Hoxha: Leja e re për “Titan-Usje” do të bazohet në parametrat e ligjit të ri, premtoj procedurë transparente

Janë në zhvillim procedurat standarde për rinovimin e lejes së integruar A për “Titan-Usje”, tha sot ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se sipas cilit ligj do të jepet leja për Usjen, ministri u përgjigj:

“Leja e re për Usjen do të jetë me parametra të ligjit të ri, i cili hyn në fuqi në shtator të vitit 2027. Premtoj se e gjithë procedura do të jetë transparente dhe publiku do të informohet gjatë gjithë kohës për të gjitha procedurat që do të zhvillohen gjatë rinovimit të lejes.”

Fabrika e çimentos, në fund të muajit maj, kërkoi nga ministria përkatëse t’ia rinovojë lejen. Procesi po ndiqet me vëmendje nga eko-aktivistët, të cilët gjatë periudhës së fundit, edhe përmes protestave, kanë bërë të ditur se po e monitorojnë procesin dhe akuzojnë se kompania kërkon të vazhdojë të punojë me vlerat e vjetra kufitare të ndotjes.

Të premten u mbajt një debat publik, në të cilin morën pjesë qytetarë, anëtarë të shoqatave ekologjike dhe qytetare, përfaqësues të kompanisë, si dhe të institucioneve kompetente. Atje, nga Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë “Megjashi”, pyetën nëse mund të garantohet se fëmijët që jetojnë përreth fabrikës së çimentos “Usje” nuk janë të ekspozuar ndaj ndotjes nga substancat toksike, ndërsa nga Ministria e Mjedisit Jetësor u thanë se do t’u përgjigjen me shkrim.

Nga nisma qytetare “Stop për USJE” thanë se as me lejen e re nuk do të ndryshojë asgjë, pasi lejohen vlera të larta. Ata thonë se askund nuk është shkruar në mënyrë eksplicite se leja do të jepet sipas ligjit të ri.

Përfaqësues të kompanisë në debatin publik prezantuan mënyrën se si punojnë, duke pohuar se respektojnë standardet evropiane dhe se kontrollohen nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

Ndryshe, leja e re e integruar – A për Fabrikën e Çimentos “Usje” do të jetë sipas rregullave të vjetra, e jo sipas ligjit të ri, sepse në kërkesën e kompanisë janë shënuar vlera kufitare vetëm për tre ndotës dhe ato janë identike me ato në lejen e vjetër dhe në të njëjtën kohë deri në tetë herë më të larta se standardet ekzistuese në BE, paralajmëruan ditë më parë nga iniciativa qytetare “Stop për Usjen”. Në Shkup ata organizuan marshim nga Kuvendi deri tek Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor për ta tërhequr vëmendjen drejt procedurës për rinovimin e lejes së funksionimit të fabrikës së çimentos.

Kujtojmë se afati ligjor për paraqitjen e vërejtjeve në lidhje me lejen e USJE-s ishte deri më 22 qershor.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Muhamet HoxhaUSJE