“Nuk e linda dhe nuk e rrita që dikush ta rrahë dhe ta djegë të gjallë”, “Zemërimin nuk do të na e merrni”, “Vlera familjare – rrahje dhe fyerje” – këto janë disa nga pankartat e protestës së sotme në Shkup kundër femicideve, dhunës institucionale dhe pandëshkueshmërisë në vend, transmeton Portalb.mk.
Marshi protestues është organizuar nga iniciativa joformale “Asnjë më shumë!”, ndërsa një numër i madh protestuesish u mblodhën pikërisht në mesditë në parkun “Gruaja Luftëtare” në Shkup. Prej aty, duke kaluar pranë Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë, marshi përfundoi para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Aktivistët rikujtuan edhe emrat e grave dhe vajzave të tjera që humbën jetën si viktima të dhunës – Ramajana, Rosica, Tankica, Ivana, Katja… duke shtruar pyetjen se sa viktima të tjera nevojiten që institucionet të reagojnë.
Protestuesit kërkuan përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë pasur detyrimin t’i mbrojnë viktimat.
“Për të gjitha dështimet kërkojmë emra, përgjegjësi dhe sanksione. Së dyti, kërkojmë paraqitjen dhe miratimin urgjent të ndryshimeve ligjore për mbrojtjen nga dhuna. Së treti, riktheni gjininë dhe barazinë gjinore në ligje, programe dhe në arsim, prej nga i keni fshirë. Nuk mund të luftojmë kundër dhunës me bazë gjinore, nëse politikisht minojmë vetë bazën për njohjen e saj. Së katërti, shkarkoni nga funksionet publike ata që bëjnë thirrje për kontroll mbi gratë, justifikojnë dhunën ose normalizojnë nënshtrimin e tyre”, deklaroi aktivistja Elena Petrova.
Protestuesit kanë kërkuar miratimin urgjent të ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Organizatorët kërkojnë gjithashtu rikthimin e termit “gjini” në ligje, udhëzime dhe programe, prej të cilave, sipas tyre, është hequr.
Thirrja përfshin edhe shkarkimin e bartësve të funksioneve publike dhe drejtuese që e justifikojnë ose e normalizojnë dhunën ndaj grave. Nga iniciativa theksojnë se vrasjet e grave nuk duhet të trajtohen si tragjedi të izoluara apo të justifikohen me marrëdhëniet mes partnerëve.
Organizatorët e cilësojnë protestën si qytetare dhe kërkojnë që partitë politike t’i shfrytëzojnë mekanizmat institucionalë për realizimin e kërkesave. Në thirrjen e tyre theksojnë se tubimi nuk është vend për promovim partiak, flamuj apo fjalime të përfaqësuesve politikë.
Protesta vjen pas rastit të fundit të femicidit në Bogdanci, ku 17-vjeçarja Biljana Kiriq u vra nga partneri i saj. Sipas organizatorëve, ky rast dëshmoi sërish mosveprimin institucional, mungesën e profesionalizmit, reagimet e vonuara dhe mungesën e mbrojtjes për gratë dhe vajzat në vend.