Prokuroria paraqiti 231 prova në rastin “Lotaria Shtetërore”, Grubi pati vërejtje

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot nisi paraqitja e provave të Prokurorisë në rastin “Lotaria Shtetërore”, ku akuzohen tetë persona, mes tyre ish zv.kryeministri Artan Grubi dhe ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Prokuroria ka paraqitur 231 prova materiale dhe ka propozuar dëgjimin e shtatë dëshmitarëve, shkruan Portalb.mk.

Në mesin e provave të paraqitura nga Prokuroria sot janë dokumente për themelimin e shoqërisë së përbashkët me “Casinos Austria”, vendime të Qeverisë, dokumente për furnizimin me terminale videolotarie, procesverbale dhe materiale nga mbledhjet e organeve drejtuese.

Gjate paraqitjes së dokumenteve që lidhen me mbledhjen e Qeverisë të 6 qershorit 2023, ish zv.kryeministri Artan Grubi, njëri nga të akuzuarit, pati vërejtje lidhur me njërën nga pikat e paraqitura. Gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska i tha se në vazhdim të procedurës do të ketë mundësi t’i paraqesë argumentet e mbrojtjes.

Mbrojtja e të akuzuarve i vlerësoi provat e paraqitura nga Prokuroria si të paqarta dhe kontradiktore.

Sot nuk u dëgjuan dëshmitarët. Prokuroria ka propozuar gjithsej shtatë dëshmitarë, mes tyre edhe drejtorin aktual të Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovskin, të cilët pritet të dëshmojnë në seancat e radhës.

Seanca e radhës është caktuar për 30 shtator. Ndërkaq, në seancën e 18 shtatorit, ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili më 9 shtator u dorëzua vetë në pikën kufitare “Bllacë” pas një periudhe jashtë vendit, u deklarua se nuk ndihet fajtor për akuzat që i ngarkohen. Në të njëjtën seancë, i pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari i tetë, Bashkim Avdiu, i cili kërkoi që aktakuza t’i përkthehej në gjuhën shqipe.

Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.

Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.

“Sa i përket arsyes se përse është ndryshuar kualifikimi – ai është ndryshuar sepse konsideruam se nuk kemi siguruar prova me të cilat do të arrinim ta dëshmonim veprën penale të përvetësimit në shërbim”, tha në një deklaratë për mediat prokurori Daniel Kocev, pas përfundimit të seancës më 7 shtator.

Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.

Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.

Artan GrubiGjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorLënda - rasti "Lotaria"Lotaria e RMVPërparim Bajrami