Është vendosur në shqip tabela në hyrje të parkut “Oaza e Butelit”, në Komunën e Butelit. Nga AKI deklaruan se pasi institucionet nuk reaguan për respektimin e dygjuhësisë, këtë e bënë qytetarët, transmeton Portalb.mk.
“Institucionet përgjegjëse nuk i morën parasysh kërkesat tona për respektimin e dygjuhësisë, prandaj qytetarët vendosën të ndërmarrin këtë veprim. Në tabelën e megaparkut të vendosin edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe”, tha Armend Murseli nga AKI.
Pas raportimit të Portalb.mk për mungesën e gjuhës shqipe në tabelën informuese të Mega Parkut në Butel të Shkupit, më 3 nëntor kanë reaguar këshilltarët e AKI-së nga opozita dhe VLEN-it nga pushteti, të cilët kërkojnë vendosjen e mbishkrimit edhe në gjuhën shqipe në këtë tabelë.
Këshilltari i AKI-së në Komunën e Butelit, Armend Murseli, në një paraqitje për media kërkoi që institucionet kompetente të ndërmarrin masa për largimin e tabelës aktuale njëgjuhëshe dhe zëvendësimin e saj me një tabelë ku emërtimi “Oaza e Butelit” do të jetë i shkruar edhe në gjuhën shqipe, krahas gjuhës maqedonase.
“Si këshilltarë të Komunës së Butelit dhe të Qytetit të Shkupit, kërkojmë që të ndërmerren masa të menjëhershme për largimin e tabelës aktuale njëgjuhëshe dhe zëvendësimin e saj me një tabelë të re, ku mbishkrimi “Oaza e Butelit” do të jetë edhe në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase”, deklaroi Murseli.
Ai njëkohësisht iu drejtua edhe Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës dhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, duke kërkuar që në kuadër të kompetencave të tyre ta shqyrtojnë rastin dhe të ndërmarrin masa për zbatimin e ligjit.
- LEXO: Tabela pa gjuhën shqipe në Parkun e Butelit ende pa epilog: Inspektorati në pritje të Qytetit të Shkupit, AKI-ja paralajmëroi veprime
- LEXO: AKI dhe VLEN u bashkuan në Butel: Nuk kaloi propozimi për mbishkrimin në shqip te Mega Parku, këshilltarët e lëshuan seancën pas tensioneve
- LEXO: Tabela pa gjuhën shqipe në Parkun e Butelit ende pa epilog: Inspektorati në pritje të Qytetit të Shkupit, AKI-ja paralajmëroi veprime