Reagime për propozim-ndryshimet në Ligjin për mjedisin në RMV: Nuk i zgjidhin problemet, përkundrazi krijojnë te reja

Dje, në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në lexim të parë u shqyrtuan ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit për mjedisin. Tashmë për 13.10.2026 është caktuar seanca e Komisionit për Transport, Transformim Digjital, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, në të cilën Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mjedisin do të jetë në rend dite për lexim të dytë. Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj akuzon se procedura për hartimin e ndryshimeve të Ligjit ishte plotësisht jotransparente, pasi ata nuk kanë marrë kurrë përgjigje për komentet e dorëzuara në mars të vitit 2025, ndërsa Drafti i Ligjit i publikuar në ENER dallon nga Propozim-Ligji i dorëzuar në Kuvend. Për më tepër, thonë ata, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mjedisin nuk i zgjidhin problemet në mbrojtjen e mjedisit, përkundrazi, krijojnë probleme të reja, transmeton Portalb.mk.

“Në vitin 2022 u futën dispozita për trajtimin dhe rehabilitimin e zonave të kontaminuara në shtet. Në këtë mënyrë u krijua një përgjigje sistematike për zonat jashtëzakonisht të ndotura, të cilat prej vitesh shkaktojnë dëme ndaj mjedisit, si dhe shëndetit dhe jetës së njerëzve. Plani për menaxhimin e mbetjeve 2021-2031 identifikon shtatë zona të tilla të kontaminuara. Ndryshimet e propozuara të Ligjit për mjedisin, të cilat tani janë para deputetëve, parashikojnë fshirjen e neneve që krijuan kornizën ligjore dhe përcaktuan përgjegjësitë e institucioneve për rehabilitimin e këtyre zonave të kontaminuara. Nëse miratohen këto ndryshime, në vend që të përmirësohet legjislacioni maqedonas, do të krijohet një zbrazëti ligjore. Kjo do të thotë se në shtet nuk do të ketë të përcaktuar saktësisht se cili institucion ka detyrimin të planifikojë dhe zbatojë aktivitete për trajtimin e pasojave të dëmshme nga këto zona të kontaminuara, në çfarë procedure duhet të zhvillohet e gjithë kjo dhe si duhet të monitorohet zbatimi i masave dhe aktiviteteve. Nëse miratohen ndryshimet e Ligjit për mjedisin, detyrimi për rehabilitimin e zonave të kontaminuara nuk do të jetë më detyrim i detyrueshëm në kontratat e koncesionit me investitorët privatë”, thonë nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj.

Ata shtojnë se gjendje të tilla dhe ndryshimet e propozuara të Ligjit e kthejnë prapa kornizën ligjore për mbrojtjen e mjedisit dhe janë në kundërshtim me vlerat themelore të rendit juridik të Maqedonisë dhe të drejtën për një mjedis të shëndetshëm, të përcaktuara në Kushtetutë. Njëkohësisht, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton harmonizim me Direktivën 2014/52/BE, pasi ajo rregullon një çështje krejtësisht tjetër.

Propozim-Ligji nuk i zgjidh as problemet që dalin nga elaboratet për mbrojtjen e mjedisit, thekson shoqata.

“Dispozitat aktuale ligjore nuk parashikojnë asnjë informim të publikut për projektet për të cilat hartohet elaborat për mbrojtjen e mjedisit, nuk i mundësojnë publikut të japë komente dhe vërejtje për elaboratet, dhe as nuk i mundësojnë t’i kundërshtojë ato përmes mekanizmave juridikë. Përkundrazi, elaboratet miratohen përmes një procedure të mbyllur. Për ilustrim, elaboratet për mbrojtjen e mjedisit hartohen për hidrocentralet e vogla, për impiantet për ruajtjen dhe trajtimin e mbetjeve (si në rastin e Trubarevës), ndërsa ekziston mundësia që elaboratet të hartohen edhe për qendrat e paralajmëruara të të dhënave”, thuhet në reagim.

Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj në vitin 2021 kërkoi që për këto elaborate të publikohen informacione publike, që publiku të mund të japë komente dhe vërejtje dhe të mund t’i kundërshtojë ato përmes mekanizmave juridikë, por nuk mori asnjë përgjigje. Edhe pse shteti në Planin Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur 2024-2026 mori përsipër detyrimin për përmirësimin e elaborateve, kjo nuk u zbatua.

Në vend të kësaj, thonë ata, ndonëse ndryshimet dhe plotësimet aktuale të Ligjit për mjedisin sjellin disa aspekte pozitive sa i përket elaborateve, përsëri nuk e zgjidhin problemin kryesor: publiku sërish nuk do të ketë asnjë informacion për to, dhe as nuk do të mund të japë komente dhe vërejtje apo t’i kundërshtojë ato në gjykata!

Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj më 22 shtator dorëzoi komente në Komisionin për Transport, Transformim Digjital, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, ndërsa më 29 shtator u dërgoi informacione koordinatorëve të të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend lidhur me problemet që do të krijonin ndryshimet e propozuara të Ligjit për mjedisin nëse miratohen.

“Duke pasur parasysh se Kushtetuta, në nenin 8, si vlerë themelore të rendit tonë kushtetues përcakton mbrojtjen dhe përparimin e mjedisit dhe natyrës, ndërsa në nenin 43 rregullon të drejtën për një mjedis të shëndetshëm, u bëjmë thirrje deputetëve të veprojnë në drejtim të realizimit të duhur të këtyre dispozitave kushtetuese. Gjithashtu, kërkojmë nga deputetët të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që u ofron Rregullorja e Kuvendit dhe të caktojnë një debat publik, në të cilin publiku i interesuar do të ketë mundësi të shprehet për ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit për mjedisin”, thuhet në reagim.

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për mjedisin i kritikoi dje edhe organizata qytetare Eko Svest. Nga atje thanë se ndryshimet nuk janë në drejtim të përmbushjes së objektivave të Direktivës 2011/92/BE, por paraqesin ndryshime të pjesshme të neneve, të cilat nuk mund të kontribuojnë në zbatimin e duhur dhe efektiv të ligjit ekzistues për mjedisin dhe legjislacionit evropian.

EkologjiMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut