Pas rritjes së çmimeve të biletave për transportin ndërurban për të cilat raportoi fillimisht Portalb.mk, një grup i qytetarëve dhe punëtorëve që udhëtojnë çdo ditë nga qytete të ndryshme drejt Shkupit kanë reaguar duke shprehur pakënaqësitë e tyre, thonë se rritja e çmimeve u ndikon në xhep dhe prek familjet e tyre.
“Kjo nuk është më vetëm çështje e biletës. Kjo është çështje e standardit jetësor, të drejtës së punës dhe arsim dhe e zhvillimit të barabartë të qyteteve”, thuhet të letrën e hapur të cilën e kanë dorëzuar te mediat dhe institucionet.
Si shembull ata përmendin relacionin Tetovë – Shkup. Nga 1 shtatori 2026, bileta mujore e linjës Tetovë-Shkup është rritur nga 5,500 në 6,500 denarë. Ato janë 1,000 denarë më shumë në muaj ose 12,000 denarë më shumë në vit, respektivisht 78,000 denarë në vit vetëm për udhëtim në pune. Për një punëtor me pagë prej 26,000 denarësh, bileta prej 6,500 denarësh paraqet 25% të të gjithë pagës mujore.
Me të njëjtin problem ballafaqohen edhe qytetarët që çdo ditë udhëtojnë nga Kumanova, Velesi, Shtipi, Prilepi, Manastiri dhe qytete të tjera për në vendin e tyre të punës ose të shkollimit.
Bileta Kumanovë – Shkup është 6,000 denarë në muaj. Gostivar – Shkup është 8,000 denarë në muaj.
“Sipas cilave parametra ekonomikë u përcaktua çmimi prej 6,500 denarësh? Rritja a është proporcionale me rritjen reale të shpenzimeve të transportuesve? Kush e kontrollon justifikimin dhe ligjshmërinë e këtyre çmimeve? Si shembull i ndryshimeve në çmime: bileta mujore Shkup-Katllanovë, distancë prej rreth 35 kilometrash, kushton 1,600 denarë, ndërsa Tetovë-Shkup, distancë prej rreth 40 kilometrash, kushton 6,500 denarë. Diferenca është 4,900 denarë në muaj, respektivisht 58,800 denarë në vit – edhe pse bëhet fjalë për linjë afërsisht të njëjtë”, thonë qytetarët e revoltuar.
Ata theksojnë se dallimi kryesor është se ekziston transporti publik urban në linjën Shkup-Katlanovë, ndërkaq qytetarët që udhëtojnë Tetovë-Shkup praktikisht mbeten vetëm me transport privat ndërurban.
Mes tjerash ata thonë se në Shkup, bileta mujore e transportit urban mundëson përdorimin e transportit publik në të gjithë qytetin të më shumë linjave të autobusëve, ndërkaq punëtori që çdo ditë udhëton nga një qytet tjetër mund të paguajë 6,500 denarë vetëm për një relacion ndërurban.
“Kur udhëtimi i përditshëm bëhet shumë i shtrenjtë, qytetarët ballafaqohen me një zgjedhje: të paguajnë mijëra denarë çdo muaj ose të shpërngulen në atë vend ku punojnë ose studiojnë. Kjo paraqet problem social, ekonomik dhe demografik. Nuk duam që qytetet jashtë Shkupit të zbrazen, por as Shkupi të ngarkohet. Ne duam që çdo kush të jetojë në qytetin e tij dhe të punojë ose studiojë në një tjetër – pa qenë transporti pengesë”, thonë qytetarët.
Ndërkohë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës për Portalb.mk thonë se çmimet në treg, në kushtet e ekonomisë së tregut, formohen në mënyrë të tregut të lirë.
“Kufizimet dhe ndalesat në tregti janë paraparë në nenin 29 të Ligjit për Tregti, ku përcaktohen rastet dhe kushtet në të cilat Qeveria mund të kufizojë përkohësisht ushtrimin e veprimtarisë tregtare. Duke pasur parasysh se asnjë nga këto raste nuk është përmbushur, Ministria e Ekonomisë dhe Punës nuk mund të propozojë masa për parandalimin ose kufizimin e çmimeve të biletave të transportit ndërurban”, shtuan nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.
Portalb.mk ka dërguar pyetje edhe deri te kompania Rule Turs për të kërkuar sqarime se për çfarë arsyeje është rritur çmimi, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk janë përgjigjur.
Ndryshe, shtrenjtimi i biletave të autobusëve për linjat ndër-urbane së pari filloi në shkurt të vitit 2022 ndërsa që atëherë çmimet janë shtrenjtuar disa herë. Për këtë problem qytetarët dhe studentët janë ankuar vazhdimisht, por kanë hasur në vesh të shurdhër.
- LEXO: Edhe një goditje për xhepin: U shtrenjtuan biletat për linjat ndërurbane, nga Tetova në Shkup për 50 denarë, nga Kumanova për 30 denarë
- LEXO: Mbeten “të kripura” çmimet e biletave të autobusëve për linjat ndër-urbane në RMV, kompanitë nuk do t’i ulin
- LEXO: RMV, shtrenjtohen sërisht biletat ndër-urbane, studentët e ekspozuar ndaj harxhimeve më të mëdha
- LEXO: Parlamenti studentor i UKM-së kërkoi studentët të mbrohen nga rritja e çmimit të biletave për autobus
- LEXO: RMV, u shtrenjtua çmimi i biletave ndër-urbane, qytetarët: Po pamundësohet jeta në këtë vend