Ekspertët e fushës së mjeksisë dhe aktivistët e shoqërisë civile sot në Shkup, në kuadër të tetorit rozë vijuan thirrjet për kontrolle dhe diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit, shkruan Portalb.mk.
Simpoziumi mblodhi mjekë vendas dhe specialistë nga Turqia, të cilët trajtuan qasjet bashkëkohore të mjekimit dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes specialistëve të fushave të ndryshme.
Onkologu Ilir Ismaili një deklaratë për Portalb.mk tha se rastet e kancerit të gjirit periudhën e fundit paraqiten të avancuara, sivjet ka një mijë raste të reja.
“Tetori është muaji rozë, një muaj gjatë të cilit duhet të flasim së bashku, me përgjegjësi dhe profesionalizëm, për rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe të parandalimit të kancerit të gjirit. Secili prej nesh duhet të japë kontributin e vet në informimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për këtë sëmundje. Për fat të keq, në vendin tonë kanceri i gjirit ende diagnostikohet në shumë raste në faza të avancuara. Edhe pse numri i rasteve të reja në Maqedoni është rritur, ka arritur në 1000. E rëndësishme është të theksohet se gjatë viteve të fundit kemi shënuar përparim të dukshëm në diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje. Sot nuk jemi në të njëjtën situatë si para dhjetë vjetësh. Kemi përparuar ndjeshëm dhe mund të themi se jemi në një fazë të avancuar sa i përket diagnostikimit të hershëm, trajtimit kirurgjikal dhe trajtimit onkologjik të pacientëve”, tha Ismaili.
Ai tha se një nga risitë më të rëndësishme është se trajtimi bashkëkohor i kancerit të gjirit mbështetet në tri shtylla kryesore. E para është diagnostikimi i hershëm, i cili rrit mundësitë për trajtim të suksesshëm. E dyta është trajtimi i personalizuar, i përshtatur sipas karakteristikave dhe nevojave të secilit pacient. Ndërsa shtylla e tretë lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale, e cila po krijon mundësi të reja në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit.
“Falë përparimeve në mjekësi, sot mund të themi se kanceri i gjirit, në shumë raste, trajtohet me sukses. Pacientët mund të vazhdojnë jetën e tyre edhe pas diagnostikimit, veçanërisht kur sëmundja zbulohet herët dhe trajtimi fillon në kohën e duhur. Prandaj, mesazhi ynë është i qartë: ndërgjegjësimi, kontrollet e rregullta dhe diagnostikimi i hershëm janë thelbësorë. Flisni për shëndetin e gjirit, informohuni dhe mos i neglizhoni kontrollet mjekësore”, tha Ismaili.
Omer Bender, specialist i kirurgjisë së përgjithshme nga Turqia, prezantoi metodat bashkëkohore të trajtimit kirurgjikal.
“Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kur sëmundja zbulohet në fazat e hershme, përpara se kanceri të përhapet jashtë gjirit, mundësitë për trajtim të suksesshëm janë shumë të larta. Prandaj, është e rëndësishme që gratë të kryejnë kontrolle dhe ekzaminime të rregullta, si dhe të mos i neglizhojnë ato. Me këtë organizim synojmë pikërisht të theksojmë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe të nxisim ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit”, tha Bender.
E ardhmja e trajtimit të kancerit të gjirit ishte tema e prezantimit të profesoreshës Çiddem Usul Avshar. Ndërkaq, doktoresha Aleksandra Grozdanova, nga Fakulteti i Farmacisë i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, trajtoi edukimin shëndetësor, ndërgjegjësimin, terapitë inovative dhe vaksinat e gjeneratës së ardhshme kundër kancerit. Pjesë e simpoziumit ishte edhe specialisti i onkologjisë mjekësore Deniz Aslan.
Pas prezantimeve u zhvillua diskutim me pyetje dhe përgjigje, ndërsa pjesëmarrëset patën mundësi të konsultoheshin me specialistët dhe mjekët.
Në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar janë diagnostikuar një mijë paciente me kancer të gjirit, ndërsa aktualisht shtatë mijë pacientë me sëmundje onkologjike janë në trajtim aktiv në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup. Pas shifrave dhe fushatave të tetorit rozë qëndrojnë probleme të pazgjidhura me vite, pritje me orë për terapi, mungesë e stafit, shërbime të përqendruara në Shkup ndërsa skriningu që mbulon vetëm një pjesë të vogël të grave.