Për shumë studentë në Maqedoninë e Veriut, edhe rruga deri në fakultet edhe ushqimi mes ligjëratave e rëndojnë buxhetin e tyre. Këtyre shpenzimeve u shtohen librat, tarifa e semestrit dhe, për një pjesë të studentëve, edhe qiraja. Nga 173 studentët që morën pjesë në anketën e Portalb.mk, 145 (83,8%) thonë se nuk i përballojnë shpenzimet mujore. Mbi gjysma shpenzojnë më shumë se 15.000 denarë në muaj për jetesë dhe studime, ndërsa për shumicën familja mbetet burimi kryesor i financimit. Rritja e subvencionit për ushqim dhe bursat më të larta janë dy kërkesat kryesore të studentëve, ja çfarë thonë të dhënat.
Të gjitha të dhënat në këtë analizë bazohen në përgjigjet e studentëve në anketën e Portalb.mk për koston e studimeve në Maqedoninë e Veriut. Ato pasqyrojnë përvojën e këtyre 173 pjesëmarrësve. Prej tyre, 155 ndjekin studime deridiplomike dhe 18 studiojnë në master.
Më shumë përgjigje erdhën nga studentët e Universitetit të Tetovës (70), pasuar nga Universiteti i Evropës Juglindore (36), Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup (31) dhe Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (20). Një pjesëmarrës studion në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, ndërsa 15 zgjodhën përgjigjen “universitet tjetër”.
Sa u kushton një muaj gjatë studimeve?
Kur llogarisin bashkë jetesën dhe studimet, 93 nga 173 studentët (53,8%) thonë se shpenzojnë mbi 15.000 denarë në muaj. Prej tyre, 32 e kalojnë edhe 30.000 denarëshin. Intervali që zgjodhën më shumë studentë ishte nga 5.001 deri në 10.000 denarë, me 40 përgjigje. Gjashtëmbëdhjetë thanë se muaji u kushton deri në 5.000 denarë.
Vetëm 28 studentë (16,2%) thanë se arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet mujore.
Jetojnë me familjen, por sa u kushton rruga për në fakultet?
Dy në tre të anketuar, ose 116 nga 173, jetojnë me prindërit apo familjen. Banesë me qira marrin 28 studentë, prej të cilëve 18 e ndajnë me të tjerë dhe dhjetë jetojnë vetëm. Po aq studentë banojnë në konvikt, 22 në konvikt publik dhe gjashtë në privat. Një pjesëmarrës zgjodhi një formë tjetër banimi.
Për ushqim, 101 të anketuar (58,4%) shpenzojnë mbi 5.000 denarë në muaj. Mes tyre, 35 kalojnë 12.000 denarë dhe 14 kalojnë edhe 16.000 denarë.
Për transport, përgjigjja më e shpeshtë ishte nga 2.001 deri në 4.000 denarë, me 46 studentë. Por 80 të tjerë paguajnë më shumë se kaq, përfshirë 42 që shpenzojnë mbi 6.000 denarë në muaj për udhëtim. Vetëm gjashtë nuk kanë fare shpenzime për transport.
Për 64 studentë, vetëm tarifa e semestrit kaloi 15.000 denarë
Në semestrin e fundit, 64 studentë (37%) kanë paguar mbi 15.000 denarë për participim ose tarifë shkollimi. Kjo ishte përgjigjja më e shpeshtë, e ndjekur nga pagesa prej 6.001 deri në 10.000 denarë, të cilën e raportuan 57 studentë. Tre thanë se nuk kishin paguar tarifë.
Kësaj pagese i shtohen librat, literatura dhe materialet mësimore. Për to, 56 studentë shpenzuan nga 3.001 deri në 5.000 denarë gjatë semestrit. Edhe 58 të tjerë shpenzuan më shumë se 5.000 denarë, përfshirë 16 që kaluan 15.000 denarë.
Kush i mbulon shpenzimet?
Për 120 nga 173 studentët (69,4%), burimi kryesor i financimit janë prindërit ose familja. Për 35, burimi kryesor është puna. Nëntë mbështeten kryesisht te kursimet personale, katër te subvencioni i racionit studentor, tre te bursa të tjera dhe dy te bursa shtetërore.
Gjatë studimeve punojnë 73 studentë të anketuar. Nga këta, 22 punojnë me orar të plotë, 22 me orar të pjesshëm dhe 29 përkohësisht ose në mënyrë sezonale. Edhe puna me orar të plotë nuk ua zgjidh të gjithëve hallin e muajit. Nga 22 studentët e këtij grupi, 17 thonë se nuk i përballojnë shpenzimet. Mes 100 studentëve që nuk punojnë, këtë përgjigje e dhanë 86.
Të pyetur për të ardhurat personale mujore, 122 studentë (70,5%) thanë se nuk kanë të ardhura të tilla. Nga 51 që deklaruan të ardhura, tetë marrin deri në 5.000 denarë në muaj, pesë nga 5.001 deri në 10.000, shtatë nga 10.001 deri në 15.000, dymbëdhjetë nga 15.001 deri në 25.000 dhe 19 mbi 25.000 denarë.
