Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, konsideron se Bashkimi Evropian duhet të tregojë vullnet politik dhe të ofrojë zgjidhje për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të vendit, në vend që të këmbëngulë vazhdimisht në përmbushjen e kërkesës për ndryshimet kushtetuese, transmeton Portalb.mk.
Në një intervistë për emisionin “Tema e ditës”, në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Sitel, presidentja deklaroi se vendi meriton të jetë ndër prijësit e procesit të zgjerimit dhe theksoi përcaktimin e fuqishëm të shtetit për rrugën evropiane. Megjithatë, siç tha ajo, pas ndryshimeve të shumta kushtetuese dhe kërkesave të vazhdueshme që Maqedonia të tregojë vullnet politik, është e nevojshme që edhe Bashkimi Evropian të tregojë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje me Bullgarinë.
“Kur dëshiron, Bashkimi Evropian mund të jetë shumë kreativ dhe të shfaqë vullnet të madh politik. Nëse na inkurajon për reformat, atëherë duhet të na inkurajojë edhe për gjetjen e një zgjidhjeje me fqinjin tonë”,
tha ajo.
Maqedonia ndodhet në një situatë paradoksale, thotë presidentja
Sipas saj, vendi ndodhet në një situatë paradoksale, pasi, siç thotë ajo, derisa Bullgaria na paralajmëron se kontesti është çështje evropiane, nga Bashkimi Evropian na thonë se duhet të negociojmë.
Ajo thotë se ekzistojnë mundësi të ndryshme për tejkalimin e bllokadës, përfshirë propozimin për zbatimin e shtyrë të ndryshimeve kushtetuese, por edhe mundësinë që Këshilli Evropian dhe Këshilli i Evropës, në konsultim me Komisionin Evropian, të përgatisin dispozita sqaruese për parimet dhe detyrimet e Unionit.
“Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm të negociojmë dhe, natyrisht, edhe një herë pohoj se mund të gjeni zgjidhje për çështje racionale dhe pastaj të vlerësoni se çfarë humbni dhe çfarë fitoni. Por, pas kaq shumë ndryshimeve kushtetuese, të thuhet edhe një herë se kjo është zgjidhja kyçe dhe të kërkohet vullneti ynë politik, mendoj se është problematike. Pra, ne kërkojmë zgjidhje nga Bashkimi Evropian dhe, natyrisht, të tilla ekzistojnë. Përveç asaj që propozuam me zbatimin e shtyrë, natyrisht se duam të dimë se në çfarë kushtesh do të vazhdojnë gjërat më tej. Është e mundur që edhe Këshilli Evropian dhe Këshilli i Evropës, në konsultim me Komisionin Evropian, të hartojnë dispozita sqaruese përmes të cilave do t’u përgjigjen çështjeve më të rëndësishme për Bashkimin Evropian. BE-ja është ende e veçantë për shkak të filozofisë së saj, ndërsa filozofia qëndron te parimet dhe vlerat”, tha Siljanovska-Davkova.
Presidentja konsideron se ky moment është po aq i rëndësishëm jo vetëm për ne dhe rajonin, por edhe për Bashkimin Evropian, pasi, siç thekson ajo, të gjithëve u është e qartë se nuk ekziston një hapësirë e zbrazët politike. Gjithmonë ekziston dikush që përpiqet ta mbushë atë, por vëren se Maqedonia ndoshta ka një lloj imuniteti të veçantë në këtë drejtim, sepse vendi ka politikë të jashtme dhe të sigurisë plotësisht të harmonizuar me Bashkimin Evropian dhe është anëtare e NATO-s.
Megjithatë, ajo konsideron se ajo që u mundësohet Moldavisë dhe Ukrainës mund të zbatohet edhe në rastin tonë. Në këtë kontekst, ajo theksoi se është e rëndësishme që reformat të vazhdojnë paralelisht me përpjekjet politike për tejkalimin e kontestit dypalësh, në vend që vendi ta humbasë energjinë në çështje të cilat vështirë se mund t’i zgjidhë vetë.
E pyetur nëse ekzistojnë zgjidhje që do t’ia kërkojë Bashkimit Evropian për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të Maqedonisë, në mënyrë që të mos krijohet ndjenja se vendi po qëndron në vend, Siljanovska-Davkova përsëriti se tashmë ka thënë se ekziston një mënyrë, duke iu referuar shërbimeve juridike të Bashkimit Evropian.
“Me shërbimet juridike të Bashkimit Evropian të përcaktohet se çfarë nënkupton secila gjë, në mënyrë që ne ta dimë se cila është rruga jonë, në çfarë po hyjmë dhe me çfarë pritshmërish”, tha ajo.
Nuk kam dëgjuar që dikush të ketë zgjidhur çështje identitare
Lidhur me raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian për përparimin e vendit, i cili pritet të publikohet nesër, Siljanovska-Davkova tha se ende nuk e ka parë dokumentin, por se konstatimet, vlerësimet dhe rekomandimet do të jenë të rëndësishme për përcaktimin e arritjeve dhe fushave në të cilat nevojiten aktivitete shtesë.
“Natyrisht se kemi probleme dhe nuk frikësohem nga këto probleme kur evidentohen, sepse kur keni një problem, përballeni me të dhe e zgjidhni. Nuk mendoj se jemi të paaftë për t’i zgjidhur problemet. Përndryshe, ende nuk e kam parë raportin, por mendoj se do ta lexoj që sot. Natyrisht se konstatimet, vlerësimet dhe rekomandimet e raportit janë shumë të rëndësishme. Prandaj them, le të përqendrohemi në evropianizim në atë që siguron demokraci normale, sundim të ligjit, qytetarë të kënaqur, ekonomi e kështu me radhë. Por, ne e kemi shumë të vështirë të përqendrohemi njëkohësisht edhe në reformat racionale nga të cilat varet jeta jonë, edhe në çështje që vështirë se dikush mund t’i zgjidhë, sepse nuk kam dëgjuar që dikush të ketë zgjidhur çështje identitare”, tha presidentja e shtetit në intervistë.
Duke iu referuar rastit të Malit të Zi dhe çështjeve që ky shtet duhet t’i zgjidhë me Kroacinë gjatë procesit të anëtarësimit në BE, Siljanovska-Davkova bëri dallim në qasjen ndaj zgjidhjes së kontesteve dypalëshe. Ajo e përshëndeti qëndrimin e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq se ekziston hapësirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura deri në vitin 2028, duke vlerësuar se për negociata nevojiten dy palë dhe gatishmëri për dialog.
“Vetë fakti që zoti Plenkoviq thotë se deri në vitin 2028 problemi do të zgjidhet, hap hapësirë për zgjidhje. Të gjithë e dimë se kjo është qasja e duhur. Kemi vërejtje, por do t’i zgjidhim së bashku. Sa i përket nesh, nuk kam dëgjuar një nxitje apo inkurajim të tillë… Është logjike që, 13 vjet pas anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, të shohim se dyert për Ballkanin po hapen. Në këtë kuptim, natyrisht se edhe unë gëzohem për përparimin e Malit të Zi”, tha Siljanovska-Davkova.
Siljanovska-Davkova paralajmëron se do të kërkojë takim me Jotovën
Lidhur me mundësinë e vazhdimit të bisedimeve me presidenten e sapozgjedhur bullgare, Ilijana Jotova, ajo paralajmëroi se do të kërkojë takim dhe bisedime për çështjet e hapura. Ajo theksoi se edhe më parë është përpjekur të vendosë dialog me qëllime të mira, por problemi qëndron në faktin se Maqedonia nga institucionet evropiane udhëzohet të bisedojë me fqinjin, ndërsa nga pala bullgare dërgohen mesazhe se çështja duhet të zgjidhet me të gjitha vendet anëtare të Unionit.
Siljanovska-Davkova foli edhe për Planin e Veprimit për Pakicat, i cili, siç tha ajo, është hartuar me ekspertë të Këshillit të Evropës dhe i është dërguar për shqyrtim Bullgarisë fqinje. Presidentja e shtetit vlerësoi se vendi nuk ka problem thelbësor me Bashkimin Evropian, por me fqinjin, ndonëse në kornizën negociuese është përfshirë një kusht që, sipas saj, nuk është dashur të jetë pjesë e saj.
“Plani i Veprimit për Pakicat është një fenomen i rrallë, që e hartoni me ekspertë të Këshillit të Evropës. Edhe më i rrallë është fakti që e dërgoni për shqyrtim te fqinji, në vend që t’ia dërgoni drejtpërdrejt Komisionit Evropian. Të gjitha shtetet janë të kënaqura me Planin e Veprimit për Pakicat, sërish vetëm Bullgaria nuk është. Nuk e di nëse kjo është në frymën e asaj që kërkon BE-ja. Pra, ne në thelb nuk kemi problem me BE-në, ndonëse në kornizën negociuese është përfshirë një kusht që nuk është dashur kurrë të gjendet aty. Por ja, është përfshirë. Ne kemi problem me fqinjin tonë”, vlerësoi Siljanovska-Davkova.
Për ndryshimin e pushtetit në Serbi
Në intervistë u diskutuan edhe zhvillimet politike në rajon, veçanërisht protestat në Shqipëri dhe ndryshimi i pushtetit në Serbi. Sa i përket Serbisë, presidentja tha se është herët për një vlerësim përfundimtar të orientimit të ardhshëm të politikës së jashtme të këtij vendi, por se bëhet fjalë për një fenomen të ri politik, duke pasur parasysh paraqitjen e listave studentore dhe lëvizjeve politike që nuk bazohen në një ideologji qartësisht të identifikueshme.
Ajo theksoi se në politikën bashkëkohore gjithnjë e më shumë vërehet deideologjizimi i partive dhe se për proceset e ardhshme politike vendimtare duhet të jenë parimet e sundimit të ligjit, ndarja e pushteteve, gjyqësori dhe mediat e pavarura, shoqëria e fortë civile, prosperiteti ekonomik dhe përgjegjësia e politikanëve.
Sipas Siljanovska-Davkovës, BE-ja njëkohësisht duhet të përshtatet me sfidat e reja gjeopolitike dhe ta përshpejtojë procesin e zgjerimit. Ajo përcolli mesazhin e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, se zgjerimi është investim gjeostrategjik dhe theksoi se vendet kandidate duhet të përparojnë në procesin e evropianizimit, ndërsa Unioni duhet të gjejë mënyra për integrimin e tyre gradual dhe forcimin e qëndrueshmërisë së përbashkët.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Sali në takim me komisioneren Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese
- LEXO: Asnjë përparim në rrugën drejt BE-së, Petrova i kërkoi Mucunskit afat kohor se kur vendi do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese