Çmimet e biletave të autobusëve për linjat ndërurbane në Maqedoninë e Veriut për shumë qytetar mbeten të larta dhe të papërballueshme. Më të prekur janë studentët, të cilët thonë se çmimet janë “të kripura” dhe kërkojnë të ulen. Edhe pse vetë i caktojnë çmimet, kompanitë nuk e kanë në plan të bëjnë uljen e tyre. Institucionet thonë se janë “të pafuqishme” për të ndërhyrë, shkruan Portalb.mk.
Aktualisht çmimi i biletës njëdrejtimëshe Gostivar – Shkup është 350 denarë, Tetovë – Shkup është 200 denarë, ndërsa Kumanovë – Shkup është 170 denarë.
Para dy viteve, për biletat e udhëtimit qytetarët shpenzonin dyfsih më pak. Më pas, rritja e çmimeve erdhi si rezultat i rritjes së çmimeve të derivateve të naftës në vitin 2022.
Por, sot që çmimet dukshëm kanë rënë, biletat mbeten ende me çmimin e rritur që aso kohe u arsyetua me krizën globale ekonomike pas pandemisë së virusit korona dhe pas luftës në Ukrainë.
“Çmime më të shtrenjta se në Evropë”
Çmimet aktuale të biletave janë të papranueshme për studentët. Për Portalb.mk, ata thonë që këto shpenzime u shkaktojnë kokëdhimbje shtesë, duke e marrë parasysh inflacionin në vend.
Semra Shabani është studente e vitit të tretë nga Kumanova e cila studion në universitetin “ Sën Kiril dhe Metodi” në Shkup. Ajo udhëton rregullisht nga Kumanova në Shkup.
“Duhet të ulen, sepse çmimet e karburanteve janë në rënie kurse çmimet e biletave të transportit publik nuk ndryshojnë. Ne si studentë e kemi të vështirë të mbijetojmë me këto çmime. Edhe unë si studente duke i përfshijë të gjithë shokët/shoqet e mia, sepse shumica prej nesh edhe prindërit i kemi të pa punë por dëshirojmë të arrijmë suksese në të ardhmen me aq sa kemi mundësi”, tha Shabani.
Edhe Eliza Spahiu është nga Kumanova dhe studion në universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, edhe për atë çmimet e biletave janë të papërballueshme.
“Për ne si studentë biletat ndikojnë shumë keq në buxhetin tonë arsimor për arsye se standardi buxhetor që e ka shteti jonë nuk është si duhet. Sepse ne si student duhet që të kemi përparësi dhe çmime më të ulëta sepse kemi harxhime të tepërta gjatë studimeve. Është mirë që sa më shpejtë t’i ulin çmimet”, tha Spahiu.
Albin Ameti nga Komuna e Likovës është nxënës i shkollës së mesme shtetërore “Akademia Sportive“ në Gostivar, ai shprehet se çmimet e biletave të autobusit në RMV janë më të shtrenjta se në Evropë.
“Edhe pse unë udhëtoj vetëm një herë në javë për arsye se për qëndroj në Gostivar, mirëpo çmimet e biletës më kushtojnë shumë shtrenjtë kjo nuk është normale as në Evropë si kanë këto çmime. Un jetoj në fshat për të shkuar në qytet më duhet të paguaj biletë deri në Kumanovë, pastaj prej në Kumanovë – Shkup, dhe Shkup – Gostivar vetëm një drejtim më kushton mbi 600 denarë, kjo është një shumë e madhe për një nxënës të cilin e financon një prind i cili nuk e ka një rrogë të bollshme”,tha Ameti.
Ankesa edhe nga qytetarët
Pakënaqësi lidhur me çmimet e biletave të autobusëve kanë edhe qytetarët. Një banor i Kumanovës tha se çmimet janë të larta.
“Unë çdo ditë përballem me vështirësi të transportit publik sepse për të udhëtuar nga Kumanova deri në Shkup bileta më kushton 170 denarë, të mbash familje dhe të kesh harxhime javore minimumi mbi 3.000 denarë është shumë e vështirë, unë punoj gjashtë ditë në javë dhe më besoni se kjo është një shumë e madhe”, tha ai.
Një qytetare tjetër theksoi se me çmimet aktuale është bërë njëjtë nëse udhëtove me autobus apo me veturë.
“Unë udhëtoj çdo ditë me veturën time personale, dhe çdo ditë përballem me shpenzimet të papërballueshme. Si të udhëtosh me autobusë, si të udhëtosh me veturë harxhimet janë të njëjta. Unë mendoj se çmimet e autobusëve duhet të jenë më të përshtatshme për çdo qytetar, dhe t’iu shmangim veturave që të mos të krijohet kaos në trafik”, tha ajo.
Autoritetet “të pafuqishme” për të ndërhyrë
Ministria e Transportit theksoi se ata nuk mund të ndërhyjë në çmimet e biletave të autobusëve.
“Ministria e Transportit nuk mund të ndërhyjmë në çmimin e biletave dhe të subvencionojmë, dhe as nuk caktojmë çmim. Kjo është çështje tregu dhe Ministria ka vetëm përgjegjësi për të siguruar që autobusët përmbushin kriteret sipas ligjit për transportin”, thanë nga Ministria e Transportit.
As Inspektorati Shtetëror i Transportit nuk mund të veprojë në këtë drejtim.
”Vet transportuesit i caktojnë çmimet, ndërsa ne vetëm i kontrollojmë se a e zbatojnë ligjin dhe aktet nënligjore që obligohen t’i zbatojnë nga momenti i marrjes së lejes për transport ndër komunal”, thanë nga Inspektorati Shtetëror i Transportit.
Nuk e kanë në plan t’i ulin çmimet
Në lidhje me këtë problem Portalb.mk kontaktoi kompaninë “Rule Turs”, e cila është përgjegjëse për linjat ndër-urbane në vend. Nga atje thanë se nuk do ti ulin çmimet. Madje, thanë që nuk janë pëgjegjës për çmimet, por, sipas ministrive të lartpërmendura, kjo gjë është e pasaktë.
“Çmimet e biletave për rrugët që mbulon kompania “Rule Turs”, për momentin nuk planifikojmë t’i ulim, sepse përveç biletës ditore kemi edhe biletën mujore, e cila mund të përdoret çdo ditë dhe ofron çmime të favorshme për udhëtarët”, thanë nga “Rule Turs”.
Po ashtu, kontaktuam kompaninë “Euro Turist” Gostivar, ata na konfirmuan se do të na japin përgjigje, mirëpo përgjigje në lidhje me këtë problem nuk morëm.
Ndryshe, shtrenjtimi i biletave të autobusëve për linjat ndër-urbane së pari filloi në shkurt të vitit 2022 ndërsa që atëherë çmimet janë shtrenjtuar disa herë. Për këtë problem qytetarët dhe studentët janë ankuar vazhdimisht, por kanë hasur në vesh të shurdhër.
- LEXO: RMV, shtrenjtohen sërisht biletat ndër-urbane, studentët e ekspozuar ndaj harxhimeve më të mëdha
- LEXO: Parlamenti studentor i UKM-së kërkoi studentët të mbrohen nga rritja e çmimit të biletave për autobus
- LEXO: RMV, u shtrenjtua çmimi i biletave ndër-urbane, qytetarët: Po pamundësohet jeta në këtë vend