Aleanca për Shqiptarët ka vlerësuar se deklarata e euroambasadorit Mihailis Rokas është dëshmi e qartë se Qeveria ka dështuar të japë rezultate konkrete në procesin eurointegrues, raporton Portalb.mk.
Nga kjo parti thonë se afatet kanë kaluar, ndërsa qytetarët ende dëgjojnë arsyetime, pritje dhe interpretime diplomatike.
“Kjo Qeveri premtoi përshpejtim të rrugës evropiane, por solli stagnim. Në vend të hapjes së kapitujve negociues, vendi pret raportin e radhës. Në vend të reformave të vërteta, qytetarëve u ofrohet propagandë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Sipas tyre, partnerët shqiptarë në Qeveri, VLEN kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë dështim.
“Ata nuk mund të fshihen pas deklaratave të përgjithshme, sepse premtuan Evropë, ndërsa sot heshtin para bllokadës”, thonë nga ASh.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.