Ish-kryetari i Komunës Qendër formoi parti të re serbe, në kongres merr mbështetjen e SNS-së së Vuçiqit

Lidhja Demokratike Serbe është emri i partisë së re politike në Maqedoninë e Veriut, e udhëhequr nga ish-kryetari i Komunës Qendër dhe anëtari i LSDM-së, Sasha Bogdanoviq, shkruan Kolegium, transmeton Portalb.mk.

Partia, siç njoftoi ai në rrjetet sociale, mbrëmë mbajti Kongresin e Parë Zgjedhor në Filarmoninë e Maqedonisë. Mes të ftuarve kishte përfaqësues të partive të tjera politike dhe figura nga jeta publike në vend, si dhe një përfaqësuese të Partisë Përparimtare Serbe nga Republika e Serbisë.

Si mbështetësi kryesor i partisë së Vuçiqit në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit konsiderohet edhe Ivan Stoilkoviq, i cili drejton Partinë Demokratike të Serbëve në Maqedoni (PDSM). Stoilkoviq ishte deputet në Kuvend për rreth 20 vjet, ndërsa në vitin 2024 u zgjodh zëvendëskryeministër dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Qeverinë e Hristijan Mickoskit. Pas rikonstruimit të kabinetit qeveritar, ai kaloi në një dikaster tjetër dhe që nga korriku i vitit 2026 është ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) është partia në pushtet në Serbi, e cila për shumë vite u udhëhoq nga presidenti i deritanishëm, Aleksandar Vuçiq. Ai tani është bartës i listës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të caktuara për 25 tetor.

Nevena Gjuriq, nënkryetare e Bordit Kryesor të SNS-së, ishte njëra nga folëset në kongres, ndërsa Bogdanoviq shprehu mirënjohje për mbështetjen.

“Ky nuk është vetëm një forcë e re politike, por përfaqëson një ripërtëritje historike të bashkëpunimit dhe traditës së Lidhjes së parë Serbe, e themeluar në Shkup që në vitin 1908. Me organizim, dinjitet dhe unitet, do ta ruajmë identitetin tonë, duke respektuar njëkohësisht edhe identitetin e të tjerëve!”, thuhet në njoftimin e Bogdanoviqit.

Delegatët e kongresit mbrëmë dhanë mbështetje unanime për formimin e Bordit Qendror dhe Bordit Mbikëqyrës të partisë, si dhe miratuan propozim-marrëveshjen për koalicion.

Bogdanoviq për shumë vite ishte funksionar nga radhët e LSDM-së. Ai ishte kryetar i Organizatës Komunale të socialdemokratëve në Qendër. Për një periudhë ishte drejtor i ndërmarrjes publike “Parkingjet e Komunës Qendër” (POC), ndërsa nga viti 2017 deri në vitin 2021 ushtroi edhe funksionin e kryetarit të komunës.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “Shën Savës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq. Kjo temë u hap edhe më 12 shtator 2025 me rastin e 109-vjetorit të Betejës së Kajmakçalanit nga delegacioni serb dhe mesazhet që u përcollën.

Kujotjmë se shqetësimet për rritjen e ndikimit të “botës serbe”, në Maqedoninë e Veriut, u theksuan vitin e kaluar edhe në Raportin e Parlamentit Evropian lidhur me Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut RMVSerbia