Gratë shtatzëna paguajnë nga 20.000 deri në 43.000 denarë për skrining që nuk është i detyrueshëm, por ofrohet pa evidencë sistemike

Përderisa shkenca dhe profesioni pretendojnë se testet NIPT nuk janë të detyrueshme për çdo shtatzëni, institucionet shtetërore nuk disponojnë me shifra të sakta se sa teste të tilla bëhen në vit, si dhe nuk ekziston ndonjë sistem kontrolli për rrezikun që prapa këtyre testimeve të qëndrojnë interesa korruptive, transmeton Portalb.mk nga Radio Mof.

Maqedonia është një nga vendet ku tregu i testeve NIPT nuk është i evidentuar në asnjë institucion shëndetësor kompetent. Përveç se për testet prenatale Prisca 1 dhe Prisca 2, Fondi nuk ka caktuar çmim referent për testet NIPT, kështu që laboratorët privatë kanë liri t’i përcaktojnë çmimet sipas parimeve të tregut.

Testet jo-invazive prenatale, të njohura si NIPT, në Maqedoni ofrohen në disa laboratorë privat me çmime nga 19.900 deri në 43.000 denarë. Shpenzimet i paguajnë në tërësi pacientet, pasi testet nuk mbulohen nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

D-r. Vesna Çibisheva nga Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës thekson se testi NIPT nuk është i domosdoshëm për çdo shtatzëni dhe se një rezultat me rrezik të lartë nuk duhet të jetë bazë për vendim përfundimtar klinik pa konfirmim diagnostik shtesë.

Institucionet kompetente nuk kanë evidencë të plotë për numrin e testeve të bëra, shumën që e paguajnë qytetarët dhe mënyrën në të cilën testet u rekomandohen shtatzënave.

Oda e Mjekëve dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk kanë denoncime të regjistruara për udhëzimin e pacienteve drejt laboratorëve konkret apo për dobi të mundshme materiale të mjekëve.

“Ndoshta sot nuk do e kisha djalin tim“

A.B., një grua 32-vjeçare nga Kumanova, thotë se gjatë shtatzënisë gjinekologu i saj amë i ka rekomanduar test jo-invaziv prenatal. Sipas dëshmisë së saj, testi i është prezantuar si pjesë e diagnostikës gjithëpërfshirëse për anomali gjenetike.

Mostra është dërguar në laborator jashtë vendit, ndërsa rezultatin e ka pritur disa javë.

“Kur erdhën rezultatet më thanë se foshnja ime bart gjen për sindromë të rrallë karakteristike vetëm për vajzat. Në atë moment mendoja se çfarë të bëja dhe isha nën stres të madh“, dëshmon ajo.

Sipas A.B., një nga mundësitë për të cilat ka biseduar me mjekët ka qenë edhe ndërprerja e shtatzënisë. Në të njëjtën kohë, sipas kontrolleve me ultrazë fëmija ka qenë e gjinisë mashkullore. Me rekomandim të gjinekologut amë ajo ka kërkuar mendim edhe nga gjinekologë të tjerë, të cilët kanë ardhur në të njëjtin përfundim.

Pas marrjes së rezultatit pacientja ka refuzuar ta paguajë këstin e dytë, gjë që ka shkaktuar mosmarrëveshje me laboratorin.

“Meqenëse flisja publikisht në grupe në rrjetet sociale për përvojën time me testin NIPT, ata më kërcënoheshin me padi. Kur linda fëmijë mashkull e të shëndetshëm, u tërhoqën. Nuk ma kërkuan pagesën shtesë, por as nuk kërkuan falje“, tha A.B.

Nëntë vjet më vonë ajo thotë se ende i mendon pasojat e mundshme nëse do bazohej vetëm në rezultatin e marrë.

“Imagjinoni sikur të mbështetesha vetëm në rezultatet e testit. Sot nuk do kënaqesha me djalin tim të shëndetshëm “, tha A.B.

“NIPT është skrining, e jo mjet definitiv diagnostikimi “

D-r. Vesna Çibisheva nga Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës shpjegon se me testin NIPT përmes mostrës të gjakut të shtatzënës analizohen fragmente të ADN-së së lirë.

Testet më së shpeshti përdoren për vlerësimin e probabilitetit për trisomi 21, pra për Sindromën Down, trisomi 18 – Sindromën Edwards dhe trisomi 13 – Sindromën Patau. Paketa të caktuara komerciale përfshijnë edhe ndryshime të kromozomeve seksuale, mikrodelecione dhe gjendje të tjera gjenetike.

“Testimi i fraksionit të ADN-së fetale në gjakun e nënës është i lidhur me shkallë më të lartë të specificitetit dhe sensitivitetit, por gjithsesi paraqet vetëm një test skriningu për aneuploiditë fetale më të shpeshta dhe nuk duhet të konsiderohet si ekuivalent i testeve diagnostike“, thotë Çibisheva.

Ajo thekson se rezultati nga testet NIPT nuk duhet të trajtohet si diagnozë përfundimtare.

“Testet jo-invazive prenatale janë teste skriningu, e jo një mjet definitiv diagnostik në marrjen e vendimeve klinike, sidomos ato që kanë të bëjnë me ndërprerjen e shtatzënisë për arsye mjekësore“, thotë Çibisheva.

Ajo thotë se në rast se rezultati është me rrezik të lartë, atëherë duhet të kontrollohen kushtet në të cilat është kryer testimi dhe të shqyrtohet mundësia e ndonjë gabimi laboratorik apo ndonjë gabimi tjetër. Varësisht nga gjendja dhe java e shtatzënisë rezultati pastaj kontrollohet me ekzaminim diagnostik, siç është biopsia e vileve korionike ose amniocenteza.

Rekomandimet e Shoqatës së Mjekësisë Materno-Fetale, të mbështetura nga Kolegji Amerikan i Obstetristëve dhe Gjinekologëve, e përcaktojnë testin NIPT si skriningun më sensitiv dhe më specifik për trisomitë 21, 18 dhe 13. Në to theksohet se pacientet duhet të kenë mundësi të vendosin vetë nëse dëshirojnë skrining për ndryshimet e kromozomeve seksuale pas këshillimit paraprak, ndërsa skriningu rutinor i popullatës së përgjithshme për mikrodelecione nuk rekomandohet.

Edhe Shërbimi Shëndetësor Nacional Britanik e përcakton testin NIPT si skrining, e jo si test diagnostik dhe thekson se rezultati me rrezik të lartë duhet të konfirmohet me ekzaminim diagnostik.

“Saktësia mbi 99 përqind“ nuk do të thotë se çdo rezultat pozitiv është i konfirmuar

Në një pjesë të ofertave komerciale theksohet saktësi ose sensitivitet më i madh se 99 përqind. Por, kjo përqindje nuk e tregon drejtpërdrejt përgjigjen në pyetjen se sa është probabiliteti që fetusi me të vërtetë ta ketë gjendjen e ekzaminuar nëse rezultati tregon rrezik të lartë.

Për interpretimin e rezultatit është e rëndësishme vlera prediktive pozitive, e cila varet nga frekuenca e gjendjes dhe nga rreziku individual tek shtatzëna. Sa më e rrallë të jetë gjendja, aq më e madhe është mundësia që rezultati pozitiv i skriningut të mos konfirmohet me ekzaminim diagnostik.

Në rekomandimet profesionale të Shoqatës së Mjekësisë Materno-Fetale si shkaqe të mundshme për rezultat të pasaktë ose të papritur përmenden mozaicizmi placental, binjaku i zhdukur, gjendje të caktuara te shtatzëna, miomat dhe gabimet laboratorike.

Sipas Çibishevës në mundësinë për të marrë dhe për ta interpretuar drejt rezultatin ndikojnë java e shtatzënisë, sasia e fraksionit fetal, shtatzënia me shumë fetusë, mozaicizmi placental, gjendje të caktuara shëndetësore dhe terapi te shtatzëna, si dhe teknika e izolimit dhe analizës së ADN-së.

Nëse në mostër nuk ka mjaftueshëm ADN të lirë laboratori mund të mos japë rezultat ose të kërkojë mostër të re. Sipas Çibishevës, para testimit është i nevojshëm një ekzaminim i detajuar me ultrazë, ndërsa rezultatin duhet ta interpretojë punonjës profesional në kontekst të të gjithë shtatzënisë.

“Testet komerciale NIPT nuk janë të domosdoshme për çdo shtatzëni“

Çibisheva shpjegon se testet komerciale NIPT nuk janë të domosdoshme për çdo shtatzëni. Mundësitë për skrining gjenetik dhe testim diagnostik duhet t’i shpjegohen çdo shtatzëne, pa marrë parasysh moshën dhe rrezikun fillestar.

