Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”. Ky kallëzim vjen pas një aksioni hetimesh dhe bastisjesh, ku në shtëpinë e prindërve të tij u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur, raporton Portalb.mk.
Më 20.01.2026, Njësiti për Korrupsion në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë ngriti kallëzim penal në PTHP NKOK kundër Gj.R. (53) nga Negotina, me vendbanim në Shkup, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “përfitimi i kundërligjshëm dhe fshehja e pasurisë” sipas nenit 359-a, paragrafi 3, përfshirë paragrafin 1 dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale” sipas nenit 273, paragrafi 1 të Kodit Penal.
“Gj.R., në cilësinë e personit zyrtar – gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkup, në periudhën kohore nga 10.02.2020 deri më sot, në kundërshtim me detyrimin ligjor për deklarimin e gjendjes pasurore ose ndryshimeve të saj, ka dhënë të dhëna të rreme për pasurinë e tij dhe të familjes së tij, pasuri e cila në përmasa të mëdha tejkalon të ardhurat e tij ligjore”, informoi MPB.
Me këtë rast, më 18.01.2026, në bazë të urdhrit të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore Penale Shkup, në koordinim me prokurorin publik kompetent, është realizuar bastisje në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, ku në katin e parë, konkretisht në hapësirën e kuzhinës, janë vërejtur rrethana të dyshimta për kryerje të punimeve ndërtimore (korrigjimi i pllakave të murit), pas çka gjatë heqjes së një pllake qeramike muri, është konstatuar një vrimë në të cilën ndodheshin rula alumini në formë cilindri, të paketuara në gjithsej 13 paketime të veçanta, ku janë gjetur gjithsej 610 kartëmonedha në vlerë nga 500 euro dhe 225 kartëmonedha në vlerë nga 200 euro, ose gjithsej 350.000 euro.
Në ndërkohë dje (21 janar) Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit.
Më pas, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit.
Përveç bastisjes në shtëpinë e prindërve të tij, SDK raportoi se para dy javëve është bastisur edhe banesa e Ristovit në Shkup, po nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Para një jave, ai u ka thënë kolegëve në Gjykatën e Apelit Shkup se ishte i sëmurë dhe se do të shkonte në pushim mjekësor. Që atëherë, kolegët nuk e kanë parë. Ndërkaq, telefonin mobil ka ndaluar ta përdorë që para rreth një muaji e disa ditësh.
Bastisja lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij.
Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.
Gjoko Ristov, kur në shkurt 2020 u zgjodh gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku trajton çështje penale në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038.