Banorët e Kriva Pallankës dhe fshatrave përreth sot protestuan duke kërkuar siguri, mbrojtje të pronës dhe zbatim urgjent të vendimeve për marrjen e rreth 1.000 lopëve që lëvizin pa kontroll nëpër qytet dhe shkaktojnë dëme në pronat dhe kulturat bujqësore. Nga MPB, njoftuan se policia vendosi kordon në rrugën magjistrale Kriva Pallankë – Deve Bair dhe në rrugën “Shën Joakim Osogovski”, ndërsa protesta përfundoi pa incidente serioze, shkruan Portalb.mk
Nën moton “Për siguri, për mbrojtjen e pronës dhe për zbatimin e ligjit”, protestuesit kërkuan veprim të koordinuar institucional dhe zgjidhje përfundimtare të problemit, i cili sipas tyre prej kohësh rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe shkakton dëme materiale.
Gjatë protestës, qytetarët e dëmtuar dëshmuan për kulturat bujqësore të shkatërruara, pronat e dëmtuara, humbjet materiale dhe kërcënimet, duke kërkuar siguri për familjet e tyre dhe mundësi për t’i punuar pa pengesa tokat bujqësore.
Kryetari i Komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, tha se do të qëndrojë me qytetarët derisa të zbatohet ligji dhe kafsha e fundit të largohet nga qyteti. Ai rikujtoi se vendimet për marrjen e bagëtive janë miratuar para më shumë se dy vjet e gjysmë, ndërsa kërkoi që institucionet kompetente më në fund të ndërmarrin veprime.
Kryetari i Këshillit të Komunës, Mile Trajkovski, paralajmëroi masa më radikale protestuese nëse institucionet nuk ndërmarrin aktivitete konkrete. Mbështetje për qytetarët shprehën edhe deputetët Lupço Nikollovski nga LSDM-ja dhe Borislav Kërmov nga E Majta.
Protesta vjen pas kërkesës së Shtabit Komunal të Krizës që Qeveria të shpallë gjendje krize për 30 ditë. Më 18 nëntor janë dorëzuar edhe kallëzime penale, ankesë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. Kërkesat kryesore të qytetarëve janë zbatimi urgjent i vendimeve të miratuara, përcaktimi i përgjegjësisë institucionale dhe mbrojtja konkrete e qytetarëve dhe pronës së tyre.
Ndërkohë, një hulumtim i BIRN-it nga dhjetori i vitit 2025 zbuloi se shteti zyrtarisht i kishte marrë bagëtitë nga blegtori Goce Gjorgjievski dhe tri vajzat e tij që para rreth një viti e gjysmë, pas ndryshimeve në Ligjin për Mirëqenien e Kafshëve. Megjithatë, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) figuron si pronare e bagëtive vetëm në dokumentacion, ndërsa në terren situata ka mbetur e pandryshuar. Lopët vazhdojnë të enden pa mbikëqyrje në zonat malore dhe shpesh kalojnë edhe kufirin shtetëror.
Rasti është shoqëruar edhe me një varg procedurash ligjore të pasuksesshme. Një kallëzim policor i vitit 2018 kishte zbuluar një rrjet bashkëpunëtorësh, përfshirë veterinerë dhe kontrollorë shtetërorë, të cilët i kishin mundësuar pronarit të përfitonte në mënyrë të paligjshme subvencione në vlerë prej 70.000 eurosh.
Edhe pse rasti ishte përcjellë në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për vite me radhë nuk ishte hapur hetim. Pas ndryshimeve në Kodin Penal në vitin 2023, vepra penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare kishte parashkruar, ndërsa lënda ishte kthyer në Prokurorinë e Kumanovës.
Pavarësisht vendimeve institucionale dhe procedurave të ndërmarra ndër vite, problemi me bagëtitë në Kriva Pallankë vazhdon, ndërsa qytetarët kërkojnë që institucionet të kalojnë nga vendimet në letër në veprime konkrete.
- LEXO: AUV për problemin me bagëtinë në Kriva Pallankë: Janë kapur 96 krerë, por po përballemi me pengesa nga ish-pronarët
- LEXO: Kriva Pallanka kërkon ndihmën e ambasadave për lopët që enden nëpër qytet
- LEXO: Kriva Pallanka do të paraqesë padi për moszbatimin e vendimeve për konfiskimin e bagëtive
- LEXO: Lopët në rrugët e Kriva Pallankës u bënë lajm botëror, kryetari i komunës kërkoi ndërhyrjen e Qeverisë