BDI: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon precedent të rrezikshëm për gjuhën shqipe

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kritikuar vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si precedent që, sipas partisë, rrezikon statusin e gjuhës shqipe dhe sigurinë juridike në vend. Partia thekson se Gjykata Kushtetuese, në vend që ta shqyrtonte çështjen e publikimit të një rregulloreje vetëm në gjuhën maqedonase në raport me detyrimet kushtetuese dhe ligjore për publikimin e akteve edhe në gjuhën shqipe, e ka trajtuar çështjen nga aspekti material i aktit, transmeton Portalb.mk.

“Por pikërisht këtu qëndron problemi: kushtetutshmëria nuk është vetëm përmbajtje. Është edhe procedurë, formë dhe respektim i rregullave kushtetuese për mënyrën se si krijohet dhe hyn në fuqi një akt”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas partisë, Gjykata Kushtetuese në praktikën e saj të mëparshme ka shqyrtuar çështje që lidhen me këto aspekte, ndërsa BDI pretendon se me vendimin e fundit institucioni ka vepruar në kundërshtim me këtë praktikë.

BDI ngre pyetjen se çfarë vlere kanë rregullat kushtetuese për procedurën dhe publikimin e akteve, nëse publikimi në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ligjore nuk mund të jetë objekt i kontrollit kushtetues dhe ligjor.

“Dhe kjo nuk është pyetje vetëm për një rregullore. Është pyetje për gjuhën shqipe, për rendin juridik dhe për sigurinë juridike të çdo qytetari”, thuhet në reagimin e partisë.

BDI vlerëson se nëse një akt mund të publikohet vetëm në gjuhën maqedonase dhe kjo të mos ketë relevancë për kontrollin kushtetues, atëherë lind pyetja se çfarë e garanton që i njëjti standard të mos zbatohet edhe për akte të tjera.

“Gjuha shqipe nuk është dekor kushtetues. Është pjesë e rendit kushtetues”, thekson BDI.

Partia kërkon që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të mos normalizohet dhe relativizohet, duke e konsideruar çështjen si më të gjerë se vetëm një rregullore.

“Është çështje se a vlejnë njësoj Kushtetuta, ligji dhe siguria juridike për të gjithë”, thuhet në fund të reagimit të BDI-së.

Në e djeshme të Gjykatës Kushtetuese në rend dite ndër të tjera ishte edhe Rregullorja për mënyrën e udhëheqjes, formën dhe përmbajtjen e evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme, e miratuar nga ministrja e Arsimit dhe e publikuar në “Gazetën Zyrtare”. BDI reagoi dy ditë më parë se kjo rregullore është kontestuar nga aspekti kushtetues, pasi është publikuar vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse, sipas partisë, ekziston obligim ligjor që të publikohet edhe në gjuhën shqipe

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Gjykata Kushtetuese RMV