Në Gjykatën Themelore në Ohër sot u shty seanca e parë e procesit gjyqësor kundër 31-vjeçarit nga Ohri, Kristian Koraboski, i akuzuar për sulmin ndaj 26-vjeçares nga Ohri, Sara Gjorgjieska. Seanca e radhës është caktuar për 1 dhjetor, transmeton Portalb.mk.
Avokati i të dëmtuarës, Gjoko Shain, deklaroi se procesi nuk filloi për shkak të kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit publik përgjegjës për lëndën, si dhe të të gjithë prokurorëve publikë nga Prokuroria Themelore Publike në Ohër.
Mbrojtja kishte kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtares Aleksandra Pop Stefanija dhe gjyqtarit Millço Klisheski, si dhe të kryetarit të Gjykatës Themelore në Ohër, Bojan Martinoski.
Shain bëri të ditur se kërkesat për përjashtimin e gjyqtares Pop Stefanija dhe gjyqtarit Klisheski ishin refuzuar, ndërsa për kërkesën për përjashtimin e kryetarit të Gjykatës Themelore në Ohër duhet të vendosë Gjykata e Apelit në Manastir.
Kërkesa për përjashtimin e prokurorit publik dhe prokurorëve të tjerë nga Prokuroria Themelore Publike në Ohër, sipas arsyetimit të paraqitur në seancë, ishte dorëzuar në prokurorinë e Ohrit pak para fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Deri në marrjen e një vendimi nga prokurori publik më i lartë, asnjëri prej prokurorëve të Prokurorisë Themelore Publike në Ohër nuk mund të veprojë në këtë lëndë.
Shain vlerësoi se kërkesat e mbrojtjes kanë për qëllim zvarritjen e procedurës dhe shmangien e përgjegjësisë nga ana e të akuzuarit.
Kristian Koraboski akuzohet për lëndim trupor, privim të kundërligjshëm nga liria dhe rrezikim të sigurisë. Në procedurën e provave janë përfshirë dokumentacioni mjekësor dhe incizimet video të ngjarjeve.
Koraboskit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas Prokurorisë, ai e ka mbajtur partneren të mbyllur në mënyrë të kundërligjshme, e ka sulmuar dhe i ka shkaktuar lëndime trupore gjatë ushtrimit të dhunës në familje.
Pas denoncimit, e dëmtuara u mor në pyetje në prani të përfaqësuesve të shërbimeve sociale. U krye edhe ekspertizë mjekësore për të përcaktuar llojin dhe natyrën e lëndimeve.
Pas mbledhjes së provave, Prokuroria ngriti akuzë për tri veprat penale dhe kërkoi paraburgim. Gjykata e miratoi kërkesën për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Koraboski u privua nga liria. Më herët, Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë, i kishte caktuar masa kujdesi.
- LEXO: Hetimi për dhunën ndaj 26-vjeçares nga Ohri mund të zgjerohet edhe ndaj babait të autorit
- LEXO: Një muaj paraburgim për dhunuesin e Sarës në Ohër
- LEXO: Në RMV brenda 24 orëve janë paraqitur gjashtë raste të ndryshme dhune në familje
- LEXO: Kallëzim penal dhe arrestim i dhunuesit që e rrahu vajzën në Ohër, babai i saj nën masa kujdes