Leja e re e integruar – A për Fabrikën e Çimentos “Usje” do të jetë sipas rregullave të vjetra, e jo sipas ligjit të ri, sepse në kërkesën e kompanisë janë shënuar vlera kufitare vetëm për tre ndotës dhe ato janë identike me ato në lejen e vjetër dhe në të njëjtën kohë deri në tetë herë më të larta se standardet ekzistuese në BE, thonë nga iniciativa qytetare “Stop për Usjen”. Në Shkup ata organizuan marshim nga Kuvendi deri tek Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor për ta tërhequr vëmendjen drejt procedurës për rinovimin e lejes së funksionimit të fabrikës së çimentos, transmeton Portalb.mk.
Nga “Stop për Usjen” thonë se nuk janë të bindur nga pretendimet se leja e re për “Usje”-n do të jetë në përputhje me ligjin që duhet të hyjë në fuqi në vitin 2027, sepse thonë se versioni i kërkesës që Ministria e publikoi nuk është përgatitur sipas standardeve të reja ligjore, por se përmban më pak detyrime sesa leja ekzistuese.
“Mungojnë plotësisht vlerat kufitare dhe detyrimet për monitorim për një nga ndotësit më të rrezikshëm – metalet e rënda, dioksinat dhe furanet, të cilat janë substanca serioze kancerogjene. Njëkohësisht “Usje” kërkon rritjen e përdorimit të lëndëve djegëse alternative-mbeturinave, të cilat i emetojnë pikërisht këto substanca. Nuk përmendet as përdorimi i gazit në vend të naftës dhe linjitit. Prandaj pyesim publikisht: ku në kërkesën përfundimtare, që aktualisht është në dispozicion të publikut, janë shkruar rregullat që Ministria pretendon se do të zbatohen nga viti 2027? Nëse nuk janë shënuar, atëherë kur do të bëhet kjo? Dhe pse nuk është bërë ende? Pavarësisht se janë mbi 700 faqe të dokumentacionit të dorëzuar, nuk ka limite konkrete për këto ndotës, nuk ka detyrime për matje dhe raportim më transparent, si dhe as mekanizma të reja për mbrojtjen e shëndetit”, theksojnë nga “Stop për Usjen”.
Nga atje theksojnë se nuk është vendosur as ndonjë qëllim konkret, nuk ka afate deri kur duhet të zbatohen masat, si dhe nuk është shënuar se çfarë përmirësimi duhet të arrihet. Programi është i paqartë, i padefinuar dhe përsëri pa detyrime dhe përgjegjësi konkrete.
Ekologjistët në protestë prezantuan edhe kërkesa konkrete, që leja të përmbajë limite dhe afate konkrete dhe obligative që janë në përputhje me teknikat më të mira aktuale evropiane, të gjitha matjet dhe emetimet të publikohen publikisht dhe rregullisht, si dhe të konkretizohen masat për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit jetësor.
“Është e qartë se kur nuk ka limite, nuk ka detyrim. Dhe kur nuk ka detyrim – ndotja vazhdon. Përveç kësaj, Ministria e Mjedisit Jetësor procedurën për rinovimin e lejes së Usjes po e udhëheq pa transparencë të vërtetë publike. Në uebfaqen e Ministrisë nuk ka asnjë njoftim të qartë se procesi është në vazhdim e sipër, si dhe asnjë shpjegim për atë se ku mund të gjenden dokumentet, e as informacion të qartë në lidhje me afatet brenda të cilave qytetarët mund të dorëzojnë vërejtje”, thonë aktivistët.
Ata theksojnë se as nuk kanë as termin për takim me Ministrinë, për të cilën thonë se është e mbyllur për qytetarët.
Ministri i mjedisit jetësor Muhamet Hoxha, nga ana tjetër, pretendon se fabrika e çimentos nuk do të marrë një leje sipas standardeve të vjetra.
“Me kërkesë të MMJPH “Usje” që tani do t’i zbatojë standardet më të fundit dhe më rigoroze ekologjike, edhe pse ligji i ri për emetimet industriale hyn në fuqi në shtator të vitit 2027. E njëjta gjë do të vlejë për të gjithë operatorët që posedojnë një leje të integruar ekologjike A. Duke pasur parasysh se pas vitit 2027 të gjitha lejet do të duhet të rishikohen është logjike që çdo rinovim aktual të kryhet sipas kritereve të ardhshme, më të larta për mbrojtjen e ajrit ambiental dhe mjedisit jetësor”, thotë Hoxha.
Ai informoi se afati institucional për shqyrtimin e kërkesës për lejen e “Usje”-s është ende në vazhdim, kërkesa për leje është publikuar më 22 maj në uebfaqen e Ministrisë dhe është dorëzuar në Komunën e Kisella Vodës dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa në javën e parë të korrikut në territorin e Komunës së Kisella Vodës, ku ndodhet fabrika.
Kujtojmë se afati ligjor për paraqitjen e vërejtjeve në lidhje me lejen e USJE-s ishte deri më 22 qershor.
- LEXO: Protestë në Shkup kundër lejes së vjetër të fabrikës së çimentos “Usje”
- LEXO: Nesër protestë kundër Usjes, Hoxha thotë se leja e re e punës do të jetë sipas standardeve evropiane
- LEXO: Deri më 22 qershor do të zgjasë afati ligjor për paraqitjen e vërejtjeve në lidhje me lejen e USJE-s
- LEXO: “Stop Usjes”: Inspektorati i Mjedisit ka ndaluar publikimin e raporteve të mbikëqyrjes pa shpjegime, reagoi Ministria