Prokuroria kërkoi arrest shtëpiak për gjykatësin Gjoko Ristov të cilit iu gjetën 350 mijë euro në mur, Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin

Prokuroria Publike ka kërkuar arrest shtëpiak për gjykatësin e Apelit Gjoko Ristov, pasi në shtëpinë e prindërve të tij u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur, ku ai dyshohet për korrupsion. Në ndërkohë Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin gjykatësit, raporton Portalb.mk.

“Sot, prokurori i lëndës e intervistoi gjykatësin e dyshuar dhe i paraqiti provat e mbledhura mbi të cilat bazohet dyshimi i arsyeshëm se ai ka kryer veprat për të cilat ngarkohet”, informoi Prokuroria.

Duke vlerësuar kushtet objektive që duhet të plotësohen për caktimin për sigurimin e pranisë, si dhe kushtet subjektive që e justifikojnë atë, prokurori i çështjes i dorëzoi gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup propozimin që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Përveç kësaj mase, është propozuar gjithashtu caktimi i masës së kujdesit, konfiskimi i përkohshëm i pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror.

Sot, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet. 

“Gjykata Themelore Penale nga Prokuroria është dorëzuar propozim për vendosjen e masës së arrestit shtëpiak dhe masave shtesë për sigurimin e pranisë, propozimi është caktuar te gjyqtari i procedurës paraprake, i cili menjëherë ka dërguar njoftim te Këshilli Gjyqësor kompetent, nga i cili pritet përgjigja, pas së cilës gjyqtari do të vazhdojë me veprimet”, njoftoi Gjykata. 

Më pas gjatë ditës, me 10 vota “pro” nga të gjithë të pranishmit në Këshillin Gjyqësor, u mor vendimi që t’i merret imuniteti gjykatësit Gjoko Ristov. Me këtë, nga Këshilli Gjyqësor njoftuan se gjykatësit i pezullohen të gjitha aktivitetet gjyqësore për sa zgjatë procesi i hetimit dhe eventualisht procesi gjyqësor.

Më 18 janar 2026, Prokuroria për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka gjetur 350 mijë euro të fshehura në mur në shtëpinë e prindërve të gjykatësit të Apelit nga Shkupi, Gjoko Ristov, të cilat dyshohet se i përfitoi me korrupsion.

Ndërkaq, SDK raportoi se para dy javëve është bastisur edhe banesa e Ristovit në Shkup, po nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Para një jave, ai u ka thënë kolegëve në Gjykatën e Apelit Shkup se ishte i sëmurë dhe se do të shkonte në pushim mjekësor. Që atëherë, kolegët nuk e kanë parë. Ndërkaq, telefonin mobil ka ndaluar ta përdorë që para rreth një muaji e disa ditësh.

Bastisja lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij.

Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.

Gjoko Ristov, kur në shkurt 2020 u zgjodh gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku trajton çështje penale në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038.

Gjoko RistovGjykata Themelore Penale Shkupi 1Gjykatat e Apelit RMVKëshilli Gjyqësor RMVKorrupsion - RyshfetProkuroria e Përgjithshme Publike për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (PPPKOP) RMV