Gjykatësi Gjoko Ristov mohoi fajësinë për 350.000 euro të gjetura në murin e shtëpisë në Negotinë

Gjyqtari i apelit i suspenduar, Gjoko Ristov, sot në Gjykatën Penale Themelore në Shkup mohoi fajësinë për 350.000 eurot e gjetura të në murin e shtëpisë së familjes në Negotinë. Në fillim të gjykimit ai deklaroi se nuk ndihet fajtor për veprat penale që i ngarkohen, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria e ngarkon Ristovin për përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë, si dhe për pastrim parash dhe të ardhurash nga vepër penale. Sipas aktakuzës, bëhet fjalë për 350.000 euro të paregjistruara dhe të padeklaruara, të gjetura në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, të fshehura në një hapësirë të mbyllur brenda murit.

Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva në fjalën hyrëse deklaroi se prokuroria do të provojë se Ristov ka dhënë të dhëna të rreme për gjendjen e tij pasurore, ka fshehur informacione për pasurinë dhe ka përdorur pjesën e shtëpisë ku janë gjetur paratë. Sipas saj, fajësia do të provohet me provat që do të prezantohen në gjykatë.

Paratë, sipas hetimeve, kanë qenë të paketuara në 13 pako dhe të fshehura në zgavra të murit, me gjithsej 610 kartëmonedha nga 500 euro dhe 225 kartëmonedha nga 200 euro, disa prej tyre me shënime të shkruara me dorë.

Mbrojtja, e udhëhequr nga avokati Zvonko Davidoviq, thotë se lidhja e parave me gjyqtarin është e pabazë dhe se ato i përkisnin prindërve të tij dhe ishin të fituara në mënyrë të ligjshme. Mbrojtja ka kërkuar edhe ekspertizë grafologjike dhe financiare për pasurinë e familjes dhe të të akuzuarit.

Rasti lidhet me hetimin ndaj ish-avokatit të shtetit dhe avokatit Fehmi Stafa, i cili ishte kapur duke marrë para që dyshohej se ishin për ndikim në një gjyqtar të apelit. Stafa e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me një vit e tre muaj burg.

Prokuroria pretendon gjithashtu se gjurmët e ADN-së të gjetura në materialin me të cilin ishin mbështjellë paratë janë një nga provat kyçe, ndërsa gjykimi pritet të përcaktojë nëse paratë kanë prejardhje të ligjshme familjare apo janë të lidhura me abuzim dhe fshehje pasurie.

Ndryshe, rasti i Gjoko Ristov, u bë i ditur kur avokati Fehmi Stafa, u kap duke marrë ryshfet 20.000 euro nga 100.000 euro të dakorduara për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit të caktuar ndaj Lupço Pecovit.

Gjoko Ristov, në shkurt 2020 u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit për çështje penale. Në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038. Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.

Më 20 janar, MPB ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”. 

Më 21 janar, Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit. 

Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit. 

Fehmi StafaGjoko RistovGjykata Themelore Penale Shkupi 1Gjykatat e Apelit RMVProkuroria e Përgjithshme Publike për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (PPPKOP) RMV