Vazhdon mosrespektimi i gjuhës shqipe, tabela informuese në Mega Parkun në Butel vetëm në maqedonisht

Mosrespektimi i gjuhës shqipe në hapësirat publike në Shkup po vazhdon. Kësaj radhe, tabela informuese në Mega Parkun në Butel është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase, duke anashkaluar gjuhën shqipe. Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk se pse mungon gjuha shqipe, ndërsa nga NP “Parqe dhe Gjelbërime” thonë se janë marrë vetëm me rregullimin e gjelbërimit dhe se vendosja e tabelave nuk ka qenë në kompetencën e tyre. Këshilltari i AKI-së, Daim Luçi, paralajmëron ankesë në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, shkruan Portalb.mk.

Mega Parku në Butel, i cili u promovua para disa ditësh, është projekt i Qytetit të Shkupit në bashkëpunim me Komunën e Butelit. Në realizimin e tij është përfshirë edhe Ndërmarrja Publike “Parqe dhe Gjelbërime”.

Portalb.mk iu drejtua me pyetje institucioneve të përfshira në realizimin e projektit, për të marrë sqarime lidhur me mungesën e gjuhës shqipe në tabelë. Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit nuk u përgjigjën, ndërsa nga NP “Parqe dhe Gjelbërime” thonë se janë marrë vetëm me rregullimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe se vendosja e tabelave nuk ka qenë në kompetencën e tyre.

“Ju informojmë se aktivitetet e NP “Parqe dhe Gjelbërime” – Shkup, në kuadër të këtij projekti, kanë të bëjnë me ngritjen, rregullimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra. Vendosja e tabelave informuese nuk është në kompetencën e ndërmarrjes sonë”, thonë për Portalb.mk nga kjo ndërmarrje.

Ndërkaq, këshilltari i Aleancës për Integrim Kombëtar (AKI) në Qytetin e Shkupit, Daim Luçi, thotë se ky nuk është rast i vetëm dhe se gjatë dy viteve të fundit mosrespektimi i gjuhës shqipe është bërë praktikë nga institucionet e Qytetit të Shkupit.

“Gati këto dy vitet e fundit kjo është bërë praktikë nga institucionet e Qytetit të Shkupit, por edhe komunat të cilat udhëhiqen nga partia në pushtet VMRO-DPMNE. Gjuha shqipe shkelet me dy këmbë gjithkund. Jemi edhe këtu në këtë park”, tha Luçi për Portalb.mk.

Luçi bëri të ditur se në seancën e ardhshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit do ta ngritin si çështje. Ai paralajmëroi se do t’i drejtohen edhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, nga i cili do të kërkojnë të ndërmarrë masa.

“Në seancën e ardhshme që e kemi brenda kësaj jave, ne do të kërkojmë zyrtarisht dhe do të dorëzojmë edhe kërkesë në Inspektoratin për Gjuhë, sepse me ligj gjuha shqipe duhet të respektohet kudo ku komunitetet joshumicë përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë. Në këtë rast do t’i drejtohemi edhe Inspektoratit të Gjuhëve, ku do të kërkojmë që të ndërmerren masa”, tha Luçi.

Kujtojmë se, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Butelit jetojnë 14.095 shqiptarë nga gjithsej 37.968 banorë, që përbëjnë rreth 37 për qind të popullsisë rezidente. Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, ajo gjuhë dhe alfabeti i saj janë në përdorim zyrtar, krahas gjuhës maqedonase.

Ky nuk është rasti i parë i mosrespektimit të gjuhës shqipe. Edhe më herët janë evidentuar raste të ngjashme, ndërsa institucionet janë arsyetuar se bëhet fjalë për lëshime teknike që do të korrigjohen.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) Fronti EvropianGjuha shqipeInspektorati i Ligjit të GjuhëveKomuna e ButelitQyteti i Shkupit