Si rrethana në të cilat më së shpeshti rekomandohet NIPT ajo e thekson moshën e shtatzënës, shtatzëninë e mëparshme me çrregullim kromozomik, rrezikun e rritur të konstatuar me skrining të kombinuar, gjetjet e dyshimta gjatë ekzaminimit me ultrazë dhe historinë familjare të ndonjë sëmundjeje të caktuar gjenetike.

Sipas saj te shtatzënitë me rrezik të ulët me ekzaminim me ultrazë të detajuar e të rregullt dhe me markerë biokimikë referent skriningu klasik i kombinuar mund të jetë i mjaftueshëm.

“Rekomandohet kryerja e vetëm një skrining testi prenatal. Kryerja e njëkohshme e llojeve të ndryshme të testimeve është shkencërisht e papranueshme“, thotë Çibisheva.

Rezultati negativ i testit NIPT, shton ajo, nuk i përjashton të gjitha anomalitë gjenetike apo strukturore. Testi nuk është zëvendësim për kontrollet me ultrazë dhe nuk mund t’i përjashtojë të gjitha ndryshimet e lindura strukturore, problemet me rritjen dhe komplikimet e tjera gjatë shtatzënisë.

Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE disa muaj më parë realizoi hulumtim mbi pikëpamjet e punonjësve shëndetësorë për korrupsionin në sektorin ku ata punojnë.

“Hulumtimi ynë nxorri në pah se 34% e punonjësve shëndetësorë në mbrojtjen shëndetësore gjinekologjike-obstetrike e njohin si praktikë korruptive udhëzimin për barna, laboratorë apo farmaci konkrete nga rekomandimi i të cilave punonjësi shëndetësor ka dobi. Hulumtimi nuk mundëson përcaktimin e asaj se sa pjesë e praktikave të këtilla u referohet konkretisht testeve NIPT. Por, duke pasur parasysh se këto teste u rekomandohen shpesh shtatzënave nga ana e gjinekologëve nevojitet transparencë më e madhe, evidencë sistemike dhe mekanizma adekuat për kontroll të mënyrës në të cilën ato rekomandohen“, thonë nga Shoqata ESE.

“Paketat kushtojnë nga 19.900 deri në 43.000 denarë“

Ofertat e publikuara publikisht dhe të dhënat e marra nga laboratorët tregojnë se çmimet në Maqedoni sillen nga 19.900 deri në 43.000 denarë. Paketat nuk përfshijnë të njëjtin numër gjendjesh, kështu që dallimet në çmime nuk paraqesin krahasim të shërbimeve plotësisht identike.

Laboratori Paketa Çmimi në denarë Çmimi në euro*

Laboratori Lloji i testit Çmimi Çmimi në euro
“Avicena“ NIFTY Basic Basic Twins 19.900 324
“Avicena“ NIFTY Plus 24.900 405
“Avicena“ NIFTY Pro Pro Twins 29.900 486
“Biotek“ GENESIS 35.000 569
“Biotek“ GENESIS Plus 43.000 699

*Përllogaritja është e karakterit informativ, sipas kursi të përafërt prej 61,5 denarësh për euro.

Nga laboratori “Avicena“ theksojnë se testime NIPT ofrojnë nga muaji mars i vitit 2018. Mostrat dërgohen në laboratorin partner të GenePlanet në Zagreb, ku analizohen me teknologjinë NGS, ndërsa rezultatet merren brenda shtatë ditëve.

Nga laboratori thonë se para marrjes së mostrës pacientes i shpjegohen mundësitë dhe kufizimet e testit dhe ajo nënshkruan një pëlqim të informuar. Në rast të rezultatit me rrezik të lartë, ajo udhëzohet te gjinekologu amë dhe/ose në këshillim gjenetik.

“Kërkesa për testime NIPT rritet vazhdimisht“, thonë nga “Avicena“, por nuk e treguan numrin vjetor të testeve të kryera me arsyetimin se bëhet fjalë për informacion intern afarist.

Laboratori i referohet certifikatit ISO 27001, i cili ka të bëjë me menaxhimin e sigurisë së informacionit, si dhe me harmonizimin me rregullat evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale.

Nga “Biotek“ theksojnë se testet GENESIS dhe GENESIS Plus punohen në laborator gjenetik në Maqedoni, pa i dërguar mostrat jashtë vendit.

