Zhdukën gati tetë tonë kanabis mjekësor në RMV, kallëzim penal ndaj një kompanie dhe drejtuesit të saj

SPB Strumicë ka ngritur kallëzim penal kundër një personi juridik nga fshati Borisovë i Strumicës dhe kundër drejtuesit të tij, V.K., pasi gjatë një kontrolli u konstatua se mungonin mbi 7,8 tonë lule të thata të kanabisit mjekësor, pa dokumentacion dhe mbulim përkatës ligjor, transmeton Portalb.mk.

Të kallëzuarit ngarkohen për vepra penale sipas nenit 95-v të Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope. Kallëzimi është paraqitur kundër kompanisë së regjistruar në fshatin Borisovë, Komuna e Novo Sellës, si dhe kundër drejtuesit të saj, V.K., nga Novo Sella, me vendbanim në Strumicë.

Parregullsitë u konstatuan gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm në ambientet ku ruhej lulja e thatë e bimës. Inspektimin e kryen zyrtarë policorë të SPB-së së Strumicës, së bashku me përfaqësues të komisionit kompetent pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë kontrollit u konstatua se në depo mungonin saktësisht 7.813,49 kilogramë lule të thata të kanabisit mjekësor, sasi për të cilën personi juridik nuk kishte asnjë mbulim apo evidencë ligjore.

Përveç mungesës së lëndës së parë, organet kompetente konstatuan edhe lëshime serioze në mbajtjen e dokumentacionit të detyrueshëm të kompanisë, përfshirë parregullsi që lidhen me personelin e angazhuar në objekt.

Drogë - lëndë narkotikeKontrabandë Trafikim me drogëMarihuana KanabisStrumica