Me rishikimin e buxhetit shkurtohen mjetet për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Shkup

Me rishikimin e buxhetit janë shkurtuar një pjesë e mjeteve që vendi i ka në kuadër të linjës kreditore të Bankës Evropiane të Investimeve, të dedikuara për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka mjete për impiantin, siguron ministri Muhamet Hoxha.

“Të gjitha mjetet që duhet t’i paguajmë deri në fund të këtij viti i kemi në dispozicion në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht në buxhetin e ministrisë sonë”, tha ai.

Hoxha u përgjigj në pyetjet e gazetarëve pas konferencës së sotme për media në Qeveri, ku u paralajmërua digjitalizimi dhe monitorimi digjital i problemeve mjedisore në vend.

Për momentin fekalet e banorëve të kryeqytetit shkarkohen të patrajtuara drejtpërsëdrejti në lumin Vardar, ndërsa në Saraj janë ndërtuar stacione më të vogla për trajtimin e ujërave të ndotura për lumin Treska dhe në Novo Sellë për lumin Lepenci, përmes të cilave duhet të trajtohen ujërat e ndotura nga vendbanimet që gravitojnë rreth këtyre lumenjve.

Kujtojmë se Ndërmarrja Publike Sistemi i Kolektor-Shkup në vitin 2024 faturoi vetëm 33% të ujit të pastruar të shkarkuar, dhe me detyrime të akumuluara prej 493,108 mijë denarësh, ose më shumë se 8 milionë euro, dhe një llogari të bllokuar që nga themelimi i saj, ndërmarrja përballet me sfida serioze financiare, likuiditet të reduktuar dhe rreziqe për qëndrueshmërinë e operacioneve, zbuloi Enti Shtetëror i Revizionit në raportin financiar së bashku me revizion të pajtueshmërisë në Ndërmarrjen Publike Sistemi Kolektorik – Shkup, për vitin 2024.

Rebalanci i buxhetitShkupi