10 kompani ndërtimore në RMV në pesë vitet e fundit kanë fituar tenderë me vlerë rreth gjysmë miliard euro

Vlera e kontratave të lidhura për prokurime publike të punëve ndërtimore në pesë vitet e fundit arrin në 1,5 miliard euro. Gjatë kësaj periudhe janë lidhur 9.335 kontrata dhe janë bërë 2.500 ndryshime të tyre. Edhe pse vlera e kontratave për punë ndërtimore është rritur ndër vite, konkurrenca në tenderë është zvogëluar, nga pesë oferta për tender në vitin 2021 në tri oferta për tender në vitin 2025. Vlera e kontratave të dhëna në tenderë pa konkurrencë është rritur tre herë e gjysmë, nga 38 milionë euro në vitin 2021 në 141 milionë euro në vitin 2025, transmeton Portalb.mk.

Rritja e tenderëve me vetëm një ofertues sinjalizon rrezik të shtuar për marrëveshje paraprake, përshtatje të specifikimeve për ofertues të caktuar dhe rezultate të paracaktuara të tenderëve, zbulon hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) për prokurimet publike të punëve ndërtimore në periudhën 2021–2025.

Dhjetë kompani ndërtimore në pesë vitet e fundit kanë fituar tenderë me vlerë rreth gjysmë miliard euro, që përbën pothuajse një të tretën e vlerës së përgjithshme të tenderëve për punë ndërtimore. Në mesin e tyre janë “Stenton Gradba” nga Manastiri, “Zhikol” nga Strumica, “Ilinden” nga Struga, “Granit” nga Shkupi, “Bauer BG” nga Shkupi, “Ju-Baj 2” nga Shkupi, “Bitem” nga Shkupi, “NB-Kompani” nga Tetova, “Lendi Grup” nga Shkupi dhe “Zobek Mining” nga Shkupi.

Te disa autoritete kontraktuese, pjesa më e madhe e mjeteve shpërndahet mes vetëm disa kompanive. Ky përqendrim përbën një sinjal alarmi dhe kërkon verifikim shtesë të nivelit të konkurrencës, si dhe të mënyrës së dhënies dhe realizimit të kontratave.

Një numër i madh i kontratave për punë ndërtimore nuk realizohen në përputhje me kushtet e dakorduara fillimisht, por gjatë zbatimit të tyre zgjaten afatet, rritet vlera dhe ndryshohen vëllimi dhe kushtet e realizimit të punimeve. Kjo praktikë vë në pikëpyetje kuptimin e vetë procedurës fillestare të prokurimit publik dhe rrit rrezikun për marrëveshje paraprake, korrupsion dhe keqpërdorime.

Mbikëqyrja gjithnjë e më shumë kufizohet në konstatimin formal të gjendjes në terren, në vend që të shërbejë për identifikimin, dokumentimin dhe parandalimin në kohë të devijimeve. Garancitë bankare dhe gjobat kontraktuale përdoren rrallë si sanksione për mosrespektimin e kontratave të prokurimit publik.

“Për një pjesë të konsiderueshme të projekteve ndërtimore nuk mund të përcaktohet me siguri statusi i tyre. Ekzistojnë dallime të mëdha mes numrit të kontratave të lidhura dhe numrit të njoftimeve të dorëzuara në sistemin elektronik për realizimin e kontratave. Mungesa e informacioneve në kohë, të sakta dhe të plota e pamundëson ndjekjen dhe kontrollin efikas të realizimit të kontratave, duke bërë që keqpërdorimet të mbeten të pazbuluara”, thekson hulumtimi.

Shpesh, menjëherë pas përfundimit të kontratave, shfaqen mangësi në punët ndërtimore të realizuara, gjë që ngre dyshime për korrupsion gjatë zbatimit të kontratave. Në një pjesë të procedurave të tenderimit vendosen kushte që dukshëm e ngushtojnë rrethin e ofertuesve potencialë. Kërkesat për referenca të shumta dhe specifike, numër të madh të kuadrove të përcaktuara paraprakisht në mënyrë të detajuar, pajisje konkrete, laboratorë në pronësi, baza vetjake për asfalt dhe beton, si dhe kushte të tjera kufizuese mund ta kufizojnë ndjeshëm konkurrencën.

Mbikëqyrja e punëve ndërtimore është shumë e përqendruar te një numër i vogël kompanish. Vetëm 10 kompani përfshijnë 91 përqind të vlerës së përgjithshme të kontratave, ndërsa vetëm dy prej tyre më shumë se 61 përqind. Ky përqendrim është veçanërisht i rrezikshëm, pasi bëhet fjalë për kompani që kanë rol kontrollues ndaj realizuesve të punimeve dhe në pranimin e punëve të kryera. Kur një numër i kufizuar kompanish mbikëqyrin një pjesë të konsiderueshme të kontratave publike ndërtimore, rritet rreziku i varësisë, konfliktit të interesave dhe kontrollit jo mjaftueshëm të pavarur.

Në vitet zgjedhore vërehet vlerë dukshëm më e lartë e tenderëve për punë ndërtimore, veçanërisht në vitet kur mbahen zgjedhje lokale. Përqendrimi i kontratave ndërtimore para zgjedhjeve paraqet rrezik të keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime zgjedhore.

Keqpërdorim tenderiNdërtimtariProkurime (furnizime) publike - tenderë