Bizneset kliente të Alta Bankës nga sot mund t’i përdorin pa kufizime mjetet që u transferohen nga bankat e tjera

Bizneset që kanë llogari në Alta Banka SHA Manastir, nga sot (25 nëntor) mund t’i përdorin plotësisht dhe pa kufizim në shumë mjetet e reja që u transferohen në llogaritë e tyre, me kusht që paratë të jenë transferuar nga llogari pagesore të hapura në banka të tjera dhe te ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave, njoftoi Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut (BPRMV), transmeton Portalb.mk.

Siç bëjnë të ditur nga banka qendrore, kjo do të thotë se personat juridikë do të mund t’i përdorin pa kufizim në shumë mjetet shtesë të pranuara mbi këtë bazë.

“Me qëllim të zgjerimit të mëtejshëm të qasjes në shërbimet bankare për klientët e Alta Bankës SHA Manastir, Banka Popullore njofton se nga sot, 25 nëntor, personat juridikë mund t’i përdorin plotësisht mjetet e reja të transferuara në llogaritë e tyre në Bankë, nëse ato janë transferuar nga llogari pagesore të klientëve të hapura në banka të tjera dhe te ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.

Nga banka qendrore rikujtojnë se kjo mundësi tashmë vlen edhe për personat fizikë, të cilët mund t’i përdorin plotësisht mjetet e reja që u transferohen nga llogaritë në bankat e tjera. Kjo përfshin transferimet mbi të gjitha bazat, përfshirë edhe pagesat e reja të pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale nga institucionet ose kompanitë që kanë llogari në banka të tjera dhe institucione të pagesave.

“Në këtë drejtim, klientët e bankës nuk kanë nevojë të hapin llogari pagesore në një bankë tjetër, pasi do të mund t’i përdorin në tërësi mjetet e pranuara mbi këto baza, përmes shërbimeve bankare elektronike ose mobile, përdorimit të kartelës së pagesës apo tërheqjes së parave të gatshme në sportelet e hapura të Bankës”, bëjnë të ditur nga BPRMV.

Për klientët që përdorin shërbimet bankare elektronike ose mobile vazhdojnë të vlejnë kufizimet e vendosura më herët, përkatësisht limitet deri në 15.000 denarë në javë për klientët me kartela pagesore dhe deri në 20.000 denarë brenda dy javësh për klientët pa kartela pagesore.

Siç sqarojnë nga Banka Popullore, këto limite vlejnë në mënyrë të përbashkët për të gjitha llogaritë e klientit dhe për të gjitha kanalet e pagesave dhe tërheqjes së mjeteve.

Nga banka qendrore shtojnë se vazhdojnë të punojnë filialet e Alta Bankës SHA Manastir në Strumicë, Tetovë dhe Prilep, si dhe ekspozitura në Qendrën Tregtare “Biser” në Shkup. Në këto sportele qytetarët mund të tërheqin para të gatshme brenda limiteve të lejuara, të paguajnë shërbimet komunale, të shlyejnë kreditë dhe të kryejnë transaksione të tjera.

Nga BPRMV thonë se vazhdojnë ta ndjekin me kujdes gjendjen në bankën e Manastirit dhe të ndërmarrin hapa për lehtësimin e qasjes së klientëve në paratë e tyre dhe për zhvillimin e papenguar të qarkullimit pagesor.

Më 16 nëntor, banka qendrore njoftoi se ka filluar procedura për shitjen e paketës dominuese të aksioneve të Alta Bankës SHA Manastir. Paketa përfshin 372.742 aksione të zakonshme, përkatësisht 95,336 përqind të kapitalit të përgjithshëm që i përket bankës amë Alta Banka SHA Beograd, e cila ndodhet në falimentim.

Shitja përmes Bursës së Maqedonisë do të realizohet sipas parimit “gjithçka ose asgjë”, që do të thotë se pronari i ri do të duhet ta blejë të gjithë paketën e ofruar. Ankandi është caktuar për 30 nëntor, ndërsa pjesëmarrjen tashmë e ka paralajmëruar Banka Komerciale.

Pronari Davor Macura u arrestua më 2 nëntor, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe nxjerrje të paligjshme të rreth 380 milionë eurove nga banka. Ai e ka mohuar fajësinë, ndërsa Gjykata e Lartë në Beograd më 4 nëntor i caktoi paraburgim deri në 30 ditë, raporton N1.

Zhvillimet me aksionarin nga Beogradi sollën masa edhe në Maqedoninë e Veriut. Banka Popullore më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në “Alta Banka” SHA Manastir, me arsyetimin se duhet të mbrohen pasuria e bankës dhe interesat e depozituesve deri në ndryshimin e pronësisë.

Banka - BankëBanka Popullore e RMV