“Çmimet në Maqedoni janë të njëjta ose më të larta se çmimet e testeve NIPT në rajon dhe në vendet e BE-së“

Krahasimi i çmimoreve të publikuara në Maqedoni, Kroaci dhe Slloveni tregon një diapazon të ndryshëm të çmimeve. Ofertat dallohen sipas mbulimit të testimit, metodës, shërbimeve shtesë dhe kushteve të pagesës, për këtë arsye nuk mund të krahasohen në të gjitha rastet si produkte identike.

Vendi Spitali Lloji i testit Çmimi
Kroaci Spitali Special “Podobnik” NIFTY Basic 477
Kroaci Spitali Special “Podobnik” NIFTY Plus 612
Kroaci Spitali Special “Podobnik” NIFTY Pro 870
Slloveni ZC Dravlje NIFTY Basic 350
Slloveni ZC Dravlje NIFTY Plus 590
Slloveni ZC Dravlje NIFTY Pro 890
Slloveni Medgen VERACITY Core 350
Slloveni Medgen VERACITY Plus 390
Slloveni Medgen VERACITY Advanced 590

**Burimi: Çmimore të publikuara nga laboratorët dhe institucionet shëndetësore. Çmimet janë verifikuar më 31 korrik të vitit 2026 dhe mund të jenë objekt i ndryshimeve. Paketat dallohen sipas numrit dhe llojit të gjendjeve që i përfshijnë dhe nuk paraqesin shërbime plotësisht identike. (https://www.podobnik.hr/hr/cjenik , https://www.noseca.com/cenik-zcd-dravlje-ljubljana , https://medgen.si/cenik)

Dallim më i rëndësishëm vihet re në mënyrën e financimit. Në Maqedoni NIPT nuk mbulohet nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor. Në Angli, sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë, testi ofrohet në kuadër të shëndetësisë publike si një opsion shtesë për shtatzënat te të cilat skriningu i mëparshëm ka treguar për rrezik më të lartë.

Testet NIPT nuk mbulohen nga Fondi

Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor konfirmojnë se testet NIPT nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor.

Që një shërbim të shqyrtohet për financim institucioni shëndetësor duhet të dorëzojë kërkesë pranë Komisionit për çmime referente, bashkë me përllogaritjen e shpenzimeve dhe të dhënat për implikimet financiare.

“Deri më tani kërkesë e tillë nuk është dorëzuar nga asnjë institucion shëndetësor“, theksojnë nga Fondi.

Fondi nuk ka të dhëna për numrin e testeve NIPT që kryhen çdo vit në laboratorët privatë, e as për shumën e përgjithshme që e paguajnë pacientet. Ai disponon vetëm me informacione për shërbimet që i mbulon dhe që kryhen nga institucionet shëndetësore me të cilat ka kontratë.

Për skriningun prenatal PRISCA 1 dhe PRISCA 2, Fondi ka përcaktuar një çmim referent prej 3.500 denarësh për secilin.

Nga këto të dhëna rrjedh se nuk është filluar procedurë për financimin e mundshëm të NIPT për asnjë kategori të të siguruarve, ndërsa Fondi nuk disponon të dhëna mbi bazën e të cilave do të mund të përcaktohej vëllimi i përgjithshëm i testimeve në sektorin privat.

Nuk ka të dhëna se sa teste bëhen dhe sa paguajnë pacientet

Testet NIPT në Maqedoni ofrohen si shërbim privat në disa paketa dhe me mbulim të ndryshëm. Sipas Dr. Çibisheva, ato nuk janë të domosdoshme për çdo shtatzëni, paraqesin skrining e jo diagnozë, ndërsa rezultati me rrezik të lartë duhet të konfirmohet me ekzaminim adekuat diagnostik para marrjes së vendimeve përfundimtare klinike.

Të dhënat e disponueshme nuk tregojnë se sa teste NIPT bëhen çdo vit në vend, çfarë shume paguajnë pacientet dhe në sa raste rezultatet me rrezik të lartë janë konfirmuar ose hedhur poshtë me diagnostikë shtesë.

Nuk ka as evidencë të disponueshme se sa teste janë rekomanduar mbi bazën e indikacioneve mjekësore, e sa si zgjedhje e vetë pacienteve. Kjo, nga ana tjetër, krijon një zonë gri të pakontrolluar në të cilën nga nevojat mjekësore krijohet një treg që targeton gratë gjatë shtatzënisë si një kategori e cenueshme e pacientëve.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor RMVKlinika e Onkologjisë ShkupShtatzëna