Në lidhje me rritjen e çmimeve në transportin ndërurban, ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, duke vlerësuar se përmes këtij shtrenjtimi po goditen drejtpërdrejt studentët dhe punëtorët, transmeton Portalb.mk.
“Nga Tetova drejt Shkupit, bileta që deri më tani kushtonte 200 denarë është rritur në 250 denarë, që paraqet një rritje prej 25% për një udhëtim. Për një student apo punonjës që udhëton çdo ditë, kjo nënkupton një barrë të konsiderueshme shtesë mujore”, reagoi BDI-ja.
Ata vlerësuan se në vend të rritjes së çmimeve, duhet të ketë subvencionim të transportit për studentët dhe punëtorët.
“Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të paraqitura, shpenzimet mujore për transport janë rritur nga rreth 5.500 në 6.500 denarë, duke shtuar edhe më shumë presionin mbi buxhetet familjare”, reagoi BDI-ja.
Pas rritjes së çmimeve të biletave për transportin ndërurban për të cilat raportoi fillimisht Portalb.mk, ndërsa pastaj pati reagime edhe nga qytetarët. Ministrja e Arsimit tha se për momentin nuk është prioritet të jepen subvencione për studentët, ndërsa kryeministri tha se do e rishqyrtojnë.
Ndryshe, shtrenjtimi i biletave të autobusëve për linjat ndër-urbane së pari filloi në shkurt të vitit 2022 ndërsa që atëherë çmimet janë shtrenjtuar disa herë. Për këtë problem qytetarët dhe studentët janë ankuar vazhdimisht, por kanë hasur në vesh të shurdhër.
- LEXO: Edhe një goditje për xhepin: U shtrenjtuan biletat për linjat ndërurbane, nga Tetova në Shkup për 50 denarë, nga Kumanova për 30 denarë
- LEXO: Mbeten “të kripura” çmimet e biletave të autobusëve për linjat ndër-urbane në RMV, kompanitë nuk do t’i ulin
- LEXO: RMV, shtrenjtohen sërisht biletat ndër-urbane, studentët e ekspozuar ndaj harxhimeve më të mëdha
- LEXO: Parlamenti studentor i UKM-së kërkoi studentët të mbrohen nga rritja e çmimit të biletave për autobus
- LEXO: RMV, u shtrenjtua çmimi i biletave ndër-urbane, qytetarët: Po pamundësohet jeta në këtë vend