Katër persona të arrestuar në lidhje me dy vrasjet në Shkup

Katër persona janë arrestuar në lidhje me dy vrasjet e personave të moshuar në Gjorçe Petrov, të cilat ndodhën brenda një periudhe prej pesë ditësh. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ata dyshohen për veprën penale të grabitjes me pasojë vdekjen. Bëhet fjalë për personat A. S. (22), H. E. (20), K. A. (58) nga Shkupi dhe M. R. (26) nga Strumica, transmeton Portalb.mk.

“Në koordinim dhe pas urdhrave të lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, me qëllim kompletimin e të gjithë materialit provues për procedurën e mëtejshme, për personat është kërkuar ndalim afatshkurtër, në përputhje me nenin 170, në lidhje me nenin 165 të Ligjit për Procedurën Penale, pas së cilës do të paraqitet kallëzim përkatës penal”, njoftuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Dy vrasje të personave të moshuar ndodhën brenda pesë ditësh në komunën e Gjorçe Petrovit në Shkup. Në të dyja rastet u konstatua vdekje e dhunshme.

Në rastin e parë, më 22 tetor, një burrë 62-vjeçar u gjet i vdekur në shtëpinë e tij, ndërsa mjeku konstatoi vdekjen me shenja dhune.

Dje, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ishte raportuar edhe vdekja e një gruaje 76-vjeçare, po ashtu në shtëpinë e saj në Gjorçe Petrov. Edhe në trupin e saj kishte shenja të dukshme dhune.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Vrasje - Ekzekutim