Anti-Diskriminimi heton a janë diskriminuar nxënësit shqiptar në shkollën “Penko”, Avokati i Popullit hapi lëndë

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka nisur të shqyrtojë rastin lidhur me mënyrën e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë me mësim në gjuhën shqipe në SHFK “Petar Zdravkovski–Penko” në Butel të Shkupit, ku si kriter për regjistrimin e filloristëve është përdorur fakti nëse nxënësit kanë motër ose vëlla të regjistruar në këtë shkollë, shkruan Portalb.mk.

Në Komisionin kundër Diskriminimit është dorëzuar edhe një ankesë lidhur me ketë rast, ndërsa nga atje thonë se tashmë po veprohet në kuadër të kompetencave ligjore që ka Komisioni.

“Komisioni i Parandalimit dhe i Mbrojtjes nga Diskriminimi po e ndjek rastin lidhur me mënyrën e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë me mësim në gjuhën shqipe në SHFK „Petar Zdravkovski–Penko“ në Komunën e Butelit. Lidhur me pretendimet e paraqitura, ju informojmë se pranë Komisionit tashmë është dorëzuar edhe një ankesë që ka të bëjë me këtë rast konkret, për të cilën Komisioni po vepron në kuadër të kompetencave të tij ligjore”, thonë nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojten nga Diskriminimi për Portalb.mk.

Nga Komisioni theksojnë se, nëse ka pasur diskriminim gjate pranimit të nxënësve në këtë shkollë, mund të bëhet vetëm pasi të përcaktohen të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit dhe të shqyrtohet mënyra se si është zbatuar kriteri në praktikë.

“Në këtë fazë, Komisioni nuk mund të deklarohet paraprakisht nëse zbatimi i kriterit sipas të cilit përparësi gjatë regjistrimit kanë fëmijët që kanë vëlla ose motër tashmë të regjistruar në këtë shkollë përbën diskriminim. Vlerësimi nëse ekziston apo jo diskriminim do të bëhet pas përcaktimit të plotë të fakteve dhe rrethanave relevante të rastit, si dhe pas shqyrtimit të legjislacionit dhe akteve nënligjore në fuqi dhe mënyrës së zbatimit të tyre në rastin konkret”, deklaruan nga Komisioni kundër Diskriminimit.

Komisioni paralajmëron se pas përfundimit të procedurës dhe përcaktimit të plotë të gjendjes faktike do të nxjerrë një mendim në përputhje me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Avokati i Popullit hapi lëndë për shuarjen e paraleles

Avokati i Popullit me vetiniciativë ka hapur lëndë. Siç mëson Alsat, shërbimet e Avokatit të Popullit kanë kërkuar që Inspektorati Shtetëror i Arsimit të kryejë inspektim, ndërsa kanë kërkuar të dhëna edhe nga Ministria e Arsimit, por edhe nga Komuna e Butelit.

Nga zyra e Avokatit të Popullit theksojnë që presin që gjatë javës së ardhshme t’i marrin përgjigjet nga institucionet dhe pastaj do të verifikojnë nëse janë cenuar të drejtat e nxënësve për regjistrim në Penko.

Akuza partiake, peticioni i prindërve

Problemi me paralelen e pestë në gjuhën shqipe u bë publik pasi organet lokale vendosën që njëra nga pesë paralelet e klasës së parë të mos funksionojë. Si arsye u përmendën numri i nxënësve dhe rajonizimi.

Më pas, zv.ministri i Arsimit, Driton Sulejmani, njoftoi se çështja ishte zgjidhur, por pa bërë të ditur se cila ishte zgjidhja. Detajet e marrëveshjes i bëri publike më pas kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili deklaroi se, në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, është vendosur që fëmijët nga komunat e tjera të pranohen në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski – Penko” vetëm në rastet kur kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin në këtë shkollë.

Pastaj reaguan dhe këshilltarët e AKI-së në Komunën e Butelit duke e akuzuar zv.ministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, se po gënjente dhe se paralelja vazhdonte të jetë e mbyllur.

Pas reagimeve të këshilltarëve të AKI-së, doli me qëndrim edhe zv.ministri Sulejmani. Ai deklaroi se paralelja e pestë në gjuhën shqipe në “Penko” nuk ishte mbyllur, pasi, sipas tij, edhe gjatë vitit të kaluar në këtë shkollë kishte vetëm katër paralele në klasën e parë.

Kujtojmë se, prinderit e nxënësve që nuk janë pranuar në këtë shkollë kanë dorëzuar peticion në Komunën e Butelit dhe në Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për problemin. Sipas prindërve, deri tani janë pranuar vetëm nxënësit që kanë vëlla ose motër të regjistruar në SHF “Petar Zdravkovski – Penko”, ndërsa fëmijët e tjerë nuk janë pranuar.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, në vitin shkollor 2024-2025, në Komunën e Butelit kishte gjithsej 5 276 nxënës, prej të cilëve 2 971 shqiptarë. Ndërsa, në SHF “Petar Zdravkovski – Penko” mbi 90 për qind e nxënësve janë shqiptarë.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) Fronti EvropianDriton SulejmaniKomisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi RMVKomuna e ButelitMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristëShkolla Fillore "Penko" ButelTë rinj - Rini - Rinia