Ministria e Transformimit Digjital sot lansoi zyrtarisht aplikacionin mobil m.Uslugi, i cili mundëson qasje përmes telefonit mobil në shërbimet publike digjitale dhe dokumentet elektronike të qytetarëve. Në ngjarjen e mbajtur në Filarmoninë e Maqedonisë, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, përfaqësuesve të institucioneve, Bashkimit Evropian, trupit diplomatik, komunitetit akademik dhe të biznesit, si dhe mediave, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, prezantoi aplikacionin dhe demonstroi drejtpërdrejt funksionalitetet e tij të para, transmeton Portalb.mk.
“Kur e nisëm transformimin digjital, qëllimi nuk ishte të krijonim edhe më shumë aplikacione, portale dhe regjistra. Pyetja ishte shumë më e thjeshtë – si ta bëjmë shtetin më të qasshëm për qytetarët. Për shumë njerëz, për një kohë të gjatë shteti nënkuptonte sportele, orar pune, dokumente që mungojnë dhe të dhëna që shteti tashmë i ka, por sërish kërkon nga qytetari t’ia sjellë. Me m.Uslugi fillojmë ta ndryshojmë pikërisht këtë marrëdhënie”, theksoi Andonovski.
Ministri rikujtoi se ideja për m.Uslugi nisi në vitin 2024, pas pjesëmarrjes së tij në samitin Diia në Cyrih dhe njohjes me modelin ukrainas Diia. Koncepti më pas u zhvillua si pjesë e projektit evropian GovTech4All, përmes programit Digital Europe.
m.Uslugi është konceptuar si një pikë e vetme qasjeje përmes telefonit mobil në shtetin digjital, duke përfshirë identitetin digjital, dokumentet elektronike, shërbimet publike dhe njoftimet në një vend, ndërsa në fazat e ardhshme parashihen edhe pagesat e integruara.
Aplikacioni m.Uslugi është falas dhe përdorimi i tij është plotësisht vullnetar. Ai paraqet një kanal shtesë, më të shpejtë dhe më të thjeshtë për qasje në shërbimet publike dhe dokumentet elektronike, pa i shfuqizuar mënyrat e tjera përmes të cilave qytetarët mund të komunikojnë me institucionet. Qëllimi është që çdo qytetar që dëshiron t’i shfrytëzojë përfitimet e shërbimeve digjitale të mund ta bëjë këtë lehtësisht dhe pa kosto shtesë.
Gjatë prezantimit, Andonovski aktivizoi drejtpërdrejt aplikacionin dhe shtoi letërnjoftimin e tij elektronik në portofolin digjital.
“Kjo nuk është fotografi e letërnjoftimit dhe as dokument PDF. Ky është version elektronik i dokumentit në telefonin mobil”, theksoi ministri.
Një nga funksionalitetet e demonstruara ishte mundësia e ndarjes selektive të të dhënave. Në vend që përdoruesi të paraqesë të gjithë dokumentin kur duhet vetëm të dëshmojë moshën, aplikacioni mundëson ndarjen vetëm të informacionit të nevojshëm.
“Nëse pyetja e vetme është nëse një person është madhor, nuk ka nevojë të ndahen adresa, numri i dokumentit dhe të gjitha të dhënat e tjera personale. Identiteti digjital modern nënkupton ndarjen vetëm të të dhënave që janë të nevojshme”, tha Andonovski.
Përveç dokumenteve digjitale, përmes m.Uslugi qytetarët kanë qasje përmes telefonit mobil edhe në shërbimet e para elektronike.
Ministri theksoi se qëllimi nuk është që procedurat ekzistuese administrative vetëm të zhvendosen nga sportelet në telefonat mobilë, por të thjeshtohen në thelb.
