Komisioni Evropian do të publikojë paketën e zgjerimit, përfshirë edhe për Maqedoninë e Veriut

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, sot do ta prezantojë Paketën e Zgjerimit për vitin 2026, e cila përfshin raportet e Komisionit Evropian për përparimin e dhjetë vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në raporte do të vlerësohet zbatimi i reformave dhe përparimi i secilit vend në rrugën drejt integrimit evropian. Dokumentet fillimisht do t’u prezantohen anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian, pas së cilës raportuesit e përhershëm do të përgatisin rezoluta të veçanta me qëndrimet dhe rekomandimet e Parlamentit Evropian për secilin vend, transmeton Portalb.mk.

Sipas draft-versionit të deklaratës vjetore të Komisionit Evropian për politikën e zgjerimit, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë (REL), përparimi në rajon mbetet i pabarabartë. Mali i Zi vlerësohet si lider në këtë proces, ndërsa Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në të ashtuquajturat fusha themelore.

Në dokument thuhet se Mali i Zi i ka përmbushur kriteret përfundimtare në të gjithë kapitujt negociues dhe mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në BE deri në dhjetor të vitit 2026.

“Përparimi i jashtëzakonshëm i Malit të Zi në negociatat për anëtarësim në BE është dëshmi se zgjerimi mbetet një realitet i arritshëm”, thuhet në draft-dokument.

Komisioni Evropian vlerëson se Podgorica ka shënuar përmirësim të konsiderueshëm edhe në fushat themelore, me rezultate të mira në sundimin e ligjit, qeverisjen ekonomike dhe reformën e administratës publike. Njëkohësisht, për herë të parë në marrëveshjen e anëtarësimit të Malit të Zi do të zbatohej një qasje e përforcuar ndaj klauzolave mbrojtëse, e cila mund të shërbejë si model për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit.

Ndryshe nga Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në fushat themelore, të cilat përfshijnë sundimin e ligjit, institucionet demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike. Këto fusha kanë rëndësi të veçantë, pasi përcaktojnë ritmin e përgjithshëm të negociatave për anëtarësim.

Në draft-dokument theksohet gjithashtu se duhet të përshpejtohet zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Deri në shtator të vitit 2026 janë paguar 193,3 milionë euro grante nga gjithsej 1,6 miliardë euro të parapara, në bazë të 90 hapave të përmbushur të reformave. Komisioni, gjithashtu, po punon për heqjen e tarifave të roamingut me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vëmendje e veçantë në raport i kushtohet edhe pajtimit. Komisioni Evropian vlerëson se revizionizmi historik, mohimi ose glorifikimi i krimeve të luftës, si dhe retorika provokuese, janë të papajtueshme me vlerat mbi të cilat bazohet procesi i anëtarësimit në BE.

Paketa e Zgjerimit është një nga dokumentet kryesore vjetore të Komisionit Evropian, përmes të cilit vlerësohet përparimi i vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, institucioneve demokratike, të drejtave themelore dhe reformave ekonomike. Në bazë të këtyre vlerësimeve, vendet anëtare vendosin për hapat e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit, përfshirë hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues.

Në kuadër të aktiviteteve të Parlamentit Evropian, nesër, më 5 nëntor, Komiteti për Punë të Jashtme, në bashkëpunim me Komitetin për Buxhete, do të organizojë dialogje për zbatimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, Moldavinë dhe Ukrainën.

Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, do t’i informojë eurodeputetët për zbatimin e agjendave të reformave dhe pagesën e mjeteve nga BE-ja.

Komisioni Evropian pritet të prezantojë edhe planet e anëtarësimit për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Ato duhet të përcaktojnë hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit në Union, përmes vazhdimit të reformave dhe përfshirjes graduale të vendeve në politikat evropiane.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEKomisioni Evropian (KE)Raporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë