth 9.7 milionë eurosh.
Kujtojmë se, përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.
Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.
Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.