Në Gjykatën Penale të Shkupit u mbajtë seancë e re në procesin gjyqësor ndaj ish-gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, i cili përballet me akuza për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, pasi gjatë një kontrolli në shtëpinë e prindërve të tij u zbuluan 350 mijë euro të fshehura në një mur, transmeton Portalb.mk.
Gjatë seancës, ekspertët e angazhuar për analizat e ADN-së dhanë sqarime mbi ekspertizën e kryer, duke konfirmuar se në folitë e aluminit ku ishin mbështjellë paratë janë gjetur gjurmë biologjike që përputhen me ADN-në e të pandehurit.
Prokuroria e konsideroi dëshminë e ekspertëve si një mbështetje të rëndësishme për akuzën. Sipas prokurores Iskra Haxhivalievska, ekspertiza u shpjegua në mënyrë të detajuar para gjykatës dhe kundërshtimet e mbrojtjes kanë karakter procedural, duke synuar vetëm shtyrjen e procesit.
“U morën në pyetje ekspertët, të cilët paraqitën gjetjet dhe mendimet e tyre. Veçanërisht me rëndësi dhe ajo që ngjall interes në opinion, është analiza e ADN-së e gjurmëve biologjike. Në thelb, Prokuroria është e kënaqur me atë që u prezantua në seancën e sotme, pasi u konfirmua në mënyrë të padiskutueshme dhe u shpjegua se si janë arritur këto prova dhe rezultate dhe çfarë nënkupton analiza e ADN-së. Kjo është faza e shqyrtimit kryesor, në të cilën në thelb duhet të diskutojmë për provat. Fatkeqësisht, edhe një herë po parashtrohen kundërshtime procedurale, të cilat nuk kanë asnjë kuptim dhe asnjë bazë në këtë fazë të procedurës. Për këtë arsye, Prokuroria vlerëson se bëhet fjalë për një përpjekje për zvarritjen e procedurës”, tha prokurorja Iskra Haxhivalievska.
Në anën tjetër, avokati i Ristovit, Zvonko Davidoviq, kundërshtoi vlefshmërinë e ekspertizës, duke argumentuar se analizat nuk janë kryer mbi paratë e sekuestruara, por vetëm mbi pjesë të folive të aluminit. Ai ngriti pikëpyetje edhe për mënyrën e ruajtjes së provave, përzgjedhjen e mostrave dhe mungesën e dokumentacionit që, sipas tij, do të duhej të evidentonte çdo veprim të kryer me materialin provues.
Ristov mohon përgjegjësinë për paratë e gjetura, duke pretenduar se ato ishin pronë e prindërve të tij, ndërsa Prokuroria këmbëngul se provat e mbledhura e lidhin atë me mjetet financiare që u zbuluan gjatë kontrollit.
“Siç tha vetë eksperti, atij i ishin dorëzuar vetëm copa të folisë së aluminit, ndërkohë që nga incizimet e patë se bëhej fjalë për foli të plota alumini. Pyetja është se kush vendosi se cila copë do t’u dorëzohej ekspertëve? Mbi cilën pjesë punuan fillimisht ekspertët e analizës së ADN-së dhe më pas ata të daktiloskopisë? Gjithashtu, nga dokumentacioni mund të shihet qartë se më 18 janar materiali është sjellë në Shkup dhe është vendosur në kasafortën pranë MPB-së, institucion që nuk ka kryer fare ekspertizat. Ndërkaq, sipas provave që disponon Prokuroria, më 16 mars ai material është hapur, por unë nuk shoh asnjë procesverbal për hapjen dhe mbylljen e tij, një dokument i tillë nuk gjendet në lëndë. Paratë janë nxjerrë dhe i janë dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar. A nuk ju duket e dyshimtë që, gjatë atyre 80 ditëve, materiali provues është hapur, pa e ditur askush se çfarë ka ndodhur me të dhe si është vulosur më pas, ndërsa ekspertizat janë kryer vetëm mbi copa të folisë së aluminit?”, tha avokati mbrojtës, Zvonko Davidoviq.
Ndryshe, rasti i Gjoko Ristov, u bë i ditur kur avokati Fehmi Stafa, u kap duke marrë ryshfet 20.000 euro nga 100.000 euro të dakorduara për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit të caktuar ndaj Lupço Pecovit.
Gjoko Ristov, në shkurt 2020 u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit për çështje penale. Në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038. Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.
Më 20 janar, MPB ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”.
Më 21 janar, Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit.
Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit.
- LEXO: Gjykatësi Gjoko Ristov mohoi fajësinë për 350.000 euro të gjetura në murin e shtëpisë në Negotinë
- LEXO: Ekspertiza biologjike vërtetoi se gjykatësi Gjoko Ristov i ka fshehur personalisht paratë në murin e shtëpisë së prindërve
- LEXO: Nga gjykimi i çështjeve më të mëdha deri te 350.000 euro në mur, kronologjia e karrierës së Gjoko Ristovit