Deponia në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës është rrethuar dhe mbyllur, por kjo nuk e ka zgjidhur problemin e mbeturinave në këtë zonë. Pas rrethimit të hapësirës së deponisë, qytetarët kanë filluar t’i hedhin mbeturinat përballë ish-deponisë, duke krijuar një grumbullim të ri të mbeturinave në afërsi të saj, shkruan Portalb.mk.
Mbyllja dhe rrethimi i deponisë ilegale në Nikushtak të Komunës së Likovës, nuk e ka zgjidhur problemin me hedhjen e mbeturinave. Qytetarët e pandërgjegjshëm kanë filluar hedhjen e mbeturinave dhe mbetjeve tjera inerte përballë ish-deponisë, duke krijuar mundësinë e krijimit të një deponie të re.
Situata ngre shqetësimin se mbyllja e deponisë, pa një zgjidhje alternative për deponimin e mbeturinave, mund të çojë në krijimin e deponive të reja dhe në përkeqësimin e gjendjes mjedisore në këtë zonë.
Portalb.mk ka pyetur Komunën e Likovës se ku po dërgohen aktualisht mbeturinat pas mbylljes së deponisë në Nikushtak dhe çfarë zgjidhjeje ka gjetur për menaxhimin e tyre. Nga ajte nuk kanë treguar se ku po dërgohen aktualisht mbeturinat, por thanë se Komuna e Likovës, në bashkëpunim me Regjionin Verilindor dhe komunat e tjera të këtij regjioni, përkatësisht Kriva Pallankën, Kratovën, Kumanovën, Sveti Nikollën dhe Staro Nagoriçanin, kanë themeluar një ndërmarrje ndërkomunale me qëllim të ndërtimit të Deponisë Rajonale për menaxhimin dhe riciklimin e mbeturinave në territorin e komunës së Sveti Nikollës.
“Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thanë nga Komuna e Likovës.
Ndërsa nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kemi kërkuar të sqarojë nëse po e monitoron situatën dhe nëse ka ndërmarrë masa lidhur me këtë problem, por nga atje deri në publikimin e këtij lajmi nuk janë përgjigjur në pyetjet tona.
Përndryshe, me 15 shtator 2025, minsitria kumtoi se deponia në Nikushtak është mbyllur zyrtarisht sepse nuk i plotëson standardet për mbeturina. Ky vendim erdhi pas protestave të banorëve, të cilët kundërshtuan hedhjen e mbeturinave nga Ndërmarja Komunale Publike “Pisha”. Pas vendimit, reagoi Komuna e Likovës duke e quajtur atë vendim si joligjor.
Kujtojmë se për më shumë se dy dekada banorët e fshatrave së Komunës së Likovës kanë problem me këtë deponi. Premtime të shumta u bënë nga autoritetet lokale dhe qendrore por situata mbetej e njëjtë.
- LEXO: Deponia në Nikushtak nuk ka kamera as ‘me kabllo’ e as ‘pa kabllo’, ndryshe nga ajo që tha ministri Izet Mexhiti (VIDEO)
- LEXO: Me mbjelljen e fidanëve dhe me pllakatën ‘Ndalohet hedhja e mbeturinave’ në deponinë e Nikushtakut, banorët tentojnë të ruajnë pastërtinë e vendit
- LEXO: Deponia në Nikushtak, Mexhiti: Do të vendosim kamera, do e dënojmë ndërmarrjen publike
- LEXO: Premtime në deklarata, plehra në terren: Deponia në Nikushtak assesi të pastrohet, Mexhiti arsyetohet