“Nëse një procedurë sot ka shtatë hapa të panevojshëm, suksesi nuk është që të krijojmë shtatë hapa digjitalë. Duhet të përcaktojmë se cilët prej tyre mund të eliminohen plotësisht, cilat të dhëna i ka tashmë shteti dhe çfarë mund të shkëmbejnë institucionet në mënyrë të sigurt mes tyre. Ky është digjitalizimi i vërtetë”, theksoi Andonovski.
Ai nënvizoi se m.Uslugi është një fillim dhe jo produkt i përfunduar, ndërsa aplikacioni do të përditësohet vazhdimisht.
Në fazat e ardhshme parashihet futja e pagesave të integruara, mundësia e përdorimit të fotografisë në procedurat ku kjo është e nevojshme, dokumente të reja elektronike si ekstrakte, vërtetime dhe diploma, si dhe zgjerimi i konsiderueshëm i numrit të shërbimeve në dispozicion.
“Nuk do të digjitalizojmë së pari atë që është më e lehtë për administratën. Do të digjitalizojmë atë që u nevojitet më së shumti qytetarëve”, deklaroi ministri.
Andonovski u bëri thirrje institucioneve që të përfshihen aktivisht duke ofruar shërbime të reja dhe duke ndërlidhur sistemet, ndërsa mediave dhe qytetarëve u kërkoi ta testojnë aplikacionin, të evidentojnë mangësitë dhe të propozojnë përmirësime.
“Që nga sot, rrethi i njerëzve që do ta zhvillojnë m.Uslugi bëhet shumë më i madh. Institucionet le të shtojnë shërbime dhe të propozojnë përmirësime. Mediat le ta testojnë, le të na kontrollojnë dhe të na kritikojnë kur diçka nuk funksionon. Qytetarët le ta përdorin, të na tregojnë çfarë u mungon dhe të na ndihmojnë ta bëjmë më të mirë. Dhe shpresoj që ta shijojnë kur t’u kursejë kohë, nerva dhe vajtje të panevojshme nëpër institucione”, theksoi Andonovski.
Ai falënderoi ekipin e Ministrisë së Transformimit Digjital, ekipet zhvillimore dhe partnere, institucionet e përfshira në integrimin e sistemeve, përdoruesit testues, si dhe partnerët ndërkombëtarë që ndanë përvojat e tyre në zhvillimin e shërbimeve digjitale shtetërore.
Ministri Andonovski shprehu mirënjohje të veçantë për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ministrin Pançe Toshkovski për bashkëpunimin dhe mbështetjen në ndërlidhjen e sistemeve dhe mundësimin e dokumenteve të para elektronike në m.Uslugi.
“Ky projekt tregon se shteti digjital mund të funksionojë vetëm kur institucionet punojnë së bashku, ndërlidhin regjistrat e tyre dhe e vendosin shërbimin ndaj qytetarit përpara kufijve institucionalë”, theksoi Andonovski.
Falënderime iu drejtuan edhe Bashkimit Evropian, i cili e mbështeti financiarisht projektin përmes programit Digital Europe, si dhe kryeministrit Hristijan Mickoski për mbështetjen në realizimin e tij.
Sipas Andonovskit, suksesi i m.Uslugi nuk do të matet vetëm me numrin e shkarkimeve të aplikacionit, por mbi të gjitha me kohën që do t’u kursehet qytetarëve, numrin e hapave të panevojshëm administrativë që do të eliminohen dhe numrin e shërbimeve që do të mund të përfundojnë tërësisht në mënyrë digjitale.
“Transformimi digjital nuk është i suksesshëm vetëm pse administrata përdor teknologjinë. Ai është i suksesshëm kur qytetari ndien se shteti është bërë më i thjeshtë për të. m.Uslugi sot nuk është fundi i këtij procesi. Ky është fillimi. Që nga sot fillojmë ta ndryshojmë atë që qytetari duhet të presë nga shteti i tij – një shtet më të afërt, më të thjeshtë dhe më të qasshëm”, përfundoi ministri Andonovski.