Vetëm 32 të anketuar marrin bursë
Nga 173 pjesëmarrësit, 141 (81,5%) thonë se nuk marrin bursë studentore. Nga 32 përfituesit, 21 marrin bursë shtetërore, dhjetë një lloj tjetër burse dhe një merr më shumë se një bursë.
Përfituesit e përshkruajnë ndryshe vlerën e bursës. Katërmbëdhjetë shënuan shumë nga 6.000 deri në 6.100. Një student shënoi 4.500 denarë në muaj. Për disa të tjerë, bursa është ulje e tarifës së semestrit. Dy përmendën zbritje prej 60% dhe një tjetër prej 40%. Ka edhe përgjigje në euro ose dollarë, ndërsa një përfitues nuk deshi ta tregonte shumën.
Racioni studentor dhe bursat kryesojnë kërkesat
Për 115 studentë (66,5%), masat ekzistuese shtetërore ndihmojnë pak ose aspak në përballimin e shpenzimeve. Prej tyre, 61 u përgjigjën “aspak” dhe 54 “pak”. Njëzet thanë se masat i ndihmojnë deri diku, katër se i ndihmojnë shumë dhe 34 se nuk i njohin mjaftueshëm.
Të pyetur për standardin studentor në vend, 110 pjesëmarrës thanë se nuk janë aspak të kënaqur, 42 janë pak të kënaqur, 18 deri diku dhe tre nuk kanë mendim.
Kur duhej të zgjidhnin një masë që do t’i ndihmonte më shumë, 57 studentë kërkuan rritjen e racionit studentor dhe 47 bursa më të larta. Pas tyre renditen transporti më i lirë (22), ulja e tarifave të studimeve (17), literatura dhe materialet falas (11), mbështetja për qira (7) dhe konviktet me kushte më të mira e më shumë vende (6). Gjashtë pjesëmarrës zgjodhën “tjetër”.
Në përgjigjet e hapura, studentët shpjeguan edhe çfarë do të ndryshonte në përditshmërinë e tyre. Një pjesëmarrës e lidh udhëtimin e përditshëm me faktin se nuk ka siguruar vend në konvikt.
Të tjerë kërkojnë mensë në fakultete ose meny studentore për të ngrënë mes ligjëratave. Disa thonë se u kërkohet të blejnë libra të rinj edhe kur mund t’i huazojnë nga familjarët.
Për bursat, ka studentë që kërkojnë të merret më shumë parasysh gjendja ekonomike e familjes, ndërsa një pjesëmarrës propozon që universitetet t’u mundësojnë praktikë të paguar ose punë me orar të pjesshëm në fushën ku studiojnë.
Dhjetë zëra nga anketa, cilat janë hallet e studentëve?
Për atë se cilat janë hallet e përditshme të studentëve, më poshtë sjellim disa nga deklaratat e tyre nga anketa që realizuam.
“Është udhëtim i përditshëm nga Kumanova në Shkup. Çdo ditë duhet t’i ndaj 400 denarë vetëm për rrugën. Patjetër që duhet të ketë ulje të çmimeve për studentët, të paktën 30%.”
“Pastaj, mos të flasim për literaturën. Një libër është bërë 1.000 denarë. Kemi frikë të shkojmë nëpër librari!”
“Shqetësues është fakti që na detyrojnë t’i blejmë librat të rinj. Në listë shënohet emri i secilit që e blen librin. Blerjen e librit e vënë si kusht. Pa libër nuk mund ta kalosh provimin.”
“Problemi im më i madh financiar si studente është se nuk përfitoj asnjë bursë studentore, për shkak se jam e punësuar dhe marr vetëm pagën minimale. Kjo pagë shpesh nuk mjafton për të përballuar shpenzimet e mia dhe për të ndihmuar familjen, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të familjes.”
“Paradoksi është që, nëse punon, nuk arrin t’u bësh ballë studimeve dhe, nëse nuk punon, nuk arrin t’i mbulosh shpenzimet.”
“Ministrja e Arsimit, në vend që të fotografohet tërë ditën si të ishte ambasadore, të fillojë të punojë, se studentët bëjnë një jetë të mjerueshme. Mund të marrë masa për udhëtimin ose për racionin ushqimor”
“Të na ndihmojnë me transportin ose të na ofrojnë ndonjë zgjidhje tjetër, si subvencione javore apo ndonjë shtesë nga shteti. Për ne që jemi të papunë, do të ishte një ndihmë e vogël.”
“Nuk ka vende pune në fushën që studiojmë. Kudo që aplikoj, më refuzojnë, edhe pse kam kryer trajnime dhe kam mesatare të lartë. Në vendin tim hyn dikush që nuk ka lidhje me fushën, vetëm me një ‘alo’ në parti.”
“Orari i ligjëratave nuk na lejon të punojmë qoftë edhe me gjysmë orari. Unë punoj vetëm gjatë sezonit, kur nuk kemi ligjërata.”
“Me çmim të volitshëm mund të hash shumë gjëra të gatshme, mirëpo jo gjëra cilësore.”
Në pjesën e dytë të ksaj storje do të mund të ndiqni intervistat e shkurtra me tre studentë të cilët folën para kamerës së Portalb.mk për standardin studentor në vend.