Këshilltarët e Aleancës për Integrim (AKI) në Komunën e Butelit kanë reaguar lidhur me situatën me regjistrimin e nxënësve shqiptarë në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel të Shkupit, duke akuzuar zv. ministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, se ka dhënë informacion të pasaktë për zgjidhjen e problemit, shkruan Portalb.mk.
Sipas tyre, problemi nuk është zgjidhur, paralelja vazhdon të jetë e mbyllur, si dhe regjistrimi i nxënësve është realizuar vetëm pjesërisht, ndërsa si kriter është përdorur fakti nëse nxënësit kanë motër ose vëlla të regjistruar në këtë shkollë.
“Sot jemi para jush sepse zv. ministri i Arsimit gënjeu, paralelja u mbyll dhe problemi mbetet i pazgjidhur. Pak ditë më parë, zv. ministri i Arsimit, Driton Sulejmani, doli me deklaratë, duke njoftuar opinionin se ishte arritur zgjidhje për çështjen e paraleles në gjuhën shqipe në SHF “Petar Zdravkovski – Penko” dhe se ishte garantuar mosmbyllja e paraleles dhe regjistrimi i nxënësve shqiptarë. Por faktet flasin ndryshe, paralelja u mbyll dhe problemi mbetet i pazgjidhur. Sot, disa ditë pas publikimit të atij njoftimi, faktet dëshmojnë një situatë krejtësisht ndryshe. Regjistrimi i nxënësve u realizua vetëm pjesërisht, duke u bazuar në kriterin e vetëm të faktit nëse nxënësit kishin motër ose vëlla të regjistruar në paralelet e kësaj shkolle”, tha Linkest Lumani, këshilltar i AKI-së në Komunën e Butelit.
Këshilltarët e AKI-së kërkojnë që të respektohet vendimi për rajonizimin e shkollave, konkretisht neni 7, i cili, sipas tyre, mundëson regjistrimin e nxënësve edhe nga komuna të tjera, nëse ata i përkasin rajonit ku ndodhet shkolla.
“Kërkojmë të zbatohet neni 7 i vendimit për rajonizimin e shkollave, i cili e përcakton qartë se mund të regjistrohen nxënës edhe nga komuna të tjera, por që janë në rajonin ku gjendet shkolla”, deklaroi Lumani.
Kujtojmë se, ditë më parë, zv. ministri i Arsimit, Driton Sulejmani, njoftoi se problemi me paralelen në gjuhën shqipe në SHF “Petar Zdravkovski – Penko” ishte zgjidhur, por nuk tregoi se cila ishte zgjidhja. Më pas, kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, sqaroi se, në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, ishte vendosur që fëmijët nga komunat e tjera të mund të regjistrohen në “Penko” vetëm nëse kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin në këtë shkollë.
Ndërkohë, prindërit e nxënësve që nuk janë pranuar në këtë shkollë kanë dorëzuar peticion në Komunën e Butelit dhe në Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për problemin. Sipas prindërve, deri tani janë pranuar vetëm nxënësit që kanë vëlla ose motër të regjistruar në SHF “Petar Zdravkovski – Penko”, ndërsa fëmijët e tjerë nuk janë pranuar.
Ndryshe, problemi me paralelen e pestë në gjuhën shqipe u bë publik pasi organet lokale vendosën që njëra nga pesë paralelet e klasës së parë të mos funksionojë. Si arsye u përmendën numri i nxënësve dhe rajonizimi.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, në vitin shkollor 2024-2025, në Komunën e Butelit kishte gjithsej 5 276 nxënës, prej të cilëve 2 971 shqiptarë. Ndërsa, në SHF “Petar Zdravkovski – Penko” mbi 90 për qind e nxënësve janë shqiptarë.
- LEXO: Fëmijët nga Çairi nuk pranohen në “Penko”, BDI: Është marrë vendim për mbylljen e një paraleleje në gjuhën shqipe
- LEXO: Këshilltarët shqiptarë braktisën seancën në Butel, kundërshuan mbylljen e paraleles shqipe në “Penko”
- LEXO: Fillimi i vitit shkollor e gjen RMV-në me klasa të zbrazëta, masa të reja nga 1 shtatori