Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) deri tani ka kapur 96 krerë bagëti të mëdha në Kriva Pallankë, por ekipet e institucionit në terren po përballen me pengesa serioze, nga terreni i paarritshëm deri te pengesat e drejtpërdrejta nga ish-pronarët e bagëtive, bëjnë të ditur nga AUV për MIA-n.
Nga atje konfirmojnë për agjencinë shtetërore të lajmeve se, në koordinim me të gjitha institucionet kompetente dhe pushtetin lokal, po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme brenda kompetencave ligjore, duke pasur parasysh shëndetin e njerëzve dhe mirëqenien e kafshëve.
“AUV po ndërmerr aktivitete për zgjidhjen e problemit me gjedhet, përkatësisht kapjen e tyre, pavarësisht sfidave me të cilat përballet, si terreni i paarritshëm dhe pengesat nga ish-pronarët. Po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme dhe të qëndrueshme për këtë problem, në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet kompetente, përfshirë edhe pushtetin lokal, me qëllim të ndërmarrjes së përbashkët të aktiviteteve përkatëse dhe gjetjes së një zgjidhjeje brenda kompetencave ligjore të secilit institucion, duke pasur parasysh mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe mirëqenien e kafshëve”, thonë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Ndërsa institucionet po kërkojnë zgjidhje në terren, problemi me lopët që prej vitesh enden lirshëm nëpër rrugët dhe pronat private të qytetit është bërë shkak për akuza të ndërsjella mes kryetarit të Komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovskit, dhe degës lokale të VMRO-DPMNE-së në pushtet.
Përplasje politike për kompetencat
Tensionet u përshkallëzuan pasi Komiteti Komunal i VMRO-DPMNE-së paralajmëroi se do të paraqesë kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Kriva Pallankës, të shoqëruar me një plan veprimi për zgjidhjen më të shpejtë të problemit. Deputeti Emil Spasovski e akuzoi kryetarin e komunës se po u shmanget obligimeve që rrjedhin nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji për Pastërti Publike, sipas të cilave komuna është e obliguar t’i largojë kafshët nga sipërfaqet publike.
“Këtë e di edhe ai, pasi në takimin në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, të mbajtur javën e kaluar, ku ishte i pranishëm, i është bërë e ditur se në përputhje me ligjet, një pjesë e obligimit është edhe e tij. Në vend që të veprojë sipas udhëzimeve dhe të qaset në mënyrë të koordinuar për zgjidhjen e problemit, ai vazhdon që në vend të kryetarit të komunës të sillet si analist dhe të konstatojë se ekziston një problem”, deklaroi Spasovski.
Pas kësaj reagoi kryetari i komunës, Mitovski, i cili përmes rrjeteve sociale tha se nuk e di se me kë duhet të luftojë më parë, “me lopët apo me VMRO-Pallankën”, duke vlerësuar se të dyja janë “pa kontroll dhe pa përgjegjësi”. Duke publikuar vendimet e AUV-së për konfiskimin e bagëtive, ai e akuzoi këtë institucion për hipokrizi dhe mungesë në terren.
“Propozojnë seancë të jashtëzakonshme të Këshillit për të diskutuar për diçka për të cilën Agjencia për Ushqim dhe Veterinari tashmë ka marrë vendime për konfiskimin e bagëtive, por ato nuk po zbatohen! Çfarë hipokrizie! Kjo lojë me vuajtjet e njerëzve është poshtërim për çdo familje që pëson dëme dhe për të gjithë qytetin. Vetëm një gjë nuk e di: me çfarë fytyre do t’i shikoni nesër këta njerëz!?”, shkroi Mitovski në Facebook.
Në debat u përfshi edhe kryetari i Këshillit të Komunës, Mile Trajkovski, i cili theksoi se ende nuk ka arritur kërkesë zyrtare për mbajtjen e seancës, por paralajmëroi se ajo do të pranohet. Ai e ftoi publikisht deputetin Spasovski, së bashku me këshilltarët, që të marrin pjesë në një seancë të hapur menjëherë pas protestës qytetare të paralajmëruar për të shtunën, duke rikujtuar se deputeti më herët nuk ishte paraqitur në seancën e Shtabit të Krizës.
Spasovski sot u kundërpërgjigj me akuza se kryetari i komunës po përhap histeri për ta fshehur pafuqinë e tij, duke theksuar se do të ishte më korrekte të pranonte se nuk mund ta përballojë situatën, në vend që t’i shmanget përgjegjësisë.
Kërkesat e kryetarit Mitovski drejtuar Qeverisë
Para përshkallëzimit të përplasjeve politike, kryetari i komunës, Mitovski, i kërkoi Qeverisë që t’i japë autorizime ligjore për ta koordinuar në mënyrë të pavarur aksionin në terren, pa kërkuar mbështetje financiare apo teknike nga pushteti qendror. Ai premtoi se, nëse merr mekanizmin e nevojshëm ligjor, aksionin do ta realizojë për më pak se dhjetë ditë pune.
Një javë më parë, Mitovski i kishte kërkuar Qeverisë edhe shpalljen e gjendjes së krizës për një periudhë prej 30 ditësh.
Problemi me lëvizjen e pakontrolluar të bagëtive në Kriva Pallankë vazhdon prej vitesh. Gjatë periudhës së kaluar, inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari në disa raste janë përpjekur t’ua konfiskojnë bagëtitë mbarështuesve, babait dhe dy vajzave të tij, por aksionet janë zhvilluar në atmosferë të tensionuar për shkak të pengimit të zyrtarëve në kryerjen e detyrës. Për shkak të këtyre incidenteve, disa nga pronarët janë shoqëruar në polici, ndërsa Prokuroria Themelore Publike në Kriva Pallankë në dhjetor të vitit të kaluar ngriti propozim-akuzë kundër babait dhe dy vajzave për veprën penale – pengim i personit zyrtar në kryerjen e veprimeve zyrtare.
Shteti, para më shumë se një viti e gjysmë, ua konfiskoi zyrtarisht lopët blegtorit Goce Gjorgjievski dhe tri vajzave të tij. Megjithatë, ato janë shtetërore vetëm në letër, shkruante “Prizma” në fund të dhjetorit 2025. Lexo artikullin e “Prizmës”.