Shtatë gra të vrara në vitin 2026, të Rinjtë e HERA-s: Sistemi nuk po arrin t’i mbrojë gratë

Në fillim të fushatës globale “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, të Rinjtë e HERA-s alarmojnë se neglizhenca institucionale në Maqedoninë e Veriut po kushton jetë njerëzish. Para saktësisht një viti, ata paralajmëruan publikisht dhe kërkuan 365 ditë përgjegjësi institucionale në vend të 16 ditëve simbolike. Një vit më vonë, jo vetëm që nuk ka përmirësim, por gjendja është përkeqësuar dukshëm – në vitin 2026 janë vrarë shtatë gra si viktima të femicidit, transmeton Portalb.mk.

“Vrasja e 17-vjeçares Biljana Kiriq nga Bogdanci është dëshmia më e fundit dhe më e dhimbshme se gratë dhe vajzat në vend, madje edhe ato të mitura, mund të humbin jetën edhe kur mbledhin guximin për të denoncuar dhunën. Ky rast nuk duhet të përfundojë si një lajm treditor në rrjetet sociale. Ai duhet të shërbejë si pikë kthese dhe arsye për hetim të hollësishëm të çdo lëshimi institucional. Duhet të ketë përgjegjësi”, thonë nga HERA.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm nga janari deri në shtator të vitit 2026 janë regjistruar 1.337 vepra penale që lidhen me dhunën në familje (me 1.144 gra viktima) dhe 3.869 ankesa (me 2.567 gra viktima). Nga gjithsej 1.388 autorë të raportuar, plot 1.278 janë burra.

“Megjithatë, inkurajimi i grave për të denoncuar nuk ka asnjë kuptim nëse pas sporteleve i pret një sistem i ngadalshëm dhe i papërgjegjshëm. Denoncimi nuk është mbrojtje. Masat e shqiptuara vetëm në letër nuk shpëtojnë jetë, ndërsa gratë nuk duhet të lihen vetëm për ta dëshmuar rrezikshmërinë ndaj tyre derë më derë”, thonë nga HERA.

Ata shtojnë se ndërsa hendeku mes ligjeve të shkruara dhe realitetit në terren po thellohet, vazhdojmë të përballemi me mungesë të shërbimeve të specializuara, strehimoreve, ndihmës juridike falas dhe mbështetjes psikosociale. Mbrojtja mbetet e paarritshme, veçanërisht për gratë nga zonat rurale, gratë rome, gratë me aftësi të kufizuara dhe ato që jetojnë në varfëri. Në të njëjtën kohë, pa rikthimin e edukimit gjithëpërfshirës seksual, shoqëria e humb betejën për parandalim që në bankat shkollore.

“Kërkojmë mbrojtje sot, jo drejtësi pas vdekjes!”

HERA thekson se nuk kërkohet privilegje, por kushte themelore që të mund të jetohet, të lëvizet, të mësohet dhe ta planifikohet e ardhmja pa frikën nga dhuna.

“Duam të jetojmë në një shtet ku institucionet do të na dëgjojnë, do t’u besojnë viktimave dhe do të reagojnë në kohë, në vend që të presin që dhuna të përshkallëzohet. Kërkojmë mbështetje psikologjike, juridike dhe psikosociale të qasshme, falas dhe konfidenciale për çdo viktimë, pavarësisht vendbanimit apo statusit social. Duam rrugë, parqe dhe hapësira publike të sigurta dhe të ndriçuara, si dhe transport publik të sigurt dhe të qasshëm, veçanërisht gjatë orëve të natës”, thonë nga HERA.

HERA më tej kërkon:

  • Shkolla dhe fakultete ku dhuna seksuale, gjinore dhe mes bashkëmoshatarëve nuk do të heshtet, por do të ekzistojnë mekanizma të qartë për denoncim, mbështetje dhe mbrojtje, pa frikën e gjykimit apo hakmarrjes.
  • Rikthimin e edukimit gjithëpërfshirës seksual dhe edukim të vazhdueshëm për barazinë gjinore, por edhe punë serioze profesionale me djemtë dhe burrat që shfaqin sjellje të dhunshme dhe kontrolluese, sepse parandalimi duhet t’i përfshijë edhe ata që ushtrojnë dhunën.
  • Të mund të dalim në mbrëmje pa frikë, t’i përdorim rrjetet sociale pa qenë cak i kërcënimeve, shantazheve dhe poshtërimit, të shkojmë në shkollë dhe fakultet pa frikën e ngacmimeve dhe të dimë se, nëse denoncojmë dhunën, sistemi do të na mbrojë vërtet.

“Nuk duam të jetojmë më në kujdes dhe frikë të vazhdueshme, e as që siguria jonë të varet nga fakti se sa zëshëm do të kërkojmë ndihmë. Duam të jetojmë në një shoqëri ku secila prej nesh do të mund të vendosë lirshëm për jetën e saj, të lëvizë pa frikë dhe ta planifikojë të ardhmen. Siguria nuk duhet të jetë privilegj, por e drejtë e garantuar. Këtë vit nuk ka nevojë për fushata të reja për “ngritjen e vetëdijes”. Publiku e di, gratë denoncojnë, ndërsa sektori civil prej vitesh ofron zgjidhje. Ajo që mungon është një shtet që di të mbrojë. Nuk na duhen edhe 16 ditë të tjera me premtime. Na duhen 365 ditë përgjegjësi institucionale”, thonë nga HERA.

Kujtojmë se sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, në Shkup do të mbahet marsh protestues kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave. Marshi do të nisë në orën 17:00 nga parku “Gruaja Luftëtare” dhe do të përfundojë para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Dhuna ndaj graveDhunë - Dhuna