Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk ka konstatuar shkelje ligjore në regjistrimin e nxënësve në shkollën fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel. Sipas Inspektoratit, regjistrimi është bërë në përputhje me vendimin për rajonizimin e shkollave fillore, ndërsa procedura e inspektimit do të ndërpritet, shkruan Portalb.mk.
“Bazuar në konstatimet e mbikëqyrjes, është përcaktuar se regjistrimi i nxënësve është në përputhje me nenin 5 të Vendimit për rajonizimin e shkollave fillore për regjistrimin e nxënësve, të miratuar nga Këshilli i Komunës së Butelit”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit për Portalb.mk.
Sipas Inspektoratit, shkolla fillimisht ka regjistruar të gjithë fëmijët që i përkasin rajonit të saj. Më pas, janë regjistruar edhe fëmijët që nuk i përkasin rajonit të shkollës dhe as Komunës së Butelit, por që kanë vella ose motër më të madhe që ndjek mësimin në ketë shkollë.
Në përgjigjen e tij, Inspektorati sqaron se për këta nxënës, në dosjet përkatëse janë bashkëngjitur vërtetime që dëshmojnë se vëllai ose motra e tyre është nxënës i rregullt në shkollë.
“Pas përfundimit të regjistrimit të të gjithë fëmijëve që kanë detyrim për t’u regjistruar në shkollën e rajonit të tyre, prindërve që kanë paraqitur kërkesë për regjistrimin e fëmijës së tyre në shkollë, por që nuk kanë vendbanim në rajonin e shkollës (as në Komunën e Butelit), shkolla ka kryer regjistrimin për të gjithë nxënësit që kanë vëlla ose motër më të madhe që vijon mësimin në këtë shkollë. Për këtë, në dosjet e këtyre nxënësve janë bashkëngjitur vërtetime që dëshmojnë se vëllai ose motra e fëmijës që regjistrohet është nxënës/e i/e rregullt në këtë shkollë”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.
Sipas Inspektoratit, kjo mënyrë e regjistrimit është në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor dhe vendimin e Këshillit të Komunës së Butelit.
“E njëjta është zbatuar në bazë të nenit 63, paragrafi 3, të Ligjit për Arsimin Fillor dhe nenit 4 të Vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për përcaktimin e rajoneve të shkollave fillore në Komunën e Butelit për regjistrimin e nxënësve, të miratuar nga Këshilli i Komunës së Butelit me numër 08-748, më datë 27.04.2023”, thuhet në përgjigje.
Inspektorati thotë se regjistrimi i fëmijëve që nuk i përkasin rajonit të shkollës, por kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin aty, është praktikë e konsoliduar që synon t’ua lehtësojë procedurën prindërve.
“Kriteri për regjistrimin e fëmijëve në SHFK ‘Petar Zdravkovski Penko’, të cilët nuk i përkasin rajonit të kësaj shkolle (as Komunës së Butelit), por që kanë vëlla ose motër të regjistruar tashmë në këtë shkollë, është një praktikë e konsoliduar për t’ua lehtësuar prindërve dhe është në kuadër të nenit 53, paragrafi 4, të Ligjit për Arsimin Fillor, si dhe në përputhje me nenin 63, paragrafi 3, të të njëjtit ligj”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.
Inspektorati thotë se, bazuar në gjendjen e konstatuar, nuk ka evidentuar shkelje ligjore dhe për këtë arsye do ta ndërpresë procedurën e inspektimit.
“Bazuar në gjendjen faktike të konstatuar, nuk janë evidentuar shkelje ligjore lidhur me lëndën e mbikëqyrjes. Në përputhje me nenin 68, paragrafi 4, të Ligjit për Mbikëqyrjen Inspektuese, Inspektorati Shtetëror i Arsimit do ta ndërpresë procedurën e inspektimit”, thone nga atje.
Inspektorati gjithashtu thotë se ia ka dërguar Avokatit të Popullit gjetjet nga inspektimi, ndonëse kwta tw fundit më herët i kishin thënë Portalb.mk se ende nuk i kishin pranuar ato.
Kujtojmë se, problemi me paralelen e pestë në gjuhën shqipe u bë publik pasi organet lokale vendosën që njëra nga pesë paralelet e klasës së parë të mos funksionojë. Komuna e Butelit vendosi ta mbyllë paralelen, pavarësisht interesimit të lartë për regjistrim, ndërsa në të njëjtën shkollë funksionojnë paralele në gjuhën maqedonase me numër shumë të ulët nxënësish.
Si arsye nga Komuna u përmend rajonizimi, përkatësisht që nxënësit nga Komuna e Çairit të mos regjistrohen më në shkollat e Butelit, edhe pse disa prej tyre jetojnë vetëm disa metra larg objektit të shkollës.
Pas reagimeve, kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, tha se në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit është vendosur që fëmijët nga komunat e tjera të pranohen në SHFK “Petar Zdravkovski-Penko” vetëm nëse kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin në këtë shkollë. Këtë e njoftoi edhe zv.ministri i Arsimit, Driton Sulejmani.
Megjithatë, me këtë nuk ishte zgjidhur çështja, pasi ata nxënës që nuk kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin aty u detyruan të shkojnë nëpër shkollat e tjera edhe pse jetojnë pranë shkollës.
Reaguan edhe këshilltarët e AKI-së në Komunën e Butelit, të cilët e akuzuan zv.ministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, se po gënjente dhe se paralelja vazhdonte të ishte e mbyllur. Ata kërkuan që Këshilli i Komunës së Butelit ta rishqyrtojë vendimin.
Prinderit e nxënësve që nuk u pranuan në këtë shkollë dorëzuan peticion në Komunën e Butelit dhe në Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për problemin.
- LEXO: Anti-Diskriminimi heton a janë diskriminuar nxënësit shqiptar në shkollën “Penko”, Avokati i Popullit hapi lëndë
- LEXO: S’ka zgjidhje përfundimtare për çështjen e klasave shqipe në “Penko” përkundër njoftimit të Sulejmanit, prindërit me peticion
- LEXO: Fëmijët nga Çairi nuk pranohen në “Penko”, BDI: Është marrë vendim për mbylljen e një paraleleje në gjuhën shqipe
- LEXO: Këshilltarët shqiptarë braktisën seancën në Butel, kundërshuan mbylljen e paraleles shqipe në “Penko”