Në këtë qytet të Maqedonisë së Veriut filloi pilot-projekti për selektimin e mbeturinave që në shtëpi

Një projekt pilot për përzgjedhjen primare të mbeturinave plastike dhe kanaçeve ka filluar në Kumanovë. Rreth 200 familjeve brenda një vendbanimi në Kumanovë u janë dhënë shporta falas ku mund të selektojnë mbeturinat e tyre, pas së cilës një operator kolektiv do t’i mbledhë ato nga shtëpitë e tyre për dy javë, raporton SDk, përcjell Portalb.mk.

Qëllimi i projektit është të ndajë mbeturinat shtëpiake që në fillim të krijimit të tyre, gjë që do të përmirësojë kushtet për mbledhjen dhe riciklimin e tyre të mëtejshëm. Në këtë mënyrë, sasitë e mbeturinave që përfundojnë në deponi do të zvogëlohen, burimet do të përdoren në mënyrë më efikase dhe parimet e ekonomisë rrethore do të futen gradualisht në zakonet e përditshme të qytetarëve.

Projekti po zbatohet nga Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit i Komunës së Kumanovës, në bashkëpunim me NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi”, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Qendrën për Ndryshime Klimatike dhe kompaninë “Uno Product” – Kumanovë.

“Sot jemi në rrugën Mirce Acev ku do të dhurojmë 200 shporta plastikë për përzgjedhjen e shisheve të ujit dhe lëngjeve, kanaçeve plastike dhe alumini me dhe pa ngjyrë të lëngjeve, birrës dhe ushqimit, si dhe qeseve plastike. Ky është një projekt pilot, po fillojmë nga këtu, dhe do të mbulojmë edhe rrugët e tjera në lagje dhe në pjesë të tjera të qytetit ku do të shpërndahen shporta falas, me qëllim pastrimin e qytetit nga paketimi PET. Shpresojmë që të rritet ndërgjegjësimi mjedisor tek qytetarët dhe projekti të ketë sukses”, tha Sasho Tomic, drejtor i NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi”.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2024 janë krijuar 755.7 mijë tonë mbeturina komunale, ose mesatarisht 417 kilogramë për banor, tregojnë të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave. Pjesa më e madhe e mbeturinave vjen nga amvisëritë, ndërsa sasia më e madhe gjenerohet dhe grumbullohet në Rajonin e Shkupit.

Megjithatë, përgjegjësia më e madhe mbetet te secili qytetar, i cili duhet të jetë i vetëdijshëm për rëndësinë e riciklimit dhe pasojat e mosriciklimit. Ekspertët paralajmërojnë se riciklimi i pamjaftueshëm çon në mbushjen më të shpejtë të deponive, ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, rritjen e emetimeve të gazeve serrë dhe humbjen e lëndëve të para me vlerë që mund të ripërdoren. Njëkohësisht rriten edhe kostot për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa shtohen rreziqet për shëndetin publik për shkak të depozitimit dhe djegies së pakontrolluar të mbeturinave.

 

KumanovaMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Mjedisi jetësorNdotja e tokës mbeturinaRiciklim