Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, shmangu të japë një përgjigje konkrete se përse tabela informuese në hyrje të parkut “Oaza e Butelit” ishte vendosur vetëm në gjuhën maqedonase, pa mbishkrim në gjuhën shqipe, ndonëse në këtë zonë jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. I pyetur nga gazetarët se pse mbishkrimi nuk ishte vendosur edhe në shqip, Kostovski u përgjigj duke folur për ndërtimin e parkut dhe për përbërjen etnike të qytetarëve që e frekuentojnë atë, raporton Portalb.mk.
“Mirë është që të informohemi përpara se të parashtrojmë çfarëdo pyetje, por ajo që dua të them qartë është se asnjë kualifikim politik nuk do ta ndryshojë realitetin e as faktet. Fakt është që dikush në pozitë në të kaluarën planifikonte ndërtime dhe beton prej 50 mijë metrash katrorë, ndërsa ne ndërtuam park, edhe atë me kërkesë të qytetarëve që gravitojnë rreth atij parku, ku përbërja është me prejardhje etnike të përzier”, deklaroi Kostovski.
Ai vazhdoi të flasë për bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Butelit dhe Qytetit të Shkupit për ndërtimin dhe rregullimin e parkut, duke përmendur edhe ndërmarrjen publike “Parqe dhe Gjelbërime”, e cila ishte kontraktore e punimeve. Megjithatë, nuk dha asnjë sqarim se përse institucioni që drejton nuk kishte siguruar që mbishkrimi në tabelën informuese të ishte edhe në gjuhën shqipe.
Kur gazetarët e pyetën përsëri të përgjiget konkretisht se pse tabela nuk ishte vendosur edhe në shqip, në mënyrë që të kënaqeshin edhe ai edhe qytetarët, Kostovski u përgjigj:
“Unë nga zemra uroj që edhe ju të kënaqeni në park. Pyetje të tjera?”, duke shtuar më pas se “U përgjigja tashmë”.
Rasti vjen pas reagimeve të këshilltarëve shqiptarë të AKI-së dhe VLEN-it në Komunën e Butelit, të cilët kërkuan që tabela në hyrje të parkut të plotësohej edhe në gjuhën shqipe. Propozimi i tyre për vendosjen e mbishkrimit në shqip nuk u miratua në Këshillin e Komunës, pas së cilës këshilltarët e të dy subjekteve e lëshuan seancën në shenjë proteste.
Ndryshe, dje tabela informuese në hyrje të parkut “Oaza e Butelit” në Shkup, e cila fillimisht ishte vendosur vetëm në gjuhën maqedonase, tashmë është plotësuar edhe me mbishkrim në gjuhën shqipe. Sipas këshilltarëve të AKI-së në këtë komunë, mbishkrimi është vendosur nga vetë qytetarët.
Këshilltari i AKI-së në Komunën e Butelit, Armend Murseli, tha se ata kishin kërkuar vazhdimisht nga institucionet përgjegjëse që tabela hyrëse e parkut të përmbante mbishkrimin edhe në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase. Megjithatë, sipas tij, pasi institucionet nuk vepruan, qytetarët vendosën ta bëjnë vetë këtë.
“Institucionet përgjegjëse nuk i morën parasysh kërkesat tona për respektimin e dygjuhësisë, prandaj qytetarët vendosën të ndërmarrin këtë hap konkret: në tabelën e Mega Parkut të Butelit të vendosin edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe”, deklaroi Murseli.
Pas këshilltarëve të AKI-së, edhe këshilltarët e VLEN-it në Komunën e Butelit reaguan për mbishkrimin në shqip. Ata e kanë përshëndetur iniciativën e qytetarëve për vendosjen e mbishkrimit, por kanë kërkuar që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë institucionale. Për gjendjen aktuale kanë fajësuar edhe BDI-në, duke thënë se kjo parti gjatë kohës sa ka qenë në pushtet ka lënë zgjidhje gjysmake.
Në një reagim në rrjetet sociale, këshilltarja e VLEN-it në Komunën e Butelit, Albesa Raman, ka shkruar se vendosja e mbishkrimit nga qytetarët nuk e zgjidh problemin dhe nuk e përjashton detyrimin e institucioneve për zbatimin e ligjit.
“E përshëndesim iniciativën e qytetarëve dhe shprehim mbështetjen tonë për çdo nismë që synon zgjidhjen e këtij problemi. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se do të heqim dorë nga kërkesa jonë për një zgjidhje të mirëfilltë institucionale, në përputhje me ligjin. Nismat qytetare i mbështesim, por përgjegjësia për zbatimin e ligjit dhe zgjidhjen e problemit u takon institucioneve kompetente. Vendosja e mbishkrimit në shqip në Parkun “Oaza”, nga qytetarët dhe jo nga institucionet kompetente, nuk e zgjidh problemin dhe nuk e zëvendëson detyrimin ligjor të institucioneve”, ka shkruar Raman.
Portalb.mk raportoi më herët se tabela informuese në hyrje të Mega Parkut në Butel ishte vendosur vetëm në gjuhën maqedonase, pa mbishkrim në gjuhën shqipe. Pas raportimit të Portalb.mk reaguan edhe këshilltarët shqiptarë të AKI-së dhe VLEN-it në Komunën e Butelit, të cilët kërkuan që tabela të plotësohej edhe në gjuhën shqipe.
Ata e ngritën këtë çështje edhe në Këshillin e Komunës së Butelit, por propozimi për vendosjen e mbishkrimit në shqip nuk u miratua. Në shenjë proteste, këshilltarët e AKI-së dhe VLEN-it e lëshuan seancën.
Për këtë rast, nga AKI iu drejtuan edhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, duke kërkuar që të kontrollohet nëse është respektuar Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Inspektorati nisi procedurë për këtë rast, por inspektorët ende nuk kanë mundur të kryejnë inspektim në Qytetin e Shkupit, pasi ky institucion nuk ua ka mundësuar një gjë të tillë.
- LEXO: VLEN Butel për vendosjen e mbishkrimit në shqip te parku: Problemi nuk zgjidhet nga qytetarët, përgjegjësia i takon institucionit
- LEXO: Tabela në parkun e Butelit tani edhe në shqip, AKI tha se e vendosën qytetarët pas injorimit nga institucionet
- LEXO: Tabela pa gjuhën shqipe në Parkun e Butelit ende pa epilog: Inspektorati në pritje të Qytetit të Shkupit, AKI-ja paralajmëroi veprime