Këshilli i Komunës së Tetovës javën e kaluar ka miratuar vendim me të cilin bëhet rritja e çmimit të furnizimit me ujë për pije për dy denarë dhe çmimit për grumbullimin dhe mënjanimin e ujërave të zeza urbane për vitin 2027-2029. Në ndërkohë, vetëm në muajin tetor qyteti u përball me 33 defekte në rrjetin e ujësjellësit, shkruan Portalb.mk.
Këto vendime Ndërmarrja Publike Komunale para se t’i dërgojë në Këshillin Komunal i ka sjellë duke u bazuar në aktvendimet e Komisionit Rregullator për Energjetikë.
“Çmimet po rriten dhe ne para çdo seance, puna e parë, e shohim sa rriten çmimet”, thotë Arlind Murtezani, këshilltar komunal nga Lidhja Shqiptare.
Nga NPK “Sharri” thonë se ” tarifat në Tetovë janë më të ulëta krahasuar me ato të komunave të tjera”.
Drejtori i ndërmarrjes, Valon Zeqiri ka thënë se Komisioni Rregullator kishte propozuar çmim mesatar prej 24 denarësh, por Bordi i ndërmarrjes ka vendosur ta aplikojë tarifën minimale.
“Një qytetar i cili harxhon diku te 21 kubik në muaj, në qoftë se ka paguar 400-420 denarë, do të duhet të paguajë diku te 460 deri në 470 denarë maksimum”, tha ai.
Më poshtë e gjeni debaitn e plotë për këto pika.
Nga ana tjetër, defektet në rrjetin e ujësjellësit në Tetovë janë shndërruar në problem pothuajse të përditshëm. Nga 1 deri më 31 tetor 2026, Portalb.mk ka evidentuar 33 raste të raportuara të defekteve në pjesë të ndryshme të qytetit, ndërsa në disa rrugë problemet janë përsëritur disa herë. Përderisa rrjeti vazhdon të pësojë defekte, shumë gypa të ujësjellësit në qytet janë ende me azbest.
Sipas të dhënave të grumbulluara nga Portalb.mk sipas njoftimeve nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” në faqen zyrtare në rrjetin Facebook, gjatë mujait tetor janë evidentuar 33 defekte në rrjetin e ujësjellësit në 24 ditë brenda muajit.
Rruga “Lubotenska” është ndër më problematiket, ku janë evidentuar gjashtë raste të defekteve, më 1, 10, 13, 14, 20 dhe 26 tetor.
Këto të dhëna tregojnë se defektet nuk janë të përqendruara vetëm në një pjesë të qytetit, por janë evidentuar në lokacione të ndryshme, përfshirë edhe rrugë ku problemet janë përsëritur.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse rastet e përsëritura në të njëjtat rrugë kanë të bëjnë me defekte të reja apo me probleme të mëparshme që nuk janë zgjidhur plotësisht.
NPK “Sharri” pa përgjigje për shkaqet dhe përgjegjësinë
Për të sqaruar gjendjen, Portalb.mk iu drejtua Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri” me pyetje gazetareske lidhur me defektet e vazhdueshme në rrjetin e ujësjellësit.
Nga ndërmarrja kërkuam të sqarojnë nëse problemet lidhen me infrastrukturën e vjetruar, mungesën e mirëmbajtjes apo faktorë të tjerë.
Gjithashtu, kërkuam përgjigje se kush mban përgjegjësi për defektet e përsëritura dhe ndërprerjet e furnizimit me ujë, si dhe nëse janë ndërmarrë masa për adresimin e problemit.
Nga NPK “Sharri” kërkuam edhe informacione për masat konkrete, planet e rehabilitimit të rrjetit dhe afatet. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nga ndërmarrja nuk kemi marrë përgjigje.
Një e pesta e rrjetit të ujësjellësit ende me gypa azbesti
Problemet e vazhdueshme me ujësjellësin në Tetovë kryesisht shfaqen për shkak se një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës është e vjetruar dhe e amortizuar.
Siç ka raportuar më herët Portalb.mk në mars të këtij viti, NPK “Sharri” ka konfirmuar se 21 përqind e gypave të rrjetit të ujësjellësit në qytet janë me azbest, material kancerogjen i cili në disa vende është larguar nga përdorimi tani e disa vite. Këta gypa të vjetër janë arsye që shumë ujë humbet në rrjet dhe nuk arrin te qytetarët.
Në mesin e lokacioneve ku janë identifikuar segmente me gypa të tillë janë edhe rrugët “Lubotenska” dhe “Bllagoja Toska”, ku gjatë këtij tetori janë evidentuar defekte të përsëritura.
Megjithatë, nuk ka të dhëna të konfirmuara që tregojnë nëse defektet e tetorit janë shkaktuar pikërisht nga këta gypa.
Drejtori i NPK “Sharri”, Valon Zeqiri, kishte deklaruar më herët për Portalb.mk se ndërmarrja ka përgatitur projekt për zëvendësimin e gypave të azbestit.
Premtimet për zgjidhjen e problemit vazhdojnë prej vitesh
Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.
Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.
Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto pesë vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.
Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.
Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
- LEXO: U ndalua uji për pije në katër fshatra të Tetovës, nuk është i sigurt
- LEXO: Sharri i pasur me ujë, Pollogu i varfër në menaxhim
- LEXO: Rrjeti i vjetëruar i ujësjellësit në Tetovë, 21% me azbest kancerogjen (Video)
- LEXO: Premtimet e Kasamit për ujësjellësin: Nga ‘me ka krejt’ në ‘nuk është punë që bëhet për katër vite’
- LEXO: Tetova e Malit Sharr assesi të rehatohet me ujin, vazhdimisht ka ndalesa dhe defekte
- LEXO: Masterplani nxori në pah të “zezat” e ujësjellësit të Tetovës, komuna premton zgjidhje