Qeveria planifikon të investojë në dy rrugë të reja ekspres që do ta lidhin Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë, përkatësisht në relacionet Koçan–Vinicë–Dellçevë dhe Radovish–Strumicë–Novo Sellë, ndërsa realizimi i projekteve varet nga sigurimi i financimit. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili gjithashtu paralajmëroi vazhdimin e projekteve hekurudhore përgjatë Korridorit 8 dhe ftoi kompanitë gjermane të marrin pjesë në tenderin për fazën e tretë të lidhjes hekurudhore me Bullgarinë, transmeton Portalb.mk.
“Po realizojmë agjendën ambicioze që kemi për zhvillimin infrastrukturor të vendit. Po ndërtojmë autostrada dhe hekurudha të reja, duke krijuar kushte konkurruese për tërheqjen e investitorëve të rinj, por njëkohësisht po përpiqemi t’i mbajmë edhe investitorët ekzistues”, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në takimin me Dhomën Ekonomike Gjermane dhe Shoqatën Ekonomike Maqedonase-Gjermane.
“Përpiqemi, aq sa kemi mundësi, t’i ndihmojmë investitorët e huaj të drejtpërdrejtë që të kenë një klimë sa më të favorshme në vend. Gjithashtu, dëshirojmë të motivojmë edhe investitorë të rinj që të vijnë. Sa u përket planeve për të ardhmen, kemi një fushatë mjaft ambicioze investimesh në infrastrukturë, e cila tejkalon ndjeshëm një përqindje të arsyeshme të investimeve në raport me bruto prodhimin vendor ose gjendjen e buxhetit. Nëse i shikoni investimet kapitale nga buxheti, apo ato që realizohen nga ndërmarrjet publike në pronësi të plotë shtetërore, do të shihni se pjesa më e madhe lidhet pikërisht me këtë sektor”, u tha Nikolloski kompanive të pranishme.
Ai shtoi se po punohet për lidhjen hekurudhore të Korridorit 8 dhe për ndërtimin e segmenteve të autostradave përgjatë korridoreve, ndërsa paralajmëroi edhe ndërtimin e rrugëve të reja ekspres.
“Për momentin kemi një thirrje për seksionin e tretë të lidhjes hekurudhore me Bullgarinë. Tenderi është publikuar nga Departamenti i Prokurimit Publik i Bashkimit Evropian, pra në mënyrën më transparente të mundshme. Afati zgjat katër muaj. E kemi vendosur qëllimisht një afat më të gjatë, në mënyrë që më pas të mos ketë arsyetime se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për përgatitjen e ofertës brenda një apo dy muajve. Presim që në këtë tender të marrin pjesë edhe kompanitë gjermane.
Në bashkëpunim me BE-në, në kuadër të Planit të Rritjes, po punohet për zhvillimin e krahut qendror të Korridorit 8. Faza e parë përfshin rikonstruktimin dhe modernizimin e hekurudhës në relacionin Shkup–Jegunovcë–Tetovë–Gostivar. Faza e dytë përfshin relacionin Gostivar–Kërçovë, ndërsa faza e tretë parasheh ndërtimin e një segmenti krejtësisht të ri, i cili aktualisht nuk ekziston dhe që do të kalojë në relacionin Kërçovë–Ohër–Strugë–kufiri me Shqipërinë.
Gjithashtu, pres që vitin e ardhshëm, nëse sigurojmë financimin, të kemi dy projekte të mëdha në pjesën lindore të vendit: dy rrugë të mëdha ekspres që do të na lidhin me Republikën e Bullgarisë. Njëra do të kalojë në relacionin Koçan–Vinicë–Dellçevë–kufiri me Bullgarinë, ndërsa tjetra në relacionin Radovish–Strumicë–Novo Sellë–kufiri me Bullgarinë. Këto janë mundësi shtesë që po hapen përpara nesh”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.