Gjatë javës së kaluar në vend janë regjistruar 188 raste me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin, që paraqet rritje prej 22,1 përqind krahasuar me javën paraprake, kur ishin raportuar 154 raste, tregon raporti më i ri i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, kur ishin evidentuar 91 raste, numri i të prekurve është dyfishuar, ndërsa në raport me mesataren e 16 sezoneve të fundit shënohet rritje prej 70,8 përqind. Pavarësisht rritjes, aktiviteti i virusit të gripit në nivel kombëtar ende vlerësohet si i ulët, me përhapje rajonale.
Numri më i madh i rasteve të reja gjatë javës së kaluar është raportuar në Shkup – 40 dhe Kumanovë – 32. Pas tyre vijnë Dibra dhe Radovishi me nga 17 raste, Tetova me 13, Ohri dhe Prilepi me nga 11 dhe Struga me 10 raste.
Numër më i vogël i të prekurve është evidentuar në Strumicë – 8, Manastir – 6, Sveti Nikollë – 5, Resnjë dhe Shtip me nga 4 raste, nga dy raste në Veles, Kavadar, Negotinë dhe Makedonski Brod, si dhe nga një rast në Kriva Pallankë dhe Gostivar.
Sa i përket grupmoshave, numri më i madh i të prekurve është në grupmoshën 15 deri në 64 vjeç – 113 persona. Te personat mbi 65 vjeç janë regjistruar 29 raste, te fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç janë evidentuar 28 raste, ndërsa te fëmijët deri në moshën katërvjeçare janë regjistruar 18 raste.
Nga ISHP-ja informojnë se gjatë javës së kaluar në laboratorin e tyre të virologjisë janë testuar 71 mostra nga mbikëqyrja rutinore dhe ajo SARI, për testim laboratorik paralel për Influenza, SARS-CoV-2 ose RSV, apo në panelin respirator. Nga gjithsej mostrat e testuara, 17 rezultuan pozitive për grip, prej të cilave 13 ishin Influenza A – të paklasifikuara sipas nëntipit, ndërsa 4 ishin Influenza A(H1)pdm09.
Që nga fillimi i sezonit 2026/2027, deri më tani janë regjistruar gjithsej 797 persona të prekur nga gripi, që është 20,4 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në nivel kumulativ, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Tetovë (211), ndërsa incidenca më e lartë është shënuar në Radovish.
Nga ISHP-ja bëjnë të ditur se është në vazhdim imunizimi kundër gripit sezonal, i cili ka filluar më 21 tetor. Sipas të dhënave të Drejtorisë për Shëndetësi Elektronike, deri në raportin e fundit, gjithsej 33.594 persona nga kategoritë e rrezikuara janë imunizuar me vaksina falas. Caktimi i termineve për vaksinim bëhet përmes ueb-faqes vakcinacija